Konferenca Kombëtare “Barazi sociale për grupet në nevojë”
Caritas-i Shqiptar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë 20 Dhjetor 2012, organizoi Konferencën Kombëtare me temë “Barazi sociale për grupet në nevojë”. Në këtë konferencë u diskutua rreth ndikimit që biznesi vendas dhe autoritetet lokale mund të kenë në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave në nevojë dhe uljen e varfërisë, mision te i cili Caritas-i është fokusuar ndër vite falë edhe kontribuesve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë.
Mons. George FRENDO, President i Caritas-it Shqiptar në fjalën e tij përshëndetëse tha se nevojtet një angazhim i përgjithshëm dhe pa kompromis për një shoqëri më të drejtë duke theksuar se një event i tillë merr një rëndësi të veçantë duke qenë se zhvillohet në prag Krishtlindje.
Z. Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë vuri në dukje se tashmë ka një sensibilizim të biznesit vendas rreth njerëzve në nevojë duke theksuar se biznesi i kushton një vëmendje të veçantë nismave të ndërmarra nga Caritas-i Shqiptar.
Znj. Ilda Bozo, Drejtoreshë e Departamentit të Strategjive Ndërsektoriale në fjalën e saj u përqëndrua në çështje të legjislacionit në fuqi për grupet në nevojë. Znj.BOZO, theksoi rëndësinë e ratifikimit të Konventës së të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, duke përmendur gjithashtu edhe arritje të tjera të MPÇSHB në këtë fushë.
Më pas Z. Servet Duzha, Kryetar i Bashkisë Cërrik foli për rolin e pushtetit vendor në lidhje me garantimin e barazisë sociale, si dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me Caritas-in Shqiptar.
Z. Albert Nikolla, Drejtor i Caritas Shqiptar, falenderoi bizneset që kanë kontribuar në nismat e ndërmarra në ndihmë të grupeve në nevojë.