3 dhjetor 2014

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara është një mundësi më shumë për të rritur më tej ndërgjegjësimin e shoqërisë civile për aftësinë e kufizuar dhe aksesin si çështje kryesore e zhvillimit, për të hequr të gjitha llojet e pengesave, dhe për të realizuar plotësisht dhe në mënyrë të barabartë pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe për të modeluar të ardhmen e zhvillimit për të gjithë. Për të realizuar barazinë dhe pjesëmarrjen për personat me aftësi të kufizuar, ata duhet të përfshihen në të gjitha proçeset e zhvillimit.
Më 3 dhjetor 2014, në kuadër të kësaj dite, Caritas-i Shqiptar zhvilloi aktivitete në zonat e zbatimit të projektit: Laç, Lezhë dhe Vau i Dejës. Duke marrë shkas nga kjo ditë e veçantë për PAK, u mundësua prezantimi i projektit “Të jesh aktiv pa barriera” projekti ri që ka filluar të zbatohet nga Caritas-i Shqiptar financuar nga Agjencia Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Caritas-i Austriak për periudhën Shtator 2014-Gusht 2017.
Në takimin e zhvilluar në Vau Dejës, morën pjesë punonjës të bashkisë, vullnetarë, persona me aftësi të kufizuar si dhe anëtarë të stafit të zbatimit të projektit. Pas prezantimit të projektit të ri pjesëmarrësit diskutuan mbi përvojat e tyre dhe situatën e PAK në këtë zonë. Gjithashtu ata drejtuan shumë pyetje në lidhje me projektin dhe vazhdimësinë e tij edhe në të ardhmen. Ishte shumë interesante pjesëmarrja dhe ndërhyrja e punonjëseve të bashkisë të cilët e mbështetën dhe e përgëzuan këtë nismë të Caritas-it dhe premtuan bashkëpunim të ngushtë nga ana e bashkisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar.
aftesi_e_kufizuar02Edhe në takimin e zhvilluar në Laç me rastin e Ditës Ndërkombëtare të PAK u bë prezantimi i projektit “Të jesh aktiv dhe pa barriera”. Në këtë takim morën pjesë 36 persona, përfaqësues nga World-Vision, shoqata “Dora e ngrohtë”, “Fjala e Jetës”, Tetra-paraplegjikëve, Bashkia Laç, DSHP Laç, Klasa Speciale, familjarë, kujdestarë dhe PAK. Pjesmarrësit shprehën optimizëm për këtë projekt dhe u treguan të gatshëm për një bashkëpunim sa me produktiv. Takimi u hap nga Frat Gjon Kalaj, Famullitari i Kishës së “Shën Mhillit” Laç. Në fjalën e tij përshëndetëse ai u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen, i dha bekimin e tij projektit dhe prezantoi stafin e projektit. Gjatë fjalimit të tij ai shprehi gatishmërinë e tij të plotë dhe dëshirën për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë pjesëmarrësit. Gjithashtu ai i ftoi të pranishmit të jenë pjesë e një aktiviteti që do të organizohet më 23.12.2014 tek Kisha e “Shna Ndout” Laç. Ky aktivitet konsiston në promovimin e punimeve të realizuara nga vetë PAK të Qendrës “Arameras” Fushë-Krujë si dhe të PAK Kurbin. Të gjitha të ardhurat që do të grumbullohen do të shkojnë për vetë personat me aftësi të kufizuar. Në vazhdim punonjësja sociale e projektit Znj. Majlinda Vukaj bëri një prezantim të përgjithshëm të projektit si dhe të punës së bërë për tre muajt e parë të projektit. Gjithashtu koordinatorja Znj. Gentiola Thanaj prezantoi planin e aktiviteteve për tre mujorin e dyte të projektit dhe mënyrën e zbatimit të këtij projekti duke angazhuar të gjithë pjesëtarët e përfshirë në të. Në fund të takimit u organizua një kokteil i ofruar nga famullitari i Laçit.
Ndërsa stafi i projektit në Lezhë mori pjesë në një aktivitetit të organizuar nga Qendra e Zhvillimit Ditor, Lezhë në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë. Aktviteti u zhvillua në mjediset e Bibliotekës së Lezhës. Thelbi i aktivitetit ishte promovimi i aftësive krijuese të personave me aftësi të kufizuara. Aktiviteti kishte natyrën e një “Panairi me punime të ndryshme me mjete te ricikluara”. Pjesëmarrja ishte e gjerë me përfaqësues institucionesh, organizatash, vullnetarë, familjarë të PAK. Aktiviteti u hap me fjalimin e Kryetarit të Bashkisë Z. Viktor Tusha. Më pas fjala përshëndetëse i kaloi Drejtorit të Arsimit Lezhë Z. Bardhok Pulaj dhe Drejtoresha e QZHD Znj. Alma Jaku. Pas fjalës se tyre, stafi i projektit ne Lezhë patën mundësinë e prezantimit të projektit “Të jesh aktiv-pa barriera”. Prezantimi u mundësua nga kordinatori i projektit për zonën e Lezhës, Z. Marin Nikolla së bashku me ekspertin ligjor Z.Stefan Paloka. Mediat lokale ishin të pranishme dhe i gjithë prezantimi është transmetuar në televizionet lokale. Projekti u prit shumë mirë nga pjesëmarrësit. Pas prezantimit stafi pati takime individuale ku të pranishmit shprehën interes rreth projektit dhe vendbatimit të tij. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 100 persona.