Një vit sfidash
Para një viti nisëm sfidën tonë me qëllim integimin e personave ndryshe në shoqëri. U nisëm me idenë bazike që karakterizon Caritas-in Shqiptar “çdo njeri ka të drejtën për të qenë pjesë aktive e shoqërisë”. Ne e bëmë këtë nëpërmjet artit, duke krijuar 6 grupe teatrore të integruara, të përbëra nga persona me aftësi të kufizuara dhe bashkëmoshatarë të tyre të shkollave normale.
Fillimi është gjithnjë i vështirë, por ne kishim përvojën e shumë projekteve të ndryshme në këtë fushë. Hapja u bë në Laç duke kaluar çdo pritshmëri pasi nga 120 spektatorë që priteshin të ishin të pranishëm, në sallën e Pallatit të Kulturës në Laç u gjendën 450 të këtillë duke e mbushur atë më shumë se kurrë dhe duke e cilësuar shfaqjen tonë si një ndër më të mirat që ishte bërë ndonjëherë në këtë qytet.
Rrugëtimi ynë u shtri në 6 qytete duke na dhënë emocione pa fund, me njerëz që në pjesën dërrmuese të rasteve na falënderonin për atë që kishim bërë. Ky projekt i Caritas-it Shqiptar ridimensionoi aftësinë e kufizuar duke i trajtuar personat me aftësi të kufizuara si të barabart mes të barabartëve.
Gjatë këtij viti ne kemi zhvilluar 11 performanca në 6 qytete duke pasur 2160 spektatorë. Duam të falënderojmë aktorë të mirënjohur të skenës shqiptare, si Roza Anagnosti apo Rajmonda Bulku, që ishin pjesë e jurisë gjatë Festivalit Kombëtar të zhvilluar pranë Akademisë së Arteve Tiranë. Duam gjithashtu të falënderojmë gjithë ata vullnetarë, anëtarë të trupave si dhe gjithë ata njerëz të thjeshtë që na dhanë fuqi për të vazhduar duke na nderuar me pjesëmarrjen e tyre.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për tre regjisorët, R. Nikolla, Gj. Stefa dhe M. Rupi, që me punën e tyre të palodhshme bënë të mundur realizimin e shfaqjeve të një niveli profesional.