AKTIVITETI SPORTIV “INTEGRIM PËRMES SPORTIT”.
Me datë 19 Mars 2011, u zhvillua Aktiviteti Sportiv Integrues për Persona me Aftësi të Kufizuara në Kolegjin “Don Bosko”, Tiranë.
Në këtë aktivitet me temë “Integrim Përmes Sportit”, i organizuar nga Qendra Ditore “Jetë në zhvillim” morën pjesë personat përfitues të kësaj qendre, fëmijët e shkollës speciale të qytetit të Laçit, nxënës nga gjimnazi i Fushë-Krujës “Shote Galica” si dhe familjarët e të gjithë fëmijëve pjesëmarrës.
Fëmijët u aktivizuan me njeri-tjetrin në garat sportive nëpërmjet tre disiplinave; futbollit, atletikës dhe ping-pongut.
Ky aktivitet u implementua në kuadër të projektit “Integrim dhe Gjithëpërfshirje për Personat me Aftësi të Kufizuara” i financuar nga Agjensia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, AMSHC.
Caritas Shqiptar i kushton një vëmendje të veçantë integrimit të PAK-ve në komunitet. Në këtë kontekst organizimi i aktiviteteve sportive vlerësohet si një mundësi për t’u ofruar këtyre personave shanse të barabarta për pjesëmarrje aktive në jetën sociale.
Në këtë event ishin të ftuar Mons. George Frendo, President i Caritas Shqiptar, Dr. Albert P.Nikolla, Drejtor i Caritas Shqiptar, Znj.Ziza Isufi, Përgjegjëse në Zyrën e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë së Laçit, Z. Enis Bellova nga Olimpiku Special Shqiptar si dhe shumë të ftuar të tjerë nga fusha të ndryshme të sportit.
Në fjalën e tij të hapjes së ceremonisë, Mons. George Frendo u shpreh: “Shërbimi që iu japim personave me aftësi të kufizuara nuk është vetëm një vepër bamirësie, por një e drejtë sepse ata kanë të drejtë.” Në përmbyllje të mesazhit të tij ai theksoi:”Për shumë kohë në botë është theksuar më shumë fjala e “kufizuar”. .Ndërsa duhet të theksojmë më shumë fjalën AFTËSI. Prandaj të shfrytëzojmë aftësitë e tyre në aktivitete siç është edhe sporti”.
Në fund të aktivitet u organizuan edhe shumë lojra argëtuese për fëmijët më të vegjël nga Shoqëria e Animatorëve Shqiptarë.
Foto: “Integrim Permes Sportit”