Historiku i Sektorit Shëndetësor

Sektori Shëndetësor ka qënë dhe vazhdon te mbetet një ndër sektorët më të rëndësishëm gjatë këtyre 19 viteve të ekzistencës së Caritas Shqiptar. Vështirësitë ekonomike të tranzicionit kanë reflektuar paralelisht, duke shkaktuar gjurmë të thella në shëndetin e komunitetit. Caritas Shqiptar në bashkëpunim me shërbimin e drejtpërdrejtë te Misioneve Katolike në Shqipëri, ka arritur të vërë në efiçencë të plotë një rrjet të zgjeruar veprimi në ndihmë të shëndetit të komunitetit. Caritas

Shqiptar ka punuar duke mbështetur strukturat shëndetësore shtetërore, dhe duke dhënë ndihmë të veçantë personave me probleme shëndetësore, duke përfshirë këtu materiale të ndryshme diagnostikuese, medikamente dhe pajisje të ndryshme. Ky sektor ka qënë gjithmonë i gatshëm në raste emergjencash, ka asistuar grup-mosha të ndryshme, persona me aftësi të kufizuar dhe persona të prekur nga sëmundje terminale. Me rëndësi të vecantë mbetet projekti i cili i ka ardhur në ndihmë personave të prekur nga sëmundje të pa kurueshme në Shqipëri, dhe kurimi i tyre në spitale të specializuara jashtë vendit kryesisht në Itali. 

Caritas Shqiptar përmes rrjetit të qendrave shëndetësore të vendosura në zonat më të margjinalizuara të vendit ofron kontribut konkret në Përmirësimin e shëndetit të popullatës përmes përmirësimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor. Në rrjetin e Qendrave Shëndetësore përfshihen 16 Ambulanca, 15 Infermieri dhe 17 Qendra Dëgjimore që mundësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore sipas standardeve bashkëkohore. Stafet e Qendrave Shëndetësore në cilësinë e ekipeve multidisiplinare asistojnë individët e interesuar për shërbim shëndetësor duke mundësuar shërbime cilësore dhe të vazhdueshme në kohë. Statistikat e raportura çdo vit Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë për një numër mesatar pacientësh të asistuar që arrin rreth 73.000 persona. Shërbimi shëndetësor parësor në banesë zë një vend të rëndësishëm ndër shërbimet e tjera që ofrohen nga qendrat shëndetësore. Angazhimi dhe përkushtimi në ofrimin e asistencës multidisiplinare sidomos në fushën e kujdesit paliativ ka krijuar ndër vite modelin e shërbimit të kompletuar që mundëson për personat e sëmurë dhe familjarët e tyre asistencë mjekësore dhe sociale duke ofruar në këtë mënyrë mbështetje dhe solidaritet në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.

Në sajë të implemetimit të programit për kualifikimin e vazhdueshëm të personelit të qendrave shëndetësore të rrjetit të Caritas-it Shqiptar dhe strukturave publike të Kujdesit Shëndetësor Parësor, çdo vit zhvillohen 4 trajnime kombëtare si dhe disa trajnime dhe seminare rajonale. Trajnimi i vazhdueshem i 120 Punonjësve të Kujdesit Shëndetësor Parësor, kontribuon në rritjen e aftësive profesionale duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe mbështetëse për personat e sëmurë.

Riorganizmi i qendrave shëndetësore të Caritas-it Shqiptar ka konsistuar në ngritjen dhe efikasitetin e qendrave dëgjimore duke u orientuar drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor parësor në fushën e shëndetit mendor, si dhe në këshillimin dhe mbështetjen e familjeve të personave me sëmundje kronike dhe terminale. 

Shërbimi shëndetësor i mundësuar përmes funskionimit të dhjetra qendrave shëndetësore u ka mudësuar akses të plotë mijëra persoanve të sëmurë. Asistenca shëndetësore ofrohet nga stafe të kualifikuara të cilët janë të mirë – orientuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sipas një etike të lartë profesionale që i sigurojnë personit të sëmurë respektim të të drejtave themelore. 

Programi për promocionin dhe edukimin shëndetësor në komunitet mundëson për përfituesit seminare informuese për parandalimin e sëmundjeve infektive  dhe mbrojtjen e mjedisit si faktor në përmirësimin e shëndetit publik. Çdo vit përmes implementimit të mbi 15 mini-projekteve të zhvilluara në zona të ndryshme të vendit  janë trajnuar 5300 persona të grup-moshave të ndryshme.

