“NGRITJA E FONDEVE” është procesi i nxitjes dhe mbledhjes së kontributeve vullnetare të parave ose burimeve të tjera, duke kërkuar dhurime nga individë, biznese, fondacione bamirëse, ose agjensi qeveritare.
Caritas-i Shqiptar beson se shoqëria shqiptare mund të luajë një rol kryesor në luftën kundër varfërisë. Kjo punë mund të realizohet vetëm me mbështetjen e shoqërise duke bashkëpunuar me Caritas-in në zbatimin e programeve të ndryshme dhe duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Tradicionalisht mbledhja e fondeve funksiononte kryesisht duke kërkuar për dhurime në rrugë apo në dyert e njerëzve. Në vitet e fundit kanë ekzistuar forma të reja të mbledhjes së fondeve, të tilla si ngritja e fondeve me anë të Internetit.
Një nga pikat kryesore të programit “Ngritje Fondesh” është bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, e cila ka qenë edhe ura lidhëse me bizneset vendase, tashmë disa prej tyre janë edhe kontributor të rregullt në mbështetjen e Caritas-it Shqiptar në shërbimet për njerëzit më në nevojë në Shqipëri.
Gjatë periudhës së zbatimit të programit “Ngritje Fondesh” është krijuar “Klubi i Miqve” të Caritas-it Shqiptar, i cili përbëhet nga persona të ndryshëm si: njerëz të biznesit, aktorë, artistë, pedagogë, gazetarë si dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët, secili në mënyrën e tij ofrohen të mbeshtesin Caritas-in.
Grupet e synuara të Programit “Ngritje Fondesh” janë:
- Stafi i Caritas-it Shqiptar dhe Stafi i Caritas-eve Dioqezane;
- Vullnetarët;
- Bizneset;
- Media
Fushat e “Ngritjes së fondeve” të Caritas-it Shqiptar:
1. Donatorët tradicionalë;
2. Donatorët jo tradicionalë;
3. Donatorët Privatë:
- Bizneset
- Individët
Objektivat kryesorë të programit “Ngritje Fondesh”:
Objektivi 1. Rritja e kapaciteteve të punonjësve të Caritas-it Shqiptar dhe Stafi i Caritas-eve Dioqezane.
- Zhvillimi i trajnimeve për stafin kombëtar dhe stafin dioqezan, me trajnues të huaj brenda dhe jashtë vendit;
- Takime me grupet e vullnetarëve në 3 Dioqeza.
Objektivi 2. Bashkëpunimi me bizneset, të cilat japin kontributin e tyre në lekë dhe/ose në natyrë.
- Gjatë periudhës së zbatimit të këtij programi janë kontaktuar mbi 30 biznese;
- Aktualisht disa biznese mbështesin shërbimet e Caritas-it Shqiptar.
Objektivi 3. Mobilizimi i komunitetit.
- Organizimi i fushatave sensibilizuese në 3 dioqezat ka bërë të mundur që komuniteti të ndërgjegjësohet duke dhënë kontributin e tyre për njerëzit në nevojë.