Zyra e Koordinatorit Kombëtar Anti-Trafik në bashkëpunim me Caritas-in Shqiptar, gjatë muajve shkurt dhe mars 2015 kanë zhvilluar workshop-e një ditore në 4 qarqet pilot të Shqipërisë: Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Durrës në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave në Shqipëri”, financuar nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS.

KukesQëllimi i workshop-eve ishte prezantimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për luftën kundër trafikimit të personave 2014-2017 si dhe Draftimi i Planit Rajonal të Veprimit Anti-Trafikim.

Pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve anëtare të Komiteteve Rajonale Anti Trafikim (KRAT) dhe Tryezave Teknike Anti Trafik hartuan plane të detajuar në përputhje me zbatimin e objektivave të Strategjisë Kombëtare dhe nevojave të identifikuara në secilin qark.

Në vijim, pjesëmarrësit identifikuan dhe përcaktuan detyrat dhe përgjegjësitë për secilin institucion në zbatim të planit rajonal Anti-Trafik.

Në këto aktivitete morën pjesë: Znj. Elona Gjebrea, Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, Z. Roland Xhelili, Prefekti i Qarkut Durrës, Z. Safet Gjici, Prefekti i Qarkut Kukës dhe përfaqësues nga institucione të tjera vendore si Shërbimi Informativ, Policia e Qarkut, Policia e Kufirit dhe Migracionit, Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoria e Shëndetit Publik, Drejtoria Arsimore, Zyra Rajonale e Punësimit dhe anëtarë të tjerë të Komiteteve Rajonale Anti-Trafik dhe Tryezave Teknike Anti-Trafik.

DurresPlanet e hartuara përfshijnë objektiva, aktivitete, tregues monitorimi, afate kohore dhe informacione të tjera mbi përgjegjësitë e secilit institucion në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke u bazuar në katër shtyllat e Strategjisë Kombëtare: Ndjekja Penale, Mbrojtja, Bashkërendenimi dhe Parandalimi.

Disa nga objektivat e planeve lidhen me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore anëtarë të Komiteteve Rajonale me qëllim përmirësimin e veprimeve anti-trafikim si; Sigurim i asistencës ligjore për viktimat e trafikimit dhe viktimat e mundshme të trafikimit (VT/VMT); Ngritja e kapaciteteve të punonjësve të institucioneve publike në zbatimin e planit rajonal anti trafikim dhe përgjegjësive të tyre në mbrojtje të VT/VMT; Fuqizimi ekonomik i VT/VMT nëpërmjet integrimit të tyre në tregun e punës; Sensibilizimi i publikut për rëndësinë, rrezikun dhe mbrojtjen ndaj trafikimit të qenieve njerëzore etj.

ShkoderPër herë të parë në këto takime të këtyre mekanizmave u promovua dhe pjesëmarrja e fëmijëve në vendime që u përkasin. Fëmijët ofruan sugjerime dhe rekomandime për hartimin e planit rajonal anti-trafik duke u fokusuar në shtyllën e parandalimit dhe rolin që vetë ata duhet të ndërmarrin për të kontribuar në parandalimin e trafikimit në Shqipëri.