Caritas Shqiptar dhe CRS në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Anti Trafik më datë 7 nëntor 2014, ora 10:00 prezantoi fillimin e projektit “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave ne Shqipëri”, në mjediset e Hotel Tirana International, Salla Teuta.

IMG_1160Në këtë konferencë morën pjesë Z. Henry Jardine, Zv. Shef i Misionit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Elona Gjebrea, Zv. Ministre e Brendshme, Drejtori i Caritas-it Shqiptar Z. Albert Nikolla, katër prefektët e qarqeve pilot ku do të zbatohet projekti, Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, përfaqësues të Komiteteve Rajonale Anti Trafik, përfaqësues nga policia e shtetit, policia kufitare, shërbimi social shtetëror, prokuroria, gjykata dhe shoqëria civile.
Në konferencë u prezantua projekti dhe aktivitetet e tij pranë partnerëve kryesorë, përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë, Koordinatori Kombëtar Anti Trafik, Komitetet Rajonale Anti Trafik, Prefektet e katër Qarqeve Pilot (Kukës, Lezhë, Shkodër, Durrës), Shërbimi Social Shtetëror, Shoqëria Civile etj. Gjatë kësaj konference u paraqitën disa nga sfidat në sistemin e identifikimit, referimit dhe integrimit të viktimave të trafikimit dhe u ngrit Komiteti Drejtues përgjegjës për monitorimin e zbatimit të përgjegjësive të Komiteteve Rajonale Anti Trafik.
Financimi i projektit është bërë i mundur nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit. Qëllimi i këtij projekti është që përfaqësues të qeverisë dhe të shoqërisë civile të ofrojnë mbrojtje gjithnjë e më në rritje për viktimat e trafikimit në 4 qarqe pilot të Shqipërisë – Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Projekti do të ndihmojë në ndërtimin/rikonstruktimin e dy dhomave intervistimi në pikat kufitare në Morinë dhe Han të Hotit/ Muriqan. Dhomat e intervistimit do të jenë dhoma miqësore me materialet dhe komoditetet e nevojitura në mënyrë që viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit të ndjehen të mbrojtura deri në finalizimin e procesit të intervistimit dhe referimit.