5 dhjetor 2015
Vullnetarët janë shpresa jonë, janë shpresa e Kishës. Me këto fjalë Sh. T. Imzot George Frendo, President i Caritas-it Shqiptar përshëndeti të gjithë të pranishmit në mjediset e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” ku më 5 dhjetor 2015 u organizua kremtimi i Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Të shohim Zotin në fytyrën e çdo personi, theksoi Imzot Frendo, kjo është motoja jonë. Ne ipeshkvinjtë e Kishës Katolike, nënvizoi ai, u jemi mirënjohës juve, ju vullnetarët jeni dhurata e Zotit. Ai nënvizoi në fjalën e tij përshëndetëse se gjatë periudhës komuniste puna e detyruar ka shkatërruar ndjenjën e shërbimit vullnetar. Dhe të ndryshosh këtë mentalitet të krijuar duhet shumë punë dhe vullnet, e kjo sallë e mbushur plot me vullnetarë të Kishës Katolike nga anembanë Shqipërisë është dëshmia e këtij ndryshimi. Si të krishterë jemi të ftuar të kryejmë vepra mëshire dhe dashurie. Koha e Ardhjes është koha e shpresës. I krishteri nuk kënaqet kurrë me mediokritet, por angazhohuni gjithmonë të ndërtoni një shoqëri më të drejtë, më vëllazërore, më solidare. Pas fjalës së Imzot Frendo të pranishmit dëgjuan mesazhin e Atit të shenjtë Papa Françesku dhënë vitin e kaluar për vullnetarët, një mesazh domethënës për të gjithë vullnetarët anembanë botës. “Vullnetarët janë imazhi i një Kishe që mbështjell përparësen e përkulet për t’u shërbyer vëllezërve në vështirësi. Ndërhyrjet tuaja afër burrave dhe grave në vështirësi janë një lajmërim i gjallë i butësisë së Krishtit, i cili ecën me njerëzimin e çdo kohe. Është shumë e nevojshme të dëshmohet vlera e bamirësisë: të varfërit nuk mund të jenë një rast përfitimi! Solidariteti me të varfërit është të mendosh e të veprosh në terma komuniteti, të prioritetit të jetës së të gjithëve mbi përvetësimin e të mirave nga ana e disave. Është edhe të luftosh kundër shkaqeve strukturore të varfërisë: mosbarazia, mungesa e një pune dhe e një shtëpie, mohimi i të drejtave sociale dhe i punësimit. Sa njerëz në botë ia mbathin nga tmerri i luftës! Sa njerëz janë persekutuar për shkak të besimit të tyre, të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, vendet e tyre të kultit, tokat e tyre, dashuritë e tyre! Sa jetë të prera në mes! Sa vuajtje e sa shkatërrim! Përballë gjithë kësaj, dishepulli i Krishtit nuk tërhiqet mbrapsht, nuk kthen fytyrën nga ana tjetër, por merr mbi shpatulla këtë njerëzim të dhimbshëm, me afërsinë dhe mikpritjen ungjillore”.
Drejtori i Caritas-it Shqiptar Dr. Albert Nikolla në fjalën e tij përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për punën e tyre fisnike në shërbim të njerëzve në nevojë. Ai përmblodhi në një reflektim të shkurtër se çfarë është një vullnetar. Njeriu, theksoi ai, është krijuar si një imazh i Zotit, dhe si i tillë duhet trajtuar. Vullnetarizmi ka në vetvete lirinë, prandaj nuk duhet ngatërruar me “punën vullnetare” gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte punë e detyruar, mungonte liria e zgjedhjes. Të bëhesh vullnetar është një vendim i jashtëzakonshëm. Gjithkush duhet të gjejë forcën të dhurojë nga koha e tij. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse drejtori i Caritas-it Shqiptar komplimentoi punën e shkëlqyer që bëhet në Caritas-et Dioqezane dhe falënderoi edhe njëherë vullnetarët në të gjitha dioqezat për shërbimin që realizojnë me vullnet dhe dashuri në emër të Krishtit pa asnjë lloj interesi.
I ftuar në këtë takim ishte edhe Z. Andi Seferi, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë. Është më e lehtë të jesh vullnetar, theksoi Z. Seferi, se sa të flasësh për vullnetarizmin. Vullnetarizmi është një formë e pjesëmarrjes qytetare që luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të një vendi. Në të kaluarën Shqipëria nuk ka nxjerrë në pah vlerat e vullnetarizmit po të kujtojmë punën e detyruar që bëhej atë kohë. Si pasojë e kësaj sot mungesa e ndjenjës së vullnetarizmit është një antikap jo i vogël në shoqërinë tonë. Puna vullnetare rrit edhe performancën profesionale. Ai gjithashtu përmendi edhe nismat vullnetare që bashkia e Tiranës ka ndërmarrë. Vlen të theksohet nisma vullnetare për pastrimin e komunitetit ku u mblodhën rreth 50 000 të rinj vullnetarë në të gjithë Tiranën si dhe nisma tjetër “Tirana dhuron” në javën e Nënë Terezës. Motër Camilla Maenza, drejtoreshë e Caritas Jugu i Shqipërisë, nënvizoi se për pak ditë hapet Viti i Mëshirës, ajo e lidhi me vullnetarizmin, pasi siç theksoi, kush më mirë se vullnetarët që kanë zgjedhur lirisht të shërbejnë mund të ecin lirisht në këtë vit të mëshirës. Jemi ne të gjithë së bashku, vazhdoi motër Camilla, që kemi për detyrë të zhvillojmë një shoqëri që jeton në paqe. Ajo kujtoi martirët shqiptarë që kanë pranuar vdekjen për të shpallur dashurinë dhe solidaritetin. Nikolin Leka, drejtor i Caritas Sapa paraqiti përvojën në fillimet e tij si vullnetar, përshëndeti nismat shtetërore përsa i përket vullnetarizmit dhe theksoi se vetëm ne mund ta ndërtojmë vendin tonë. Në pjesën e dytë të këtij Forumi të pranishmit u njohën me dëshmitë nga vullnetarët e Caritas-eve dioqezane. Ata treguan përvojat e tyre si vullnetarë, përjetimet e tyre dhe përfshirjen në projekte të ndryshme të dioqezave përkatëse. Me fjalë të thjeshta të dala nga zemra ata përshkruan emocionet e të qenit vullnetar i Krishtit në dioqezë. Znj.Enkelejda Qama, përgjegjëse e Sektorit Social pranë Caritas-it Shqiptar foli mbi dinamikat dhe impaktin social të vullnetarizmit. Vullnetarizmi, theksoi ajo, kontribuon në ekonominë kombëtare dhe atë globale si dhe rrit lidhjet shoqërore mes sektorëve të ndryshëm, ndërton ura për qeveritë, ndërrmarrjet dhe punonjësit. Gjithashtu vullnetarizmi nxit njerëzit të jenë më aktivë në angazhimin qytetar. Këngët e shoqëruara me kitarë nga grupi i korit i dhanë atmosferë dhe ndjenjë këtij aktiviteti.