Më datë 18 Prill 2015 në mjediset e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” u mbajt Asambleja Kombëtare e Caritas-it Shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Caritas-it Dioqezan Sapë, Z.Nikolin Lekaj, njëkohësisht edhe moderator i kësaj Asambleje, falënderoi të pranishmit dhe u uroi mirëseardhjen Zv. Presidentit të Konferencës Ipeshkvore Sh.T. Imzot Lucjan Avgustini, Sh.T.Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës, Sh.T.Imzot George Frendo, President i Caritas-it Shqiptar, Z. Albert Nikolla, Drejtor i Caritas-it Shqiptar, të gjithë drejtorëve dioqezanë, rregulltarëve dhe rregulltarëve, punonjësve të Caritas-it, vullnetarëve dhe të gjithë të pranishmve të tjerë.
“Kemi menduar të organizojmë këtë Asamble Kombëtare të Caritas-it në mënyrë që të shohim pak a shumë veprimtarinë e rrjetit Caritas në Shqipëri dhe të pasurohemi me përvojat e mira të njëri-tjetrit. Caritas-i në Shqipëri punon shumë dhe prej vitesh, theksoi Z. Lekaj në fjalën e tij, por realitetet në dioqezat tona janë të ndryshme. Është hera e parë që realizohet kjo asamble dhe kjo ditë pune do të na ndihmojë të shkëmbjemë vlerat, dhuratat me njëri tjetrin që ne kemi në dioqezat tona”. Në fjalën e tij përshëndetëse Sh.T. Imzot Lucjan Avgustini, Zv/President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë theksoi se duke bërë një analizë të thellë të punës sonë deri tani mund të shohim me qartësi drejt së ardhmes, si dhe ku mund të veprojmë. Është një detyrë e shenjtë të jesh në shërbim të njerëzve në nevojë, shtresave të ndryshme, qoftë ata të varfër, qoftë ata të sëmurë, qoftë persona me aftësi ndryshe, është një shërbim që Jezu Krishti që prej fillimit na e ka lënë si porosi: Çkado që ju bëni e bëni për mua”. Sh.T. Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës i përcolli një falënderim të veçantë Caritas-it Shqiptar për të gjitha shërbimet që ofron në Lezhë prej vitesh. “Duhet theksuar se numri i personave që vijnë tek ne gjatë këtyre viteve është rritur shumë. Varfëria rritet, të varfërit janë shumë. Kemi për detyrë të jemi pranë atyre që kanë nevojë për ndihmë. Mos të themi se nuk na takon neve, por shteti duhet të mendojë. Ne si Kishë duhet të jemi pranë atyre për t’i ndihmuar ashtu siç na porositi Jezu Krishti”, theksoi Imzot Vitale. Këtë Asamble e përshëndeti edhe Sh.T.Imzot George Frendo, President i Caritas-it Shqiptar. Në fjalën e tij Imzot Frendo dëshiroi të theksonte shpirtin me të cilin duhet të kryhet kjo veprimtari e Caritas-it. “Caritas përkthehet në shqip dashuri. Kur flasim për dashuri të krishterë atëherë ka një domethënie të veçantë. Kur bëhemi shërbëtorë të dashurisë, kjo na jep një dinjitet të veçantë, na bën më të afërt me atë, i cili erdhi jo për të qenë shërbyer, por për të shërbyer. Dashuria e krishterë është komunikim, nuk është thjesht tolerancë; komunikim që domethënë e pranoj tjetrin dhe ndaj jetën time me të. Gjithashtu dashuria e krishterë është solidaritet i veçantë, sepse është frymëzuar jo nga simptatia, por nga imazhi i Krishtit që shohim tek tjetri. Por, dashuria e krishterë është edhe kurajo. Sepse nëpërmjet kryqit ne arrijmë dritën. Kryqi është kurajo e dashurisë që nuk ka frikë të hedhë hapin e parë. Shpeshherë ne presim që tjetri të na afrojë, por dashuria guxon të hedhë hapin e parë. Edhe ne duhet të gjejmë guximin të hedhim hapin e parë drejt të varfërve. Dashuria e krishterë tregon kurajon e saj edhe duke falur, ai që fal e bën jo sepse është frikacak, por sepse është i fortë. Dashuria e krishterë është edhe gëzim, një gëzim që shprehet edhe në buzëqeshjen tonë. Jepni një buzëqeshje të madhe, sepse buzëqeshja është një rreze drite nga fytyra e Zotit dhe të buzëqeshësh do të thotë të shohësh të tjerët me sytë e Zotit; sytë e Zotit që janë gjithmonë të pastër, pa asnjë paragjykim. Kjo është dashuria që sjell gëzim të vërtetë. Lum ai që jep me gëzim. Kur Zoti na jep një mundësi për të bërë vepra bamirësie në emër të Caritas-it, të tregohemi mirënjohës ndaj Zotit, sepse ka përdorur gjuhën tonë, duart tona, zemrat tona”. Ndërsa drejtori i Caritas-it Shqiptar Dr. Albert Nikolla u përcolli të pranishmëve Planin Strategjik të Caritas-it për periudhën kohore 2015-2017. Ai përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe bëri një përmbledhje të punës së tij si drejtues i këtij institucioni prej 8 vitesh. Një falënderim të veçantë theksoi Z. Nikolla për të gjithë kolegët që e kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve me një përkushtim të jashtëzakonshëm, por në veçanti udhëheqja shpirtërore e Imzot George Frendos si President i Caritasit ka qenë thelbësore në punën e tij. “Është krijuar një ide e gabuar që Caritas-i është një organizatë e fuqishme dhe nuk konceptohet nga njerëzit që Caritas-i të kërkojë fonde. Caritas-i është vetëm për të dhënë. Duhet një punë e madhe si nga ana e Caritas-it Kombëtar ashtu edhe nga ana e Caritas-eve dioqezane për të ndryshuar këtë vulë kulturore që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për ndërtimin e strategjisë së Caritas-it kemi patur parasysh grupin e punës që është ngritur në Caritas-n Ndërkombëtar dhe në Caritas-in Evropian për hartimin e planeve strategjike. Duke qenë se Kisha Katolike ka një strukturë unike, gjithë veprimtaria e Caritas-it ka për bazë modelin që vjen nga Caritas-i Ndërkombëtar dhe ai Evropian, për rrjedhojë vizioni i Caritas-it Shqiptar në këtë aspekt të hartimit të Planit Strategjik për vitet e ardhshme i referohet pikave të përbashkëta që udhëzohen nga Caritas-i Ndërkombëtar: qytetërimi i dashurisë që zhvillohet, të mirat e përbashkëta mbi interesat personale, solidariteti, drejtësia, liria dhe paqja nxiten, mbështeten. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e çdo fëmije, gruaje dhe burri mbrohen dhe respektohen. Personat në situata të vështira inkurajohen të vetëforcohen. Caritas-i punon në një kontekst shumë kulturor, shumë fetar, për këtë arsye vetë aktivitetet e zbatuara nga Caritas-i synojnë të përmirësojnë jetën në komunitetin ku ndërhyn duke respektuar kulturën e tij. Lind çështja: Çfarë do të bëjë Caritas-i në të ardhmen? Pra, çfarë do të jetë Caritas-i në të ardhmen në aspektin strategjik dhe në aspektin e identitetit? Cili do të jetë identiteti i Caritas-it Shqiptar? Sfida jonë është që Caritas-i të shndërrohet në një grup pune sa më të ngushtë koordinimi dhe ekzekutimet e projekteve t’i bëjnë Caritas-et dioqezane dhe Caritas-et dioqezane të fuqizohen dhe të jenë këmbëngulës në krijimin e pikës më të dobët që ka Caritas-i sot në Shqipëri në krijimin e Caritas-eve Famullitare. Pa Caritas-et Famullitare, Caritas-i Shqiptar nuk ka një identitet të fortë. Gjithashtu Drejtori i Caritas-t Shqiptar nënvizoi edhe pikat e forta dhe të dobta të Caritas-it. Ndër pikat e forta Dr. Nikolla theksoi partneritetin dhe besueshmërinë që ka krijuar Caritas-i Shqiptar me donatorët, biznesin dhe institucionet. Një pikë e dobët është mungesa e financimit nga ana e shtetit për Caritas-in. Janë 120 000 veta që aktualisht marrin shërbime nga i gjithë rrjeti Caritas i Kishës Katolike në mbarë Shqipërinë. Një pikë tjetër e fortë e Caritas-it Shqiptar është niveli i lartë i menaxhimit dhe ky nivel i lartë menaxhime ka bërë që Caritas-i të thithë fonde nga fondet e qeverive të ndryshme si qeveria gjermane, qeveria austriake, qeveria italiane, qeveria japoneze.
Pikat e dobta të caritas-it: Nëse mungojnë ndihmat nga jashtë Caritas-i do të gjendej në vështirësi të madhe, pra nuk është në gjendje të gjenerojë fonde. Fatkeqësisht në Shqipëri nuk egziston kultura e të dhuruarit. Një pikë e dobët e Caritas-it është çështja e komunikimit dhe ndarjes së informacionit. Bëhet shumë punë në Shqipëri nga meshtarët dhe murgeshat, por ka një mungesë bashëpunimi me Caritas-in.
Mungon gjithashtu në Caritas një Departament Juridik i Advokacisë për mbrojtjen e rasteve konkrete të grupeve të pambrojtura në Shqipëri. Caritas-i ka nevojë të përforcojë bashkëpunimin me institucionet shqiptare në aspektin e mbështetjes ekonomike. Një sfidë që po e hasim çdo ditë është largimi i partnerëve strategjikë. Sfidë jashtëzakonisht e madhe është qëndrueshmëria e financimeve dhe impakti i projekteve. Sfidë tjetër përshtatja me metoda të reja e grupeve në nevojë. Rjeti i vullnetarëve në Caritas-in Shqiptar, nëpër dioqeza dhe në famulli i kalon 1000 persona dhe ky është një aset i çmueshëm që duhet vlerësuar dhe kultivuar”. Pas fjalës përshëndetëse të ipeshkvinjve dhe drejtorit të Caritasit Shqiptar drejtorët e Caritas-eve dioqezane prezantuan punën e caritaseve dioqezane dhe përfaqësues të Caritas-it Shqiptar prezantuan punën e bërë ndër vite. Ata nënëvizuan rezultate e shumta, bashkëpunimet e shkëlqyera dhe sfidat e hasura gjatë këtyre viteve. Shumë punë është bërë, por sfida të shumta na presin në vazhdim.