Kujdesi në Banesë për të moshuarit është një projekt, i cili synon përmirësimin e cilësisë së jetës së 50 të moshuarve në Tiranë.

Grupi i punës i përbërë nga 1 mjek, 2 infermiere dhe 2 sanitare ofron asistencë mjeksore dhe sociale në banesë për të moshuarit.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve mbështeten në kushtet e tyre shëndetësore dhe social-ekonomike, si psh:

–          Të paralizuar apo të sëmurë kronik, të cilët kanë nevojë të domosdoshme për ndihmë nga jashtë.

–          Të moshuar, të cilët nuk kanë fëmijë ose nuk mbështeten ekonomikisht nga ata.

–          Të moshuar që jetojnë vetëm dhe nuk kanë asnjë mbeshtetje ekonomike.

Ata vizitohen 1-3 herë në javë nga stafi ynë, i cili kujdeset për mirëqenien e tyre fizike, psikologjike dhe emocionale.

Roli i punonjësve shëndetësorë konsiston në: kujdesin ndaj shëndetit të personit duke kryer vizita të përgjithshme mjekësore, shoqërimi në kryerjen e vizitave apo analizave më të specializuara, blerja e medikamenteve në farmaci, mjekimi i plagëve, kontrolli i vazhdueshëm i presionit të gjakut dhe niveleve të diabetit.

Roli i sanitares konsiston në: mirëmbajtjen e mjedisit ku individi jeton, bërja e pazarit, pagesa e faturave të ndryshme, gatimi, etj.

Kjo nismë e Caritas-it Shqiptar e vlerësuar maksimalisht nga ky target grup si dhe nga organizata të shoqërisë civile apo ente të tjera po kthehet gjithashtu në një vatër ku të rinjtë mund të performojnë aftësite e tyre për të qenë solidar, human dhe profesional nëpërmjet punës vullnetare.

Disa nga aktivitetet e organizuara:

–          Takime me vullnetarët për informimin dhe trajnimin e tyre lidhur me shërbimin në banesë për të moshuarit.

–          Takime me organizatat e shoqërisë civile dhe institucione të qeverisjes lokale për angazhimin e përbashkët në përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij target grupi.

–          Aktivitete për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar personat më të varfër në plotësimin e nevojave bazë.

–          Aktivitet argëtuese për të moshuarit.

Duke qenë se mosha e tretë mbetet një nga sfidat madhore të shek XXI, po hartohen çdo ditë e më tepër politika dhe projekte për ta përballur atë me dinjitet. Në këtë kuadër Caritas-i Shqiptar që prej Tetor-it të vitit 2012 është bërë pjesë e rrjetit të organizatave partnere në projektin rajonal “NET-AGE”, nismë e mbështetur nga Programi IPA, Bashkimi Evropian.

 

Projekti NET-Age synon fuqizimin e aftësive zhvillimore të qëndrueshme të rajonit të Adriatikut dhe proceset demografike duke u fokusuar në shërbimet inovative shëndetësore dhe sociale, për të favorizuar moshimin aktiv dhe jetesën e pavarur të moshuarve përmes partneritetit të 14 organizatave pjesëmarrëse të koordinuara nga Rajoni Marche, Njësia e Zbatimit të Planifikimit Social-Departamenti Social dhe Shëndetësor në Itali dhe Qendra Zhvillimore si Sekretariat Teknik, Shoqata e Vullnetarëve Marche, Itali, Qyteti Split, (Kroaci), Shoqata MI (Kroaci), Qarku i Lezhës (Shqipëri), Caritas-i Shqiptar (Shqipëri), Instituti i Shëndetit Publik (Mal i Zi), Shoqata për Prosperitet Demokratik Zid (Mal i Zi), Zyra Rajonale për Siguri Sociale (Serbi), Qendra Humanitare Novi Sad (Serbi), Kanal ob Soci (Slloveni), Shoqata e Federatës së Sllovenisë për Pensionistët – ZDUS (Slloveni), dhe Rajoni Emilia Romagna (Itali). Partner i asocuar i projektit është Qendra Vullnetare Evropiane, Bruksel (Belgjikë).

Në secilin prej vendeve të përmendura, projekti zbatohet nga 2 partnerë – një nga sektori publik dhe një nga shoqëria civile. Projekti financohet nga Programi IPA bashkëpunimi ndërkufitar Adriatik dhe do të zgjasë deri në Maj 2015.

Projekti synon që në përfundim të tij, të përmbushen katër qëllime të rëndësishme:

  1. Përmirësimi i koordinimit midis grupeve private (OJF dhe grupet vullnetare) dhe publike të interesit për kalimin e pengesava në fushën e asistencës për të moshuarit, duke inkurajuar punën në partneritet në nivel lokal dhe rajonal;
  2. Rritja e qëndrueshmërisë së sistemeve social-shëndetësore për të mbajtur në balancë cilësinë e shërbimeve, nivelin e arsyeshëm të shpenzimeve dhe akses të barabartë;
  3. Promovimi i Metodës së Hapur të Koordinimit (MHC) si qasje e re në përcaktimin dhe programimin e politikave social-shëndetësore;
  4. Rritja e mbështetja e zhvillimit të kapaciteteve, kompetencave dhe aftësive të institucioneve publike dhe stafit vullnetar nëpërmjet investimeve në kapitalin njerëzor, inkurajimit të lëvizshmërisë së rrjetit, shkëmbimit të stafeve, dhe seancave të përbashkëta të trajnimit.

Disa nga aktivitetet e organizuara:

  1. Takime  të brendshme ndërmjet partnerëve;
  2. Hartëzimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore;
  3. Analizë Swot në nivel lokal dhe rajonal të shërbimeve sociale dhe shëndetësore për të moshuarit;
  4. Aktivitete me qëllim promovimin dhe rritjen e vizibilitetit të projektit NET-Age, si pjesëmarrje në emisione televizive, publikime të artikujve informues etj.

Nëpërmjet aktiviteteve synohet ndryshimi i perceptimit mbi moshën e tretë apo edhe të katërt në mënyrë që të mos shihen si grup i margjinalizuar nga pikpamja sociale, por si një grup social me peshë në shoqërinë shqiptare.