Caritas Internationalis me rastin e ditës botërore të të drejtave të njeriut lançoi fushatën kundër urisë në botë. Fushata mban titullin: “Një familje e vetme njerëzore – ushqim për të gjithë”. Ushqimi nuk është vetëm një nevojë bazë, por është gjithashtu një e drejtë. Është një e drejtë që u shkelet çdo ditë më shumë se 842 milion fëmijëve, grave dhe burrave që vuajnë urinë në botë. Kjo fushatë kundër urisë botërore do të përfshijë 164 organizatat anëtare të Caritas Internationalis. Me këtë rast edhe Papa Françesku bekoi këtë fushatë dhe të gjithë pjesëmarrësit me një video mesazh rreth pesë minuta. Nuk mund të kthejmë kokën nga ana tjetër, duke qëndruar indiferentë se kjo nevojë nuk ekziston”, “nëse ekziston vullneti, çfarë kemi nuk mbaron, përkundrazi, na tepron e nuk duhet humbur”, theksoi Papa në mesazhin e tij. Gjendemi përballë skandalit botëror të rreth një miliard, një miliard njerëzve që edhe sot e kësaj dite vuajnë urinë. Çfarë kemi duhet t’a ndajmë me dashuri të krishterë me ata që janë të detyruar të përballen me shumë pengesa për plotësimin e një nevoje kaq parësore dhe, në të njëjtën kohë, të mbështesim bashkëpunimin e vërtetë me të varfrit, që, nëpërmjet fryteve të punës së tyre dhe punës sonë, të mund të jetojnë një jetë të denjë. Papa fton të gjitha institucionet e botës, të gjithë Kishën dhe secilin prej nesh, si një familje e vetme njerëzore, t’u japim zë të gjithë njerëzve të cilët, në heshtje, vuajnë urinë, që ky zë të bëhet një ushtimë që mund të shkundë botën. Kjo fushatë ka për qëllim të jetë edhe një ftesë për të gjithë ne, që të bëhemi më të vetëdijshëm për zgjedhjet tona ushqimore, me të cilat shpesh e shpërdorim ushqimin dhe keqpërdorim të mirat që kemi. Është, gjithashtu, edhe një shtysë për të menduar se veprimet tona të përditshme nuk duhet të kenë pasoja për jetën e atyre që, afër apo larg nesh, e provojnë urinë në lëkurën e vet. Papa, pra, e sheh njerëzimin si një familje të vetme, të angazhuar për të gjetur ushqim për të gjithë.
Në kuadër të kësaj fushatë edhe Caritas-i Shqiptar u bashkua lutjes së Caritase-ve anembanë botës me kremtimin e meshës së udhëhequr nga Sh.T.Imzot George Frendo në rolin e Presidentit të Caritas-it. Gjatë omelisë së mbajtur në kapelen e Caritas-it, Imzot Frendo përshëndeti të gjithë punonjësit e Caritas-it duke nënvizuar se ne nuk jemi thjesht punëtorë të një ndërmarrjeje që thjesht paguhemi për punën që kryejmë, por jemi përfaqësues të Kishës Katolike dhe si të tillë duhet të kryejmë me devotshmëri punën që bëjmë. “Vetë puna juaj, theksoi Imzot Frendo, është në kontakt të drejtpërdrejtë me atë që vuan, me atë që është i braktisur, me atë që është i lënduar, me atë që provon urin, dhe ju duhet të çoni Krishtin pranë këtyre personave, t’u shërbeni atyre me dashuri dhe vetmohim, vetëm kështu mund t’i dalim para Krishtit që po vjen”. Gjithashtu Imzot Frendo ftoi të gjithë punonjësit e Caritas-it të marrin pjesë në lutje dhe të hapin zemrat e tyre në këtë periudhë Ardhjeje, të përgatisim me të vërtetë vendin e Krishtit fëmijë.
Në fund të meshës të gjithë së bashku si një familje e vërtetë u lutëm me lutjen e mëposhtme:

juli_01O Zot, Ti na besove ne frytet e të gjithë krijesës në mënyrë që ne të mund të kujdesemi për tokën dhe të ushqehemi me dhuratat e saj. Ti na dërgove Birin tënd për të ndarë me ne trupin dhe gjakun e tij dhe për të na mësuar ne Ligjin e Dashurisë sate. Përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij ne u formuam në një familje njerëzore. Jezusi tregoi një përkujdesje të madhe për ata që nuk kishin ushqim – duke transformuar pesë bukë dhe dy peshq në një banket që i’u shërbye për pesë mijë njerëz dhe shumë më shumë. Ne vimë para teje, O Zot, të vetëdijshëm për gabimet dhe dështimet tona, por plot me shpresë, për të ndarë ushqim bashkë me të gjithë anëtarët në këtë familje botërore.Përmes urtësisë sate, frymëzo drejtues qeverish dhe biznesesh si dhe qytetarët e botës, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe bamirëse për t’ i dhënë fund urisë dhe për të siguruar se gjithë njerzit gëzojnë të drejtën e të ushqyerit. Ndaj ne të lutemi, O Zot, që kur ne të paraqesim vetveten për Gjykimin Hyjnor, të mund të shpallim veten si
“Një Familje Njerëzore” me “Ushqim për të Gjithë”. AMEN.

KA MJAFT USHQIM NË PLANET. NE BESOJMË SE ME NDIHMËN TUAJ,
MUND T’I JAPIM FUND URISË NË VITIN 2025.

 

Përgatiti
Juliana BICI