Qendra Ditore “Jetë në Zhvillim” ka ofruar shërbim prej 14 vitesh në Arrameras, Fushë-Krujë, Bashkia Krujë. Nga muaji mars 2024 ky shërbim është zhvendosur pranë njësisë administrative Bubq, Bashkia Krujë. Kjo zhvendosje është realizuar falë bashkëpunimit me Bashkinë Krujë, e cila ka ofruar ambiente bashkëkohore për implementimin e këtij projekti.

Kjo qendër ofron shërbime sociale për 15 Persona me Aftësi të Kufizuara Intelektuale, të grupmoshës 15- 35 vjeç. Përfshirja e këtyre personave në komunitet ka qenë dhe është një nga principet kryesore të Caritas Shqiptar, i cili falë mbështetjes financiare të Caritas Austria ka bërë të mundur ngritjen e kësaj qendre dhe funksionimin e saj prej vitit 2010. Personat me aftësi të kufizuara janë midis nesh, të gjithë së bashku të bëjmë të mundur që ata të jenë të vlefshëm për veten, për familjet e tyre si dhe për komunitetin ku bëjnë pjesë. Ne punojmë për ndërtimin e një shoqërie me vlera dhe në të cilën dinjiteti i çdo individi mbrohet dhe respektohet pa marrë në konsideratë ndryshimet apo karakteristikat individuale.

Veprimtaria e qendrës ditore:

  • Orientim për klientin drejt zhvillimit të aftësive, njohurive dhe vetëkuptimit të tyre.
  • Aktivitete me fokus promovimin e vlerave dhe potencialeve të personave me aftësi të kufizuara.
  • Pjesëmarrje në organizime të ndryshme sportive dhe kulturore.
  • Funksionimi i rrjetit midis familjarëve të personave me aftësi të kufizuara që frekuentojnë qendrën sociale dhe më gjerë.
  • Fushata për sensibilizimin e pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë socialë për hartimin dhe implementimin e planeve lokale për arsimimin, punësimin dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse në nivel komunitar.

Aktivitetet që zhvillohen në qendër ndihmojnë në krijimin e modelit të qëndrueshëm social duke kontribuuar për një komunitet përherë e më gjithëpërfshirës. Aktivitetet që zhvillohen çdo ditë në qendër janë si më poshtë:

  • aktiviteti i dekupazhit,
  • aktiviteti i kompjuterave,
  • aktiviteti i qirinjve.
  • terapia okupacionale
  • life skills
  • muzikoterapi
  • aktiviteti i kopshtarisë
  • aktiviteti i rrobaqepësisë
  • promovimi shendetësor
  • aktivitete sportive

Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është përmirësimi i procesit të socializimit, të motorikës fine dhe globale, rritja e përqëndrimit, vetëvlerësimit, vetëbesimit dhe autonomisë.

Qendra ofron shërbim 5 ditë në javë, nga e hëna në të premte. Aktiviteti ditor fillon në orën 08:00 me mbledhjen e përfituesve pranë banesave të tyre deri në orën 14:00 ku fillon shpërndarja e tyre

në shtëpi. Aktivitetet ditore zhvillohen sipas planit javor. Gjatë paradites punojnë të ndarë në grupe në aktivitetet përkatëse. Çdo ditë në qendër ofrohet vakti ushqimor i drekës, sipas një menuje të bazuar në ushqyerjen e shëndetshme.

Pas drekës për personat përfitues kemi hartuar një plan aktivitetesh sociale ku mund të luajnë futboll, bilardino, kinema, karaoke, lojra tavoline dhe edukative, animacion, meditim. Atyre u është bërë e qartë se këto aktivitete nuk janë të detyrueshme megjithëse janë shprehur se ndihen të kënaqur. Këto shërbime sociale për PAK që ne ofrojmë, nxisim dhe mbështesim gjithëpërfshirjen, integrimin e tyre në komunitet, u përgjigjen kërkesave dhe nevojave për mbështetje për një jetë sa më të pavarur. Kemi realizuar panaire të ndryshme me punime artizanale që ata mund të punojnë, të cilat janë pëlqyer shumë nga komuniteti. Gjithashtu zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese sipas një plani aktivitetesh. Në qendër sigurohet një personel i mjaftueshëm me kualifikimet e duhura për shërbimet që ofrohen. Çdo punonjës është kujdestar i një grupi afërsisht prej pesë përfitues dhe personeli vazhdimisht trajnohet brenda dhe jashtë vendit. Në mënyrë periodike personeli paraqet përshkrimin e tij të punës me dosjet përsonale të çdo PAK që ai ka nën vëzhgim, si plani individual, kartelat e vlerësimit, profili dinamik etj. Ajo çka e dallon këtë qendër me të tjerat është identifikimi i aftësive pozitive dhe puna e orientuar drejt këtyre aftësive. Këto aftësi vihen në funksion të përmirësimit të talenteve të ndryshme që këtij grupi individësh nuk i mungojnë. Kjo gjë do të sjellë tek ata arritje të ardhurash, përmirësim të vetëvlerësimit dhe për rrjedhojë krijimin e autonomisë.

 

Drejtues Didaktik:    Edmond Gjini

E-mail:                             jetenezhvillim@hotmail.it

Tel:                                   0682047928