MESAZHI I KRESHMEVE 2018

logo-home-albania

MESAZHI I KRESHMEVE 2018

 

“Ngase do të marrë hov padrejtësia, shumëkujt do t’i ftohet dashuria”

(Mt 24,12)

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

 

edhe një herë na dalin përpara Pashkët e Zotit! Për t’u përgatitur për të Provania e Hyjit na dhuron çdo vit Kreshmët, “shenjë sakramentale e kthimit tonë”,[1] që shpall dhe realizon mundësinë për t’u kthyer nga Zoti me gjithë zemër dhe me gjithë jetën.

Edhe këtë vit, me këtë mesazh, dëshiroj të ndihmoj gjithë Kishën që të jetojë me gëzim e të vërtetë në këtë kohë hiri; dhe e bëj këtë duke u frymëzuar prej një shprehjeje të Jezusit në Ungjillin e Mateut: “Ngase do të marrë hov padrejtësia, shumëkujt do t’i ftohet dashuria” (24,12).

Kjo fjali gjendet në fjalimin që ka lidhje me fundin e kohëve dhe që është i ambientuar në Jerusalem, në Malin e Ullinjve, pikërisht aty ku do të fillojnë mundimet e Zotit. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të nxënësve, Jezusi shpall mundime të mëdha dhe përshkruan situatën në të cilën mund të gjendet bashkësia e besimtarëve: përballë ngjarjeve të dhimbshme, disa profetë të rrejshëm do të gënjejnë shumë vetë, aq sa të kërcënojnë ta shuajnë në zemrat dashurinë që është qendra e të gjithë Ungjillit.

 

Profetët e rrejshëm

 

Le ta dëgjojmë këtë pjesë dhe të pyesim veten: çfarë formash marrin profetët e rrejshëm?

Ata janë si “magjepsës gjarpërinjsh”, pra përfitojnë nga emocionet njerëzore për t’i bërë njerëzit skllevër dhe për t’i çuar aty ku duan ata. Sa bij të Hyjit tërhiqen prej joshjeve të kënaqësisë në pak çaste, kënaqësi të cilën e ngatërrojnë me lumturinë! Sa burra e gra jetojnë si të magjepsur nga iluzioni i parave, që në të vërtetë i bën skllevër të përfitimit ose të interesave meskine! Sa vetë jetojnë duke menduar se i mjaftojnë vetvetes dhe bien pre e vetmisë!

Profetë të tjerë të rrejshëm janë ata “sharlatanë” që ofrojnë zgjidhje të thjeshta e të menjëhershme për vuajtjet, mjete që pastaj dëftohen krejtësisht jo efikase: sa të rinjve u ofrohet mjeti i rrejshëm i drogës, i marrëdhënieve “përdor e hidh”, i fitimeve të lehta por të pandershme! Sa vetë janë ende në rrjetën e një jete krejtësisht virtuale, në të cilën marrëdhëniet duken më të thjeshta e të shpejta e që pastaj dëftohen dramatikisht pa kuptim! Këta mashtrues, që ofrojnë gjëra pa vlerë, heqin në të vërtetë atë që është më e çmueshme sikurse dinjiteti, liria dhe aftësia për të dashur. Është mashtrimi i mburrjes, që na bën të bëjmë figurën e pallonjve… për t’u bërë pastaj qesharakë; dhe prej gjendjes qesharake nuk mund të kthehesh prapa. Nuk është për t’u çuditur: gjithmonë djalli, që është “rrenacak dhe babai i rrenës” (Gjn 8,44), e paraqet të keqen si të mirë dhe të rremen si të vërtetë, për ta pështjelluar zemrën e njeriut. Prandaj secili prej nesh është i thirrur të shoshisë në zemrën e vet dhe të shqyrtojë nëse është i kërcënuar prej rrenave të këtyre profetëve të rremë. Duhet të mësojmë të mos ndalemi në nivelin e drejtpërdrejtë, sipërfaqësor, por ta njohim atë që lë brenda nesh një gjurmë të mirë dhe që zgjat më shumë, sepse vjen prej Hyjit dhe vlen me të vërtetë për të mirën tonë.

