Një Qershori, dita ndërkombëtare e fëmijëve. Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë sot vëmendjen e prindërve dhe shtetit tek ata. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojra festive. Edhe në qendrën ditore “Dritarja e Dijes” në Breg Lumi u u organizua festa e fëmijëve. Pas një punë përgatitore ku morën pjesë fëmijët, të rinjtë e qendrës dhe stafi, të cilët me shumë dashuri dhe këmbëngulje përgatitën çdo detaj, erdhi dhe dita e festës. Dekori i mrekullueshëm, muzika dhe atmosfera festive e krijuar nga të gjithë ishte në harmoni të plotë me pamjen e fëmijëve dhe prindërve të ftuar. Fëmijët ishin shumë të lumtur dhe sidomos krenarë në pritjen që u bënin prindëve të tyre. Aktivitetet e zhvilluar në qendër në praninë e prindërve dhe mësuesve të ftuar patën si qëllim të rrisin ndërgjegjësimin e familjarëve dhe vetë komunitetit për përmirësimin e jetës së këtyre fëmijëve dhe t’i kushtohet një vëmendje më e veçantë mbrojtjes së të drejtave të tyre. Fëmijët e qendrës me ndihmën e animatorëve kishin përgatitur një koncert festiv dhe në të njëjtën kohë sensibilizues për të përcjellë mesazhet mbi të drejtat e tyre. Këngët, vallet, vjershat dhe pjesa teatrale e përgatitur me aq mjeshtëri nga artistët e vegjël u pëlqyen shumë nga prindërit, mësuesit dhe pjesa tjetë e komunitetit të pranishëm në këtë festë. Gjatë këtij koncerti fëmijët prezantuan edhe punimet e tyre të realizuara në qendër, vizatime dhe punime me tema të ndryshme. Prindërit nga ana e tyre falënderuan për punën e zhvilluar në qendër dhe shprehën kënaqësinë e tyre që këta fëmijë kishin mundësi të jetonin një përvojë ndryshe dhe të mësonin shumë gjëra.
Në këtë takim përshëndeti edhe një mësuese e shkollës ku fëmijët zhvillojnë mësim dhe falënderoi për punën e kryer në qendër si një ndihmesë dhe vazhdim i punës së kryer në shkollë për edukimin dhe shkollimin e këtyre fëmijëve. Në fund të këtij aktiviteti fëmijët dhe prindërit kërcyen e kënduan së bashku dhe po së bashku morën pjesë në koktejin e organizuar me rastin e festës së tyre.