Historik i shkurtër i Organizatës Caritas-i Shqiptar
Caritas-i Shqiptar është një organizatë humanitare e themeluar në vitin 1993 nga Konferenca Ipeshkvore e Kishës Katolike në Shqipëri, dy vjet pas përfundimit të regjimit komunist. Më 3 tetor 1995, Caritas-i u njoh zyrtarisht nga shteti shqiptar si organizatë bamirëse e Kishës Katolike me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Që prej vitit 1994, Caritas-i Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjet botëror i organizatave katolike që ofrojnë ndihmë humanitare dhe zhvillimore.
Gjatë tre dekadave të veprimtarisë së tij, Caritas-i ka qenë i pranishëm dhe aktiv në përballimin e sfidave të mëdha si konfliktet në rajon (përfshirë luftën në Kosovë), krizat ekonomike e migratore, varfërinë e lartë në vend dhe fatkeqësitë natyrore si tërmetet dhe përmbytjet. I udhëhequr nga misioni për të ndihmuar të prekurit, Caritas-i ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe efektive në ndihmë të komuniteteve në nevojë.
Fushat e Veprimit
Caritas-i Shqiptar punon nëpërmjet një sërë programesh që përfshijnë:
-
Programi Social,
-
Programi i Ekonomisë Sociale dhe i Aftësisë së Kufizuar,
-
Programi Kundër Trafikimit dhe Migracionit,
-
Programi i Emergjencave,
-
Programi i Mbledhjes së Fondeve.
Përmes këtyre programeve, organizata synon të përmirësojë jetën e individëve dhe komuniteteve, duke mbështetur barazinë sociale, forcimin e pjesëmarrjes qytetare, edukimin e fëmijëve e të rinjve, nxitjen e vullnetarizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Përgjigje ndaj Emergjencave
Caritas-i Shqiptar ka qenë gjithmonë në gatishmëri për të ndërhyrë në situata emergjente, si:
-
Krizat e pas viteve ’90 (rënia e regjimit komunist, kriza e firmave piramidale, protestat civile),
-
Lufta dhe kriza e refugjatëve kosovarë (1998–1999),
-
Shpërthimi në Gërdec (2008),
-
Tërmeti i Nëntorit 2019,
-
Përmbytjet e përsëritura dhe izolimi nga dëbora në zonat malore.
Organizata ofron ndihmë të menjëhershme për ata që janë më të prekurit, pa dallim feje, etnie apo race.
Rrjeti Kombëtar
Caritas-i Shqiptar operon në të gjithë vendin përmes 6 Caritas-eve dioqezane:
-
Caritas Tiranë-Durrës
-
Caritas Shkodër-Pult
-
Caritas Sapa
-
Caritas Lezha
-
Caritas Rrëshen
-
Caritas Jugu
Si dhe përmes 95 misioneve referuese aktive në të gjithë Shqipërinë.
E drejtuar nga parimet e dashurisë, mëshirës dhe solidaritetit, Caritas-i Shqiptar është shprehje e karizmës së Kishës Katolike për të dashur të afërmin. Në të gjitha nismat e saj, organizata vepron me përkushtim të thellë shpirtëror e njerëzor, duke synuar ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më përfshirëse.