Ipeshkvët vizitojnë Mesharin e Gjon Buzukut

buzuku

Ardhja e Mesharit të Gjon Buzukut përbën një lajm të rëndësishëm dhe një ngjarje për të gjithë shqiptarët por veçanërisht për Kishën Katolike në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Ipeshkëvijtë, të mbledhur këto ditë në Asamblenë e tyre të rradhës, kanë vizituar, të shoqëruar edhe nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Aldo Bumçi mesharin dhe dokumentat e tjerë të ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare. Kisha Katolike me klerikët e saj, sikurse kanë qenë të tillë edhe Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë, ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në shekuj.
Në sytë e Ipeshkëvinjve shihej qartë emocioni i takimit me këto dokumenta kaq të rëndësishëm sidomos ai i mesharit të Gjon Buzukut, një dokument themeltar i cili qëndron në fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe. Rastësia ka sjellë që gjatë ditës ipeshkëvinjtë kanë diskutuar rreth përkthimit të mesharit të ri në gjuhën shqipe i cili është një rishikim i atij të përkthyer disa vite më parë. E pikërisht në këtë ditë ata vizitojnë edhe mesharin që një parardhës i tyre ka shkruar në vitin 1555.
Në fjalën tij Ministri Bumçi theksoi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe të Klerit Katolik për ruajtjen dhe lëvrimin e gjuhës. Ai përmendi edhe shkollat e para shqipe në Kurbin, Pllanë e në vende të tjera që kanë qenë të hapura dhe të mbajtura pikërisht prej Klerit Katolik. Gjithashtu Imzot Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, theksoi se sa rëndësi i jep Kisha edhe sot kontributit për shoqërinë dhe ruajtjen e identitetit të shoqërisë shqiptare si dhe lëvrimit të kulturës dhe gjuhës.
Kjo vizitë bëhet edhe në kuadrin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarsisë që Kishën Katolike e shohin të angazhuar me konferenca dhe aktivitete të ndryshme. Gjithashtu kujtojmë se këtë vit Ipeshkëvinjtë katolikë kanë shkruar edhe një letër për të kujtuar 100 vjetorin e Pavarsisë. Ardhja e Mesharit të Gjon Buzukut u bë e mundur nga bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës dhe Vatikanit me punën e palodhur të Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan.

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – — – – – – – – – – – – – – – –

buletin

Buletin Informativ mbi Aktivitetet dhe Iniciativat më të rëndësishme të Caritas-it. Një pasqyrë mbi projektet sfiduese të ndërmarra dhe arritjet e deritanishme shoqëruar me falenderimet për mbështetësit dhe miqtë e Caritas-it. Për të parë versioni online të buletinit klikoni këtu.