Ati i Shenjtë Papa Françesku emëroi Sh.T. Imzot George Frendo arqipeshkëv të dioqezës Tiranë-Durrës.
Imzot Frendo deri më sot ka qenë ipeshkëv ndihmës i arqidioqezës së Tiranë-Durrësit, e nga vdekja e imzot Rrok Mirditës, Administrator dioqezan i së njëjtës arqidioqezë dhe njëkohësisht ka qenë President i Caritas Shqiptar që nga viti 2007 e në vazhdim.
Imzot Frendo, rregulltar domenikan e teolog, nga Malta, prej shumë vitesh jeton e vepron në Shqipëri. Ka njohur nga afër jetën, veprimtarinë e misionin e Kishës katolike dioqezane të Tiranë-Durrësit, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm me detyra dhe përgjegjësi të veçanta që ka zhvilluar nga fillimi, si rregulltar domenikan në Durrës, pastaj si Vikar i Përgjithshëm i arqidioqezës Tiranë-Durrës, më vonë si ipeshkëv ndihmës, administrator dioqezan e tani fillon një periudhë të re si kryebari i kësaj Kishe vendore.
Përurimi apo fillimi i misionit si arqipeshkëv i imzot George Frendo-s do të mbahet të shtunën më 3 dhjetor në Kishën Katedrale të Shën Palit në Tiranë. Një ditë më parë, të premten më 2 dhjetor, në orën 12.30 arqipeshkvi i ri ka programuar organizimin e një dreke për disa të varfër të dioqezës Tiranë-Durrës.
Imzot GEORGE FRENDO O.P. Curriculum Vitae
Imzot Gjergji (emri i pagëzimit Antonio) ka lindur më 4 prill 1946 në Qormi, Maltë (i pesti në një familje prej shtatë fëmijësh). Pasi përfundoi studimet fillore dhe të mesme, hyri në Urdhrin e Predikatarëve apo Dominikan, në vitin 1962 dhe në vitin 1963 bëri kushtet e para. Ndoqi studimet për filozofi e teologji pranë Kolegjit Filozofik-Teologjik “Sancti Thomae Aquinatis” në Rabat të Maltës. Bëri kushtet e përjetshme në prill 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.
Studimet dhe mësimdhënia
Është diplomuar si Lektor në Teologji të Shenjtë, me tezën “Pagëzimi si Sakramenti i Fesë në Doktrinën dhe praktikën e Kishës”. Ka vazhduar pastaj studimet në Pontificia Universitas “Sancti Thomae Aquinatis” në Romë, në Fakultetin e të Drejtës Kanonike, e në vitin 1973 u diplomua në Drejtën Kanonike me tezën “Pazgjidhshmëria dhe Divorci në Teologjinë e Teologëve të shekullit të 13-të”. Me t’u kthyer në Maltë nisi menjëherë të japë Teologji dogmatike pranë Kolegjit Domenikan Filozofik-Teologjik “Sancti Thomae Aquinatis”, duke dhënë disa kurse të Teologjisë Dogmatike (mbi sakramentet e Fillimit dhe Eskatologjinë) në Fakultetin e Teologjisë në Maltë dhe një kurs mbi Ateizmin Bashkëkohor në Seminarin e Gozës. Në Shqipëri ka dhënë Teologji Trinitare dhe Kristologji në Seminarin Ndërdioqezan në Shkodër.
Zyrat Dominikane
1974-1979: Mësues i rishtarëve dhe studentëve
1979-1981: Epror kuvendi
1981-1989: Famullitar në një famulli domenikane në Maltë
1989-1997: Provincial i Dominikanëve në Maltë
1992-1996: Kryetar i Konferencës së eprorëve të lartë në Maltë
Zyrat e Arqidioqezës së Maltës
1974-1976: Defensor Vinculi i Gjykatës së Shkallës së Parë
1976-1980: Defensor Vinculi i Gjykatës Ndër-Dioqezane së shkallës së dytë
1980-1989: Gjyqtari i Gjykatës Ndër-Dioqezane të shkallës së dytë.
Anëtar i Komitetit të ngritur nga Konferenca Ipeshkvore malteze për të hartuar rregullat plotësuese pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.
Detyrat në Kishën e Shqipërisë
1997-1999: Përgjegjës për përgatitjen e standardeve plotësuese pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.
1998 -: Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës Tiranë-Durrës
1999-2005: Kryetar i Konferencës së Eprorëve më të lartë në Shqipëri
2001-2006: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm evropian të UCESM
2001-2006: Vicarius Judicialis i Gjykatës Ndër-Dioqezane (e shkallës së parë)
Nga 23 shtator 2006: Ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrës
2007- tani: President i Caritas-it Shqiptar
Në vitin 2007 ai u emërua anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
Është autor i disa librave të natyrës doktrinore apo shpirtërore (si p.sh., mbi Eukaristinë, sakramentet, Marinë e Shenjtë, tre librave mbi temat për tre vitet e përgatitjes për jubileun e madh, familjen, një sintezë të Katekizmit të Kishës Katolike, adhurimin eukaristik, etj).
Ka pasur gjithashtu përvojë për shumë takime ndërkombëtare, si epror provincial i Dominikanëve në Maltë, ashtu edhe si president i Konferencës së Eprorëve më të lartë në Maltë dhe Shqipëri, qoftë si anëtar i Ekzekutivit të Unio Conferentiarum Europearum Superiorum Maiorum, ashtu edhe si një delegat në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.
Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe President i Caritas-it Shqiptar.