14 TETOR 2014

Në kuadër të fushatës “Një familje njerëzore, ushqim për të gjithë” organizatat Caritas anë e mbarë botës po marrin pjesë në një“Javë Veprimi” në datat 12-19 Tetor për të zhdukur varfërinë deri në 2025. Fushata e Caritas-it “Një familje njerëzore, Ushqim për të Gjithë” u shpall nga Papa Françesku në Dhjetor 2013 dhe do të vazhdojë deri në muajin Maj 2015.

caritas01Edhe Caritas Shqiptar, si pjesë përbërëse e 160 organizatave Caritas kudo në botë, organizoi me këtë rast një aktivitet në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve dhe shumë përfituesve të Caritas-it në Shqipëri.

Në qendër të këtij aktiviteti ishte Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga Presidenti i Caritas-it Shqiptar, Sh. T. Imzot George Frendo. Në fjalën e tij, Imzot Frendo theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit të dashurisë.  Të duam të afërmin porsi vetveten, të bashkëndajmë të mirat tokësore, sepse të gjithë kanë të drejtë të ushqehen, të gjithë kanë të drejtë të jetojnë një jetë dinjitoze. Është detyra jonë në radhë të parë si besimtarë në Zotin dhe së dyti si punonjës në një shoqatë siç është Caritas-i të mendojmë për më të vegjlit dhe më të përjashtuarit.  Gjithashtu Imzot Frendo falënderoi të gjithë të pranishmit duke u kujtuar se kështu të bashkuar tregojmë se jemi me të vërtetë kisha e Zotit që do të afërmin dhe i nxiti të gjithë të ndjejnë përgjegjësi për atë që ka nevojë. Pas kremtimit të meshës pjesëmarrësit në këtë aktivitet patën mundësi të njiheshin me dy mesazhet e Papa Françeskut shpallur me rastin e kësaj fushate si dhe mesazhin e Kardinalit Oscar Rodriguez Maradiaga, Presidenti i Caritas Internationalis.

“Inkurajoj besimtarët të marrin pjesë në fushatën e Caritas-it’ “Ushqim për të gjithë” dhe të ngrenë zërin kundër urisë, veçanërisht gjatë Javës së Veprimit,” tha Papa në mesazhin e tij të fundit drejtuar mbarë katolikëve kudo në botë.

Në këtë mesazh drejtuar mbështetësve të Caritas-it, Papa Françesku tha, “Isha i uritur dhe më dhatë të ha. Fjalët e Zotit tonë vijnë tek ne sot, duke na treguar të mos largohemi indiferentë, kur e dimë se i afërmi ynë është i uritur.”Gjithashtu u shfaq një video ku përmblidhej puna bamirëse e Caritas-it Kombëtar së bashku me Caritas-et Dioqezane.

Në përmbledhje të këtij takimi përshëndeti Imzot George Frendo, President i Caritas-it dhe Znj. Elona Memetaj, Nëndrejtoresha e Caritas-it Shqiptar. Para se pjesëmarrësit të largoheshin, të gjithë bashkëndamë një vakt të lehtë ushqimor.