Organizatat Caritas anë e mbarë botës po marrin pjesë në një “Javë Veprimi” nga 12-19 Tetor për të zhdukur varfërinë deri në 2025.

Momentet kryesore të kësaj jave përfshijnë një video mesazh nga Papa Françesku, i cili u bën thirrje katolikëve t’i bashkohen fushatës së Caritas “Një familje njerëzore, Ushqim për të gjithë”.

“Inkurajoj besimtarët të marrin pjesë në fushatën e Caritas-it’ “Ushqim për të gjithë” dhe të ngrenë një zë kundër urisë, veçanërisht gjatë Javës së Veprimit,” tha Papa në mesazhin e tij.

Është fushata e parë globale e ndërmarrë nga 160 Caritas-e Kombëtare, të cilat kanë deklaruar se dhënia fund e urisë botërore është prioriteti i tyre.

Në mesazhin e tij drejtuar mbështetësve të Caritas-it, Papa Françesku tha, “Isha i uritur dhe më dhatë të ha.’ Fjalët e Zotit tonë vijnë tek ne sot, duke na treguar të mos largohemi, indiferentë, kur e dimë se i afërmi ynë është i uritur.”

Aktivitetet e Caritas-it do të zhvillohen në mbi 50 shtete anembarë botës. Ato përfshijnë ngjarje në mbështetje të fermerëve të varfër, veprime kundër ligjeve të padrejta që dëmtojnë më të vegjëlit, dhe familje që bashkëndajnë përvojën e tyre të ushqimit në tryezë.

Një qëllim i fushatës është presioni mbi qeveritë për të siguruar të drejtat e fermerëve, veçanërisht grave, të cilat janë të mbështetura në ligj, që t’i jepet fund spekullimeve të ushqimit, dhe që ka rrjete të përshtatshme të sigurta për të luftuar kequshqyerjen e fëmijëve.

Sekretari i Përgjithshëm i Caritas-it Ndërkombëtar Michel Roy tha, “Konfederata Caritas është duke folur me një zë të qartë, të unifikuar në çdo cep të botës: është një skandal që 800 milion njerëz shkojnë të flenë pa ushqim të mjaftueshëm, ne i kemi mjetet për të zhdukur urinë në 2025, le të veprojmë tani.”

Pikat kryesore

  • Në Malavi, Afrikë, Caritas-i do t’u çojë mesazhe udhëheqësve të qeverive rreth ndryshimeve ligjore që do të ndihmojnë fermerët.
  • Caritas Pakistan po zhvillon një garë gatimi për gratë të cilat kanë ushqimet e tyre që i kanë rritur si pjesë e programeve Caritas.
  • Në Sri Lanka, famullitë do të realizojnë një darkë për të varfërit.
  • Dioqezat në Panama do të takohen me qeverinë për të diskutuar mbi të drejtën për ushqim.
  • Në Japoni, Caritas-i ka drejtuar një program që lufton humbjen e ushqimit në shtëpi ndërsa ndihmon fermerët në Afrikën Lindore për të blerë farën.
  • Në Kanada, katolikët janë nxitur të firmosin një peticion për të mbështetur të drejtat e familjeve të vogla të fermerëve për të përdorur, ruajtur, dhe për të shkëmbyer farat me njëri-tjetrin.
  • Në Itali, Qipro dhe Bangladesh, Caritas-i do të jetë pjesë e një marshimi.

Fushata e Caritas-it “Një familje njerëzore, Ushqim për të Gjithë” u lançua nga Papa Françesku në Dhjetor 2013 dhe do të vazhdojë deri në Majin e ardhshëm.