“Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, po sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë”

Të ardhurat e mbledhura nga Koncerti i Bamirësisë “Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, po sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë” me mbështetjen e Sopranos me famë botërore Ermonela Jaho, Bariton Gëzim Myshketa dhe Maestro Concertatore al Pianoforte Richard Barker mundësuan blerjen e pajisjeve për zhvillimin e aktiviteteve të reja në Qendrën e Kujdesit Ditor, Fushë Krujë.

Blerja e pajisjeve për Sallën e Informatikës
Salla e informatikës frekuentohet nga 4 të rinj me aftësi të kufizuar mendore, dhe kjo sallë u kompletua me 4 kompjutera të rinj, katër tavolina të reja si dhe karrige. Ky investim mundëson rritjen e njohurive të të rinvje në përdorimin e teknologjisë informuese.

Blerja e pajisjeve për Terapinë e Kopshtarisë
Këto pajisje shërbejnë për të përmirësuar terapinë e kopshtarisë dhe për të fuqizuar të rinjtë në aktivitetet prodhuese. Vlen të theksohet se një pjesë e të rinjve banojnë në zona rurale dhe përfshirja dhe aftësimi në aktivitete të kopshtarisë do të ndihmojë të rinjtë në aktivizimin e tyre.

Blerja e materialeve didaktike
Një pjesë e këtij fondi është shpenzuar për blerjen e materialeve didaktike për sallën e studimit. Duhet theksuar se kjo sallë frekuentohet nga më shumë se 10 fëmijë në moshë shkollore, por që nuk kanë frekuentuar kurrë shkollën dhe ka qenë kërkesa e prindërve që ata të pajisen me njohuritë bazë të munguara. Materialet didaktike janë një ndihmesë në rritjen e cilësisë së procesit të edukimit të fëmijëve.

Blerja e Pajisjes së Plastifikimit dhe materialeve për Laboratorin e Dekupazhit
Çdo ditë në këtë qendër një grup ndjekin kursin e dekupazhit, si një aktivitet terapeutik dhe aftësues të orientuar kryesisht në zhvillimin e punimeve artizanale. Ndër punimet janë edhe kartolinat, të cilat, të punuara me shumë kujdes nga të rinjtë adresojnë një mesazh për solidaritet dhe mbështetje e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në komunitet. Është blerë Pajisja e Plastifikimit, e cila do të rrisë cilësinë e realizimit të punimeve nga grupi i punës.

NISMA TË REJA

Blerja e pajisjve për kursin e kuzhinës

Por, stafi i qendrës ka menduar që përveç aktiviteteve aktuale që zhvillohen në qendër të inserojë edhe aktivitete të tjera të reja që do të ndihmojnë në zhvillimin dhe integrimin e këtyre personave. Qendra po orientohet drejt organizimit të kurseve dhe edukimit profesional, si mundësi për të rritur shanset për punësim e këtyre të rinjve me aftësi të kufizuar mendore. Janë blerë pajisje dhe produkte të konsumit për kursin e Kuzhinës. Ky kurs do të nxisë përfshirjen e disa të rinjve që kanë shfaqur interes në artin e kuzhinës.

Mbulimi i kostove për organizimin e panaireve dhe aktiviteteve jashtë qendrës

Gjithashtu qendra organizon panaire dhe aktivitete jashtë mjediseve të qendrës. Personeli i qendrës ka menduar të përdorë një pjesë të këtyre fondeve për mbulimin e kostove të këtyre aktiviteteve, të cilat synojnë ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me vlerat dhe kapacitetet e fëmijëve dhe të rinjve. Këto aktivitete janë shumë të rëndësishme, sepse ndihmojnë në eliminimin e diskriminimit ndaj tyre si dhe në përfshirjen e tyre sociale.

Blerja e materialeve shtëpiake për dy familje në nevojë
Por, aktivitetet në qendër zhvillohen në një bashkëpunim të ngushtë me familjet e këtyre personave dhe ky bashkëpunim ka mundësuar njohjen me situatën ekonomike dhe sociale të familjarëve të personave që frekuentojnë qendrën ditore. Stafi i qendrës ka vlerësuar situatën e dy prej familjeve të rinjve që frekuentojnë qendrën. Për këto dy familje janë blerë krevatë, tavolina, karrige, pajisje kuzhine. Banesat e tyre kanë patur nevojë urgjente për të ndërhyrë, pasi janë dy familje që jetojnë nën minimumin jetik dhe në kushte aspak normale.

Caritas-i Shqiptar falënderon Sopranon me famë botërore Ermonela Jaho, Bariton Gëzim Myshketa dhe Maestro Concertatore al Pianoforte Richard Barker për solidaritetin dhe dashurinë e dhuruar personave me aftësi të kufizuar dhe për shembullin pozitiv të bamirësisë në realitetin ku jetojmë.