 

 

Një zemër e ftohtë

 

Dante Alighieri, në përshkrimin e tij të ferrit, e përfytyron djallin të ulur në një fron prej akulli;[2] ai banon në ngricën e dashurisë së mbytur. Atëherë le ta pyesim veten: si ftohet në ne dashuria? Cilat janë sinjalet që na tregojnë se në ne dashuria rrezikon të shuhet?

Ajo që e shuan dashurinë është para së gjithash grykësia për paratë, “rrënja e të gjitha të këqijave” (1 Tim 6,10); atë e ndjek refuzimi i Hyjit dhe prandaj edhe refuzimi për të gjetur ngushëllim në Të, duke parapëlqyer pikëllimin tonë në vend të Fjalës së tij dhe Sakramenteve.[3] E gjithë kjo shndërrohet në dhunë dhe kthehet kundër atyre që konsiderohen si kërcënim për “siguritë” tona: fëmija ende i palindur, i moshuari i sëmurë, mysafiri në kalim, i huaji, por edhe i afërmi që nuk u përgjigjet pritshmërive tona.

Edhe bota e krijuar është dëshmitare e heshtur e kësaj ftohjeje të dashurisë: toka është e helmuar nga mbeturinat e hedhura prej pakujdesit dhe mosinteresit; detet, edhe ato të ndotura, mjerisht duhet të mbulojnë kufomat e shumë të mbyturve të migrimeve të detyruara; qiejt – që në planin e Hyjit i këndojnë lavdisë së tij – janë të mbushur plot me mjete fluturuese që e hedhin si shi vdekjen

Dashuria ftohet edhe në bashkësitë tona: në Nxitjen apostolike Evangelii gaudium jam munduar të përshkruaj shenjat më të dukshme të kësaj mungese dashurie. Ato janë: përtesa egoiste, pesimizmi i shterpë, tundimi për t’u izoluar dhe për t’u angazhuar në luftëra të vazhdueshme vëllavrasëse, mendësia e botës që i nxit njerëzit të merren vetëm me atë që është e dukshme, duke e pakësuar në këtë mënyrë zellin misionar.[4]

 

Çfarë duhet bërë?

 

Nëse shohim në brendësinë tonë dhe përreth nesh sinjalet e sapo përshkruara, ja që Kisha, nëna dhe mësuesja jonë, së bashku me ilaçin, nganjëherë të hidhur, na jep në këtë kohë të Kreshmëve mjetin e ëmbël të lutjes, të lëmoshës dhe të agjërimit.

Duke i kushtuar më shumë kohë lutjes, i lejojmë zemrës sonë të zbulojë gënjeshtrat e thjeshta me të cilat mashtrojmë vetveten,[5] për të kërkuar më në fund ngushëllimin në Hyjin. Ai është Ati ynë dhe dëshiron për ne jetën.

Ushtrimi i lëmoshës na liron prej lakmisë dhe na ndihmon të zbulojmë se tjetri është vëlla i imi: ajo që kam nuk është kurrë vetëm e imja. Sa do të doja që lëmosha të shndërrohej për të gjithë në një stil të vërtetë jete! Sa do të doja që, si të krishterë, të ndiqnim shembullin e Apostujve dhe të shihnim në mundësinë për të bashkëndarë me të tjerët të mirat tona një dëshmi konkrete të bashkimit që jetojmë në Kishë. Në lidhje me këtë po e bëj timen nxitjen e shën Palit, kur i ftonte Korintianët të mblidhnin lëmoshë për bashkësinë e Jeruzalemit: “Ju ka hije juve” (2 Kor 8,10). Kjo vlen në mënyrë të veçantë për Kreshmë, gjatë të cilave shumë organizma mbledhin lëmoshë në dobi të Kishave dhe popullsive në vështirësi. Por sa do të doja që edhe në marrëdhëniet tona të përditshme, para çdo vëllai që na kërkon një ndihmë, ne të mendonim se aty ka një thirrje të Provanisë hyjnore: çdo lëmoshë është një rast për të marrë pjesë në Provaninë e Hyjit ndaj bijve të tij; dhe nëse Ai sot më përdor mua për të ndihmuar një vëlla, si vallë nesër nuk do të kujdeset edhe për nevojat e mia, Ai që nuk lejon t’ia kalojë kush në bujari?[6]

