“Trafikimi i Personave është një plagë, një plagë në trupin e njerëzimit, një plagë në trupin e Krishtit. Trafikimi është krim ndaj njerëzimit!

Papa Françesku

Kjo ditë shërben për të sjellë në vëmendje të vendimarrësve, shoqërisë civile, agjensive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur jo vetëm shoqërinë shqiptare, por edhe mbarë botën. Rreth 27 milion persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.

Shqipëria konsiderohet vend origjine sipas raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan mbi viktimat e trafikimit. Viktimat shqiptare trafikohen për qëllime shfrytëzimi në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Hollandë, Gjermani, Irlandë, Zvicër dhe Angli. Vetëm pak ditë më parë BBC raportoi që numri më i madh i femrave të trafikuara në Angli vinte nga Shqiperia.

Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi. Shfrytëzimi përfshin, së paku, shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose format e tjera të shfrytëzimit seksual, punën ose shërbimet e detyruara, skllavërinë ose praktikat e ngjashme me skllavërinë, heqjen e organeve ose servitudet”  (Neni 3. (a) i Protokollit të Palermos)[1], brenda apo jashtë vendit.

Caritas Shqiptar prej më shumë se 10 vitesh punon në bashkëpunim me Caritas-et Dioqezane, organizata dhe institucione shtetërore për të eliminuar këtë dukuri. Duke u nisur nga thirrja e Papa françeskut dhe nga misioni i çdo Caritas-i në botë të gjithë ne vazhdojmë të angazhohemi në këtë sfidë të shekullit tonë.  Kjo është një çështje që kërkon një aksion të menjëhershëm, shumë të vendosur dhe të orientuar nga rezultatet, duke i dhënë përparësi parandalimit të kësaj dukurie, mbrojtjes së viktimave dhe rritjes së efektivitetit të institucioneve, shoqërisë civile dhe të çdo segmenti përkatës në gjithë zinxhirin kundër trafikimit. Vetëm duke punuar së bashku ne nuk mund të ndihemi të dobët përballë kësaj dukurie.

Prandaj sot në këtë ditë të kujtojmë të gjitha viktimat e trafikimit, të cilat janë shfrytëzuar dhe trafikuar si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit. Të sjellim në vëmendje punën që bën secili nga ne për të luftuar trafikimin. Të ngremë zërin për çdo rast shfrytëzimi apo abuzimi dhe së bashku të ndihmojmë këdo që ndodhet në rrezik.



[1] Protokolli i OKB për Parandalimin, goditjen dhe ndëshkimin e trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos grave dhe fëmijëve, në mbështetje të Konventës së OKB kundër Krimit të Organizuar trans-nacional (2000), [Neni 3 (a)]; si dhe Neni 110.a dhe Neni 114.b i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë