1. Organizmi i Programit

2. Antitrafikimi i qenieve njerëzore

3. Fuqizimi i grave dhe vajzave kundër dhunës

 

 

Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave

Caritas Shqiptar dhe CRS (Catholic Relief Services –Caritas Amerikan) do të zbatojnë një projekt dy-vjeçar periudha Tetor 2014- Tetor 2016 për fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve qeveritare shqiptare në mbrojtje të viktimave të trafikimit. Financimi i projektit është bërë i mundur nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS  me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit. Qëllimi i këtij projekti është që përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve për viktimat e trafikimit në 4 qarqe pilot të Shqipërisë – Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Projekti do të kontribuojë në përmirësimin e koordinimit të aktorëve kyç të përfshirë në përpjekjet kundër trafikimit në Shqipëri dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të agjensive ligj zbatuese si dhe të personelit të shërbimeve sociale për të identifikuar, intervistuar dhe referuar viktimat, në përputhje me Procedurat Standarte të Veprimit (PSV) dhe me Planin Kombëtar të Veprimit.

Projekti do të krijojë një Komitet Drejtues të përbërë nga Koordinatori Kombëtar Anti-Trafik, prefektët e katër qarqeve të përfshira, një përfaqësues nga Caritas Shqiptar, CRS dhe koalicioni i strehëzave anti trafik për të monitoruar arritjet dhe objektivat e projektit.  Në kuadër të projektit Caritas Shqiptar dhe CRS, do të realizojnë një vlerësim të nevojave në çdo qark për të identifikuar sfidat e sistemeve aktuale në identifikimin dhe raportimin e viktimave të trafikimit. Caritas Shqiptar dhe CRS do të mbështesin proçesin e draftimit të planit të veprimit rajonal nga Komitetet Rajonale Antitrafik, për secilin nga qarqet në veçanti, në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit, si dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e zbatimit të PSV.

 Projekti do të zhvillojë trajnime për gjyqtarë, prokurorë, oficerë policie, oficerë të policisë kufitare dhe për personelin e shërbimeve sociale me qëllim përmirësimin e procesit të identifikimit dhe të mbrojtjes së viktimave. Ky projekt do të ndihmojë gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave përgjegjëse për identifikimin dhe referimin me ato përgjegjëse për mbrojtjen dhe integrimin. Ky bashkëpunim do të sjellë rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e viktimave/viktimave të mundshme, si dhe do të ndihmojë në përmbushjen e përgjegjësive të institucioneve të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit.

Projekti synon dhe do të punojë gjithashtu në  përmirësimin e  bashkëpunimit ndër-kufitar të policisë kufitarë shqiptare me homologët e tyre në Kosovë dhe në Malin e Zi. Caritas Shqiptar dhe CRS do të ndihmojnë në rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet zyrës së Koordinatorit Kombëtar dhe homologët e tyre nëpërmjet një vizite studimore.

Projekti do të ndihmojë gjithashtu në ndërtimin/rikonstruktimin e dy dhomave intervistimi në pikat kufitare në Morinë dhe Han të Hotit/ Muriqan. Dhomat e intervistimit do të jenë dhoma miqësore me materialet dhe komoditetet e nevojitura në mënyrë që viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit të ndjehen të mbrojtura deri në finalizimin e procesit të intervistimit dhe referimit.