Caritas-i Shqiptar që prej 2012 po zbaton projektin “Kujdesi në banesë” për të moshuarit në Tiranë.  Aktualisht janë 60 të moshuar, të cilët marrin kujdes infermieror dhe sanitar nga e Hëna në të Premte nëpërmjet grupit të punës të përbërë nga 2 infermiere dhe 2 sanitare.  Personave të cilëve u ofrohet ky shërbim janë të moshuar të cilët kanë probleme shëndetësore, financiare dhe jetojnë vetëm. Shërbimi ofrohet në përputhje me nevojat specifike të individëve të vecantë; disa prej tyre marrin vetëm shërbim shëndetësor dhe të tjerë atë sanitar. Gjatë periudhës 3 vjeçare veç shërbimit në banesë janë zhvilluar aktivitete të ndryshme në kuadër të përmirësimit të cilësisë së jetës së të moshuarve, ndër të cilat përmendim:

  • Aktivizimi i vullnetarëve për shërbim në banesë si dhe për zbutjen e izolimit të tyre social;
  • Trajnimi i stafit dhe vullnetarëve për një shërbim sa më cilësor dhe profesional;
  • Organizimi i takimeve të vazhdueshme me shoqata dhe institucione, të cilat kanë në fokus të tyre çështjet e moshimit;
  • Organizimi i aktiviteteve kulturore dhe turistike për të moshuarit, të cilët janë në kushte më të mira shëndetësore;
  • Takime me bizneset për mbështetjen ekonomike të personave që jetojnë në kushte ekstreme.

temoshuarit02Caritas-i Shqiptar ndër vite ka ofruar shërbimin në banesë sidomos atë shëndetësor nëpërmjet misionarëve të tij në zonat më të margjinalizuara, por ky projekt i cili po zbatohet vetëm në Tiranë është i pari i këtij lloji. Shërbimet e tjera në banesë janë të fokusuar më së shumti në rastet e të sëmurëve terminal.

Nga vëzhgimet në terren është vënë re që numri i të moshuarve, të cilët po braktisen në fatin e pensioneve të tyre qesharake po rritet dita ditës dhe rrjedhimisht po rritet numri i personave të cilët do të kenë nevojë të domosdoshme për një shërbim të tillë.

Një faktor tjetër, i cili shpreh domosdoshmërinë gjithnjë në rritje të shërbimit në banesë për të moshuarit është edhe mungesa e qendrave rezidenciale të cilat janë me kapacitete shumë të limituara.

Caritas-i Shqiptar duke parë nevojën në rritje dhe nga ana tjetër numrin e madh të të rinjve që mund të angazhohen në vullnetarizëm, po punon në zgjerimin e këtij shërbimi duke rritur numrin e përfituesve edhe në zonat rurale.