Caritas-i Shqiptar, me qëllim integrimin e personave me aftësi të kufizuara, ka zbatuar programe të ndryshme për këtë target grup që në vitin 2008. Partner i vazhdueshëm në këtë ndërhyrje ka qenë Caritas-i St. Polten (Austri), i cili ka mbështetur programet e aftësisë së kufizuar pranë Caritas-it Shqiptar. Programi ka startuar me një projekt 3 vjeçar dhe u shtri në tre zona të Shqipërisë duke ofruar shërbim në banesë për PAK në Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Përveç vizitave në familje nga ana e një stafi të kualifikuar, ka ofruar mbështetje me materiale didaktike/shkollore duke nxitur në këtë mënyrë arsimimin e tyre. Në këtë kontekst Caritas-i Shqiptar ka lobuar dhe po lobon fort për pranimin e PAK në shkolla normale.

Nisur nga përvoja e ndërhyrjes së parë, u konsiderua si nevojë e menjëhershme vazhdimësia e ndërhyrjeve në këtë fushë.  Në këtë kontekst, u realizua hapja e qendrës ditore në Fushë-Krujë ku përfitojnë 35 të rinj me aftësi të kufizuara.  Kjo qendër është e ndarë në disa mjedise pune, si: mjedisi i dekuipazhit, ai i punës me dru, mjedisi ku përgatiten qirinjtë, salla e studimit, salla e pikturës, guzhina, kopshtaria etj.

Me mbështetjen e AMSHC, Caritas-i Shqiptar zbatoi një projekt, i cili ndihmoi në krijimin e një rrjeti bashkëpunues midis organizatave të shoqërisë civile që operojnë në fushën e aftësisë së kufizuar, të cilat hartuan një strategji bashkëpunimi për të vazhduar më tej për lobimin mbi të drejtat e PAK.

Në kuadër të këtij projekti u realizuan shumë trajnime dhe shkëmbime përvojash për personelin e qendrave ditore që ofrojnë shërbime në komunitet. I një rëndësie të veçantë ishte dhe hartimi i një raport studimi mbi nevojat e PAK në shoqërinë tonë, i cili u realizua në 6 zona të Shqipërisë.

Një tjetër ndërhyrje po aq e rëndësishme është ajo e programit të gjithëpërfshirjes dhe ofrimit të shanseve të barabarta për PAK në tre zona të Shqipërisë: Vau i Dejës, Laç dhe Elbasan. Gjithashtu nëpërmjet këtij programi përfitojnë edhe stafi arsimor, mjekësor duke marrë pjesë në trajnime të ndryshme. Në fokus kanë qenë edhe takimet periodike me familjarët dhe kujdestarët e përfituesve të projektit. Si pikë e fortë e këtij projekti është nxitja e arsimimit të PAK dhe pranimi i tyre në shkolla normale.

Duke parë suksesin e qendrës ditore në Fushë-Krujë, dhe me mbeshtetjen e disa partnerëve të huaj, u realizua hapja e një qendre të dytë ditore në Shënkoll-Lezhë për të rinjtë me aftësi të kufizuara. Kjo qendër frekuentohet çdo ditë nga 20 të rinj me aftësi të kufizuara mendore dhe 25 persona me aftësi të kufizuara asistohen në banesë nga stafi i qendrës.

Caritas-i Shqiptar, duke i konsideruar jo më persona me aftësi të kufizuara, por me aftësi ndryshe, mendoi që t’i përfshijë ata edhe në jetën social-kulturore. Në lidhje me këtë, me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania u bë e mundur krijimi i trupave të integruara teatrale në 6 zona të Shqipërisë dhe Festivali përmbyllës me performancën më të mirë ku interpretuan persona me aftësi ndryshe dhe të rinj nga shkolla normale.

Në total, çdo vit asisitohen mesatarisht 130 PAK mendore.