Së fundi, agjërimi i heq forcë dhunës sonë, na çarmatos, dhe përbën një rast të rëndësishëm rritjeje. Nga njëra anë, na lejon të përjetojmë atë që ndiejnë ata të cilëve u mungojnë gjërat më të nevojshme dhe njohin gërryerjet e përditshme të urisë; nga ana tjetër, shpreh gjendjen e shpirtit tonë, të uritur për mirësi dhe të etur për jetën e Hyjit. Agjërimi na zgjon, na bën më të vëmendshëm ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit, rizgjon vullnetin për t’iu bindur Hyjit i cili është i vetmi që e shuan urinë tonë.

Do të doja që zëri im të shkonte përtej kufijve të Kishës Katolike, për të arritur tek të gjithë ju, burra e gra vullnetmirë, të hapur ndaj dëgjimit të Hyjit. Nëse sikurse ne jeni të brengosur nga marrja hov e padrejtësisë në botë, nëse ju shqetëson ngrica që paralizon zemrat dhe veprimet, nëse shihni se është duke munguar ndjenja e njerëzimit të përbashkët, bashkohuni me ne për t’iu lutur së bashku Hyjit, për të agjëruar së bashku dhe për të dhuruar së bashku me ne sa mundeni për të ndihmuar vëllezërit!

 

Zjarri i Pashkëve

 

Ftoj sidomos anëtarët e Kishës që të ndërmarrin me zell ecjen e Kreshmëve, të mbështetur prej lëmoshës, prej agjërimit dhe prej lutjes. Nëse nganjëherë dashuria duket se është duke u shuar në shumë zemra, ajo nuk shuhet në zemrën e Hyjit! Ai na jep gjithmonë raste të reja që të mund të rifillojmë të duam. Një rast i volitshëm do të jetë edhe këtë vit nisma “24 orë për Zotin”, që na fton të kremtojmë Sakramentin e Pajtimit në një kontekst adhurimi eukaristik. Në vitin 2018 ajo do të zhvillohet të premten më 9 dhe të shtunën më 10 mars, duke u frymëzuar prej fjalëve të Psalmit 130,4: “Tek ti gjendet falja”. Në çdo dioqezë, të paktën një kishë do të rrijë hapur për 24 orë rresht, duke dhënë mundësinë e lutjes së adhurimit dhe të Rrëfimit sakramental. Natën e Pashkëve do të rijetojmë ritin e mrekullueshëm të ndezjes së qiriut pashkor: e marrur nga “zjarri i ri”, drita pak nga pak do ta dëbojë errësirën dhe do ta ndriçojë asamblenë liturgjike. “Drita e Krishtit të ngjallur në lavdi i shpërndaftë errësirat e zemrës dhe të mendjes”,[7] që të gjithë të mund të rijetojmë përvojën e nxënësve të Emausit: nëse dëgjojmë fjalën e Zotit dhe ushqehemi me Bukën eukaristike zemra jonë do të digjet përsëri prej fesë, shpresës dhe dashurisë.

 

Ju bekoj me gjithë zemër dhe lutem për ju. Mos harroni të luteni për mua.

 

 

Nga Vatikani, 1 nëntor 2017

E kremtja e të Gjithë Shenjtërve

 

 

Françesku

 


[1] Meshari Romak, E diela I e Kreshmëve, Urata Kolekta.

[2] “Lo ‘mperador del doloroso regno / da mezzo ‘l petto uscia fuor de la ghiaccia” (Inferno XXXIV, 28-29).

[3] “Është e çuditshme, por shumë herë kemi frikë nga ngushëllimi, kemi frikë të ngushëllohemi. Madje, ndihemi më të sigurtë në trishtim dhe në pikëllim. A e dini përse? Sepse në trishtim ndihemi pothuajse protagonistë. Ndërsa në ngushëllim është Shpirti Shenjt protagonisti” (Angelus, 7 dhjetor 2014).

[4] Nr. 76-109.

[5] Krh. Benedikti XVI, Let. Enc. Spe salvi, 33.

[6] Krh. Piu XII, Let. Enc. Fidei donum, III.

[7] Meshari Romak, Vigjilja e Pashkëve, Shërbesa e Dritës.

Top