Qëllimi:

Përmirësimi i shëndetit të popullsisë përmes rritjes së aksesit ndaj shërbimit shendetesor paresor.

Objektivat specifike:

  1. Të ngrejë një rrjet shërbimi home care në nivel kombëtar përmes bashkëpunimit me 47 qendrat shëndetësore të Caritas-it Shqiptar si dhe mbështetjes së donatorëve të huaj.
  2. Të promovohet dhe të zhvillohet  ofrimi i shërbimit  shëndetësor pranë familjes për target grupe të ndryshme si të sëmurët terminale, të sëmurët kronikë dhe personat me sëmundje invalidante.
  3. Rritjen e aksesit të përfituesve ndaj shërbimit në familje duke mundësuar ofrimin e modelit më të mirë për dhënien e këtij shërbimi në Shqipëri.
  4. Edukimi shëndetësor në komunitet për rritjen e vetëdijes qytetare në mbrojtjen e shëndetit. Identifikimi i rolit të individit në zhvillimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm.
  5. Hartimin dhe Zhvillimin eProgramit Kombëtar për Edukimin në Vazhdim të punonjësve të qendrave shëndetësore të Caritas Shqiptar” përmes organizimit të trajnimeve dhe seminareve në nivel kombëtar dhe dioqezan.
  6. Ngritja dhe funskionimi i rrjetit të vullnetarëve që mbështesin personelin shëndetësor në ofrimin e shërbimit shëndetësor në banesë si dhe pranë qendrave shëndetësore në qasje me modelin për ofrimin e shërbimit shëndetësor multifunksional.
  7. Promovimi i nismave lobuese për mbrojtjen e të drejtave të individit për të përfituar shërbim shëndetësor cilësor, të aksesueshëm dhe të vazhdueshëm në kohë.

Prioritetet e Sektorit Shëndetësor për vitin 2012 

  1. Koordinimi dhe menaxhimi i rrjetit të qendrave shëndetësore të Caritas Shqiptar me qëllim ofrimin e shërbimit shëndetësor parësor sipas standarteve bashkëkohore.
  2. Implementimi i projekteve në fushën e shëndetësisë me qëllim përmirësimin e shërbimit shendetësor parësor në funksion të përmirësimit të shëndetit të popullatës.
  3. Zhvillimi i programit për edukimin shëndetësor në komunitet përmes implementimit të 15 miniprojekteve me shtrirje në gjithë territorin e Shiqipërisë.
  4. Zhvillimi i programit për Edukimin në Vazhdim të operatorëve shëndetësorë të Qendrave shëndetësore të Caritas Shqiptar si dhe të Kujdesit Shëndetësor Parësor publik.
  5. Organizimi i konferencave dhe publikimeve me qëllim rritjen e sensibilizimit të strukturave qeveritare dhe jo qeveritare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njerëzve në nevojë. 

Ndër arsyet që shërbimi shëndetësor pranë familjes (domiciliary medical care) kërkohet çdo ditë e më shumë mund të listojmë:

–      Mosha mesatare e vdekshmërisë është rritur ndjeshëm vitetet e fundit dhe si rrjedhojë moshat e treta për shkak të sëmundjeve kronike, terminale dhe invalidante kanë nevojë për shërbim shëndetësor në banesë.

–      Numri i personave të prekur me HIV/AIDS është rritur ndjeshëm kohët e fundit, në Shqipëri shifrat flasin për 359 raste deri në Dhjetor të 2009.

–      Emigracioni ka rritur ndjeshëm numrin e të moshuarve të cilët jetojnë te braktisur nga pjesa tjetër e familjes.

–      Personat me aftësi të kufizuara të cilët akoma nuk janë të integruar në shoqëri por mbahen nga familjarët të ngujuar në banesën e  tyre.

 

Të gjitha këto grupe të shoqërisë por edhe të tjera rrisin nevojën e ofrimit të shërbimit shëndetësor pranë familjes.

Ngritja dhe funskionimi i rrjetit të vullnetarëve që mbështesin personelin shëndetësor në ofrimin e shërbimit shëndetësor në banesë do të jetë një tjetër prioritet që do të synohet të arrihet gjatë periudhës 2011-2015. 

Një tjetër prioritet i Sektorit Shëndetësor për periudhën 2011-2015 do të konsistojë në “Zhvillimin e Programit Kombëtar për Edukimin në Vazhdim të punonjësve të qendrave shëndetësore të Caritas Shqiptar” përmes organizimit të trajnimeve dhe seminareve në nivel kombëtar dhe dioqezan.