Workshop – i IV i projektit NET-AGE
Caritas Shqiptar në kuadër të Projektit “Promovimi i zhvillimit shoqëror rajonal duke nxitur shkëmbimin e informacionit midis aktorëve kryesorë që sjellin risi në ofrimin shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e moshuar”/ NET-AGE, organizoi pranë mjediseve të Caritas-it Shqiptar Workshop –in e IV. Në këtë takim morën pjesë punonjës të Këshillit të Qarkut Lezhë, përfaqësues të moshës së tretë dhe përfaqësues shoqatash dhe organizatash të ndryshme vullnetare që kujdesen për këtë kategori personash. Në fillim të takimit u prezantuan objektivat e workshop-it dhe metodologjia. Pjesëmarrësit nëpërmjet prezantimet theksuan edhe pritshmëritë e tyre për këtë takim si dhe folën mbi situatën e moshës së tretë në Shqipëri. Menaxherja e projektit prezantoi modelin e kujdesit të integruar për moshën e tretë. Në lidhje me axhendën ajo prezantoi rekomandimet e tre workshop-eve të para. Gjatë diskutimeve të shumta u shkëmbyen informacione dhe mundësi përsa i përket shërbimit të integruar në komunitet, u vu theksi mbi problematikat që has kjo moshë, mbi nevojat e tyre. Një problem kryesor që shqetësonte të moshuarit është mungesa e shërbimeve. Duke qenë se kjo moshë po braktiset dita ditës ata kërkojnë vëmendjen e qeverisë dhe krijimin e shërbimeve për lehtësimin e jetës së tyre. Të shtohen qendrat ditore dhe mjediset ku këta persona mund të përfitojnë shërbime të ndryshme. Ata theksuan se nuk kanë përfaqësim në nivel lokal dhe kjo është shumë e rëndësishme. Askush më mirë se ata nuk i njeh problemet dhe nevojat e kësaj grupmoshe. Është shumë i rëndësishëm miratimi i statusit së të moshuarve.
“Duhet të ngrihet zëri për moshën e tretë dhe jo të lihet në harresë, kësaj moshe i duhet dhënë dinjiteti që i takon”, theksuan në fjalën e tyre të moshuarit. Ata gjithashtu nënvizuan edhe rëndësinë e sensibilizimit të popullatës për këtë kategori në mediat sociale. Ndër pikat kryesore të këtij workshop-i ishte edhe prezantimi i nismës për hartimin e dokumentit politik për kujdesin e integruar për të moshuarit.
Nisma për hartimin e rekomandimeve konkrete për sa i përket shërbimeve integruese në komunitet në dobi të qytetarëve u pranua mirë dhe u vlerësua si një instrument i munguar deri më tani duke zbuluar rëndësinë e madhe që do të përpunohen nga disa institucione që vijnë nga sektori publik dhe privat.
Gjatë diskutimeve të tyre, u ra dakord që propozimi për hartimin e një dokumenti të tillë t’i paraqitet me shkrim Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe ministrive dhe institucioneve të tjera në nivel kombëtar dhe lokal dhe palëve të interesuara. Ky dokument do të jetë një nxitje e fortë me qëllim për të arritur zbatimin e masave konkrete në dobi të diversifikimit të shërbimeve në komunitet për të moshuarit. Pjesa e dytë e takimit konsistoi në punën në grupe. Secili grup do të zhvillonte temën “Vlerësimi i situatës aktuale në lidhje me shërbimet integruese në komunitet për të moshuarit dhe prioritizimin e nevojave” dhe do dilte me rekomandimet përkatëse.
Në vijim secili grup prezantoi punën e zhvilluar në grupe. Pjesmarrësit bashkëndanë përvojat dhe njohuritë e tyre përsa i përket shërbimit të integruar dhe nevojave që has kjo kategori. Ata sollën modele dhe mënyra se si mund të përshtaten në nivel lokal këto shërbime nga vende të tjera.
U propozua organizimi i një Konference Kombëtare për moshimin aktiv, e cila u vendos të mbahet më 1 Tetor 2015 dhe nga grupi i pjesëmarrësve u zgjodhën përfaqësuesit që do të ndihmojnë në organizimin e kësaj Konference.
Ky takim u mbyll me disa rekomandime:
Adresimi i çështjes me shkrim Ministrisë së Mirëqënies Sociale nëpërmjet një dokumenti, i cili do të përmbajë:
- Ngritja e Këshillit Kombëtar për të moshuarit, i ndjekur nga këshilla rajonal dhe lokal me pjesëmarrje të të moshuarve.
- Hartimi i një Plan Veprimi për moshimin dhe buxhetimin me pjesëmarrjen e të moshuarve.
- Ideimi dhe organizimi i tryezave të konsultimeve me nismë të Ministrisë ose të organizatave me pjesëmarrje të të moshuarve, që shqyrtojnë hartimin dhe zbatimin e politikave sociale.
- Përshpejtimi i miratimit të Statusit të Moshuarve me pjesëmarrje të target grupit të interesuar.
- Miratimi i ligjit për sipërmarrjen sociale për diversifikimin e shërbimeve për të moshuarit.