Me datë 14 dhjetor 2014, Caritas-i Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizuan në TKOB Koncertin e Bamirësisë nën moton “Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, por sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë”. Artistët me famë botërore Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa dhe Richard Barker, të cilët pa hezituar iu përgjigjën ftesës së Caritas-it për realizimin e këtij koncerti, dhanë një ndihmesë të shkëlqyer për fëmijët me aftësi të kufizuar të Qendrës Ditore të Caritas-it Shqiptar “Jetë në zhvillim” në Arrameras, Fushë – Krujë, pasi e gjithë shuma e mbledhur nga shitja e këtyre biletave do të kalojë në ndihmë të këtyre personave që frekuentojnë këtë qendër.
Caritas-i Shqiptar, i njohur në Shqipëri për veprimtarinë e gjerë në ndihmë të grupeve në nevojë dhe të gjithë atyre që janë lënë mënjanë apo harruar, gjatë këtyre 20 viteteve të fundit, ka ofruar ndihmesë e kontribut të gjerë përmes zbatimit të programeve mbështetëse duke patur si frymëzim barazinë dhe drejtësinë sociale. Organizata jonë, prej vitesh po zbaton një program me impakt të shumëfishtë në ndihmë të procesit të integrimit dhe përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara, si një grup shoqëror që akoma sot vazhdon të ketë karakteristika dhe nevoja komplekse.
Në këtë koncert bamirësie morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro, ambasadorë, deputetë, përfaqësues të medias, artit dhe shoqërisë civile, etj.
Në fillim të eventit ishte mjaft emocionues interpretimi i Himnit Kombëtar nga dy artistët, të cilët u shoqëruan nga publiku. Pas këtij interpretimi kaq entuziast mori fjalën Drejtori i Caritas-it Shqiptar Z. Albert Nikolla, i cili përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre si dhe falënderoi artistët që mbështetën me talentin e tyre këtë nismë të Caritas-it Shqiptar në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu Z. Nikolla një falënderim të veçantë u drejtoi edhe bizneseve dhe donatorëve të cilët, me kontributet e tyre, mbështesin vazhdimësinë e veprimtarisë së Caritas-it Shqiptar.
Në vazhdim Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi artistët e mirënjohur për kontributin e tyre në këtë solidaritet bamirësie. “Solidariteti duhet mësuar dhe edukuar, ndërsa fëmijët me aftësi të kufizuar do të marrin sonte pak dashuri nga shoqëria shqiptare”- u shpreh ajo. Dy artistë shqiptarë të suksesshëm në skenat botërorë dhe të shoqëruar nga pianisti Richard Baker sollën plot emocione me koncertin e tyre.