Inaugurimi i instalimit të sistemit fotovoltaik në godinën e Caritas-it Shqiptar


Caritas-i Shqiptar, zhvilloi më datë 17 Shtator 2012, ora 15:30 pranë ambienteve të godinës Rr. Don Bosko, Nr. 4 Tiranë, ceremoninë e inaugurimit të instalimit të sistemit fotovoltaik, mundësuar në partneritet me Qeverinë Lokale të Austrisë së Poshtme, Kompaninë EVN dhe Caritas St. Pölten, Austri.

Mons. George FRENDO, President i Caritas Shqiptar, gjatë fjalës së hapjes përmendi se për Caritas Shqiptar instalimi i sistemit fotovoltaik, do të mundësojë kursimin e parave, në këtë mënyrë do të ndihmohen më shumë njerëz në nevojë.
Mag. Friedrich SCHUHBOCK, Drejtor i Caritas St. Pölten, Austri vuri theksin mbi partneritetin e frytshëm me Caritas-in Shqiptar, duke përmendur shtyllat e bashkëpunimit si ndihmën për zhvillimin e programeve për njerezit në nevojë dhe mbështetjen për fuqizimin e Caritas-it Shqiptar.
Mag. Stefan SZYSZKOWITZ, Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë EVN përgëzoi Caritas-in Shqiptar për zhvillimin e projektit të parë në Shqipëri për instalimin e sistemeve fotovoltaike.
Z. Nikolin Jakaj, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, bëri publike nismën për prezantimin e listës së Grupit të Miqve të Caritas Shqiptar, me përfshirjen e kompanive shqiptare, për ti ardhur në ndihmë sa më shumë njerëzve në nevojë.
Caritas-i Shqiptar, përmes politikave sociale për përmirësimin e cilësisë së jetës në vend kërkon të ndërhyjë dhe orientojë vëmendjen e institucioneve publike dhe jo publike në mbrojtjen e mjedisit dhe aplikimin e burimeve alternative.