Në 24 dhjetor 2014, në mjediset e hotel “Diplomat Fashion” u bë prezantimi i WEB-it të ri “Pa Barriera” www.pabarriera.al. Ky web u realizua në kuadër të projektit “Të jesh aktiv-pa barriera”, i financuar nga Agjencia Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Caritas-i Austriak. Ky web merr parasysh të gjitha nevojat e personave me aftësi të kufizuar për të aksesuar informacionin. Aksesueshmëria e informacionit nga personat me aftësi të kufizuar është një e drejtë sipas Konventës së të drejtave të këtyre personave. Në këtë web janë përfshirë informacione të punës së Caritas-it më këta persona që nga viti 2008. Realizimi