Ekspozitë me punime të rinjve me aftësi të kufizuara
Caritas Shqiptar zhvilloi me datë 13 korrik 2012 në Durrës, në ambientet e Klubit të Artit dhe Kulturës, SIGAL, Ekspozitën me punime të realizuara nga të rinj me aftësi të kufizuara që frekuentojnë Qendrën Ditore “ Jetë në Zhvillim” në Fushë-Krujë e mundësuar me mbështetjen e Caritas St.Pölten, Austri dhe Fondacionit H. STEPICEE Charity.
Zhvillimi i ekspozitës pati për qëllim sensibilizimin e komunitetit si dhe aktorëve social në mbështetje të shërbimeve mbështetëse në komunitet për personat me aftësi të kufizuara. Caritas Shqiptar në partneritet me donatorët e huaj dhe mbështetjen e biznesit shqiptar, kërkon të kontribuojë për njohjen dhe vlerësimin e kapaciteteve dhe vlerave të rinjve me aftësi të kufizuara në funksion të ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Protagonisti i ekspozitës ishte Lulzim Basha një i ri me aftësi të kufizuara, talenti i të cilit si piktor u zbulua dhe u zhvillua nga stafi i qendrës ditore. Lulzimit për herë të parë iu dha mundësia të demostroj talentin e tij si dhe shpalosë një pjesë nga bota e tij pa tinguj. Përveç pikturave të realizuara nga Lulzimi, në ekspozitë u paraqitën dhe punime të tjera të punuara nga përfituesit e e qendrës ditore si: ikona, qirinj dhe suvenire të ndryshme.
Përmes prezantimit të këtyre punimeve, tregohet qartë që nëse këtyre të rinjëve me aftësi të kufizuara u krijohen kushte dhe mundësi të barabarta, ata mund të kontribuojnë dhe të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë shqiptare.