“Të jesh aktiv – pa barriera” është projekti ri që ka filluar të zbatohet nga Caritas-i Shqiptar financuar nga Agjencia Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Caritas-i Austriak për periudhën Shtator 2014-Gusht 2017. Caritas-i Austriak dhe Caritas-i Shqiptar kanë një partneritet të gjatë dhe të qëndrueshëm ndër vite.

Nisma për këtë projekt është shprehur nga Caritas-i Shqiptar duke u bazuar edhe në projektet e mëparshme të cilat janë zbatuar për personat me aftësi të kufizuar që nga viti 2008. Caritas-i Shqiptar ka një përvojë disa vjeçare në shërbimet për personat me aftësi të kufizuar. Të dy caritas-et vendosën ta vazhdonin bashkëpunimin në shërbim të personave me aftësi të kufizuar dhe zbatimin e të drejtave të tyre, bazuar në Konventen e OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Planifikimi i këtij projekti është realizuar së bashku me përfshirjen e organizatave lokale dhe ekspertë. Gjithashtu në këtë planifikim është përfshirë edhe një ekspert mbi përfshirjen sociale nga Caritas-i Austriak.
Ky projekt do të zbatohet në tre zona: Laç, Lezhë dhe Vau i Dejës.
Projekti ka si qëllim përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në zonat e mësipërme nëpërmjet ofrimit të shërbimit dhe fuqizimit në nivel individual dhe lidhjen me organizatat publike dhe private në nivel komuniteti për të krijuar një mjedis më mbështetës dhe më inkurajues për PAK. Projekti synon edhe hartimin dhe zbatimin e programeve të ndërgjegjësimit të komunitetit mbi organizatat që aktualisht operojnë me mbështetjen e programeve për personat me aftësi të kufizuara brenda komunitetit. Gjithashtu projekti synon të nxisë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Më tej do të ndihmojë këta persona të jenë më të pranishëm dhe të përfaqësohen në shoqëri. Projekti do t’u sigurojë personave akses në informacione për aftësinë e kufizuar, por gjithashtu edhe familjarëve, qendrave shëndetësore dhe anëtarëve të komunitetit. Do të shpallë edhe nisma për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Përfituesit e këtij projekti do të jenë personat me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore, familjarët dhe të afërmit e tyre, ofruesit e shërbimeve për këtë kategori si dhe autoritetet lokale dhe vullnetarët që ofrojnë shërbime të tilla.