Hotel Liss – Lezhë, 17.12.2015

Me datë 17 dhjetor 2015, në mjediset e Hotel Liss, Lezhë, u zhvillua workshop-i “Sfidat e bashkëpunimit për ofrimin e kujdesit paliativ në banesë”. Në këtë workshop morën pjesë stafet e projektit nga dy zonat e zbatimit të projektit Lezhë dhe Rrëshen, përfaqësues nga Shërbimi Social – Lezhë, mjekë, infermierë dhe fizioterapistë të qendrave të ndryshme, përfaqësues nga Drejtoria e Shëndetit Publik, spitali rajonal Lezhë si dhe stafi i Caritas Shqiptar. Në fjalën e hapjes Znj. Elona Memetaj, përgjegjëse e Sektorit Shëndetësor pranë Caritas-it Shqiptar, përshëndeti të pranishmit dhe theksoi ndër të tjera se programi mbi kujdesin paliativ është një program shumë i rëndësishëm për Caritas-in Shqiptar duke patur parasysh edhe mungesat e këtij shërbimi në vendet ku operojnë. Në këto dy zona Caritas Shqiptar ka asistuar një numër shumë të madh të sëmurësh terminalë, por është e pamundur të mbulohen të gjitha nevojat dhe kërkesat për shërbimin në banesë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm përsa i përket këtij shërbimi është edhe miratimi i “Ligjit për Kujdesin paliativ në banesë”. Është shumë e rëndësishme që edhe personat e prekur dhe familjarët të përfshihen në vendimarrje dhe në shërbimet që ofrohen për ta, pasi kush më mirë se ata mund të adresojë nevojat që kanë. E pranishme në këtë takim ishte edhe shefja e Shërbimit Paliativ në spitalin e Lezhës, Dr. Bardha Gjoni. Ajo theksoi se kujdesi paliativ ka nevoja pa fund, mungesat janë të shumta, jo vetëm për të sëmurin por edhe për të gjithë familjen. Bashkëpunimi me shoqërinë civile është i domosdoshëm, nënvizoi ajo në fjalën e saj, pasi spitali vetëm nuk ia del dot në ofrimin e këtij shërbimi. Gjithashtu si shumë të rëndësishëm Znj. Gjoni shihte formimin e një rrjeti bashkëpunëtorësh, pasi pas hospitalizimit nuk ke një vend ku ta drejtosh të sëmurin terminal, i cili ka nevoja të vazhdueshme. Lind edhe nevoja që kujdesi shëndetësor parësor të marrë përgjegjësitë e veta dhe të ofrojë shërbime. Edhe folës të tjerë nënvizuan faktin se është e domosdoshme që të përfshihen të gjithë aktorët kyç dhe të krijohet një rrjet, si shërbimi social, bashkia, rrjeti i vullnetarëve, biblioteka, prefektura si dhe OJF- të e ndryshme. Misionaret, të cilat gjenden më afër këtyre personave si dhe familjeve të tyre, theksuan se përveç sëmundjes këto familje vuajnë edhe nga probleme të tjera serioze si varfëria dhe papunësia, por edhe gjendja psikologjike dhe shpirtërore e këtyre të sëmurëve dhe e të gjithë familjarëve është shumë e rënduar. Është një risi ngritja e qendrës së Kujdesit Paliativ brenda spitalit rajonal Lezhë, por kjo strukturë dhe si rrjedhojë ky shërbim mungon në Spitalin e Rrëshenit. Gjatë punës në grupe që u zhvillua në pjesën e dytë të këtij workshop-i të dy grupet dolën me disa rekomandime. Grupi i I, përsa i përket bashkëpunimit ndërsektorial dhe sfidave për planifikimin dhe ofrimin e shërbimit paliativ në banesë, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes të gjitha shërbimeve: atij parësor, dytësor, terciar si dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por pa lënë jashtë këtij bashkëpunimi edhe shërbimin social dhe të gjithë aktorët kyç që u përmendën më lart. Ndërsa grupi i dytë diskutoi mbi organizimin e kujdesit paliativ në banesë brenda nivelit parësor. Ata dolën me disa përfundime në formë rekomandimesh:

-Krijimi i një grupi të specializuar për përmirësimin e shërbimit paliativ në qendrat shëndetësore.

-Sigurimin e një ambjenti ku mund të dërgohen këta të sëmurë pas hospitalizimit.

-Bashkëpunimi me punonjësin social, psikologun, misionarët dhe me Caritas-in.

-Rritja e numrit të trajnimeve për personelin që ofron shërbimin paliativ si dhe gatishmëria e këtij personeli për shërbimin në banesë. Lind gjithashtu nevoja të trajnohen edhe familjarët, pasi është e pamundur sigurimi i këtij shërbimi në banesë në 24 orë.

-Bashkëpunimi me bashkitë dhe OJF-të e ndryshme.

-Menaxhimi i rasteve të vështira, psh. Të sigurohet jetesa e fëmijëve pas vdekjes së prindërve.

-Sigurimi i morfinës, pasi mungon.

-Angazhimi i vullnetarëve apo edhe i infermierëve në pension.

Në fund të këtij takimi të pranishmit dëgjuan dëshminë e një të sëmure me kancer e cila, pasi tregoi historikun e sëmundjes së saj, falënderoi motrat misonare që u kujdesën për të, e ndihmuan të kryente seancat e kimioterapisë si dhe u kujdesën për fëmijët dhe familjen e saj.

IMG_0732 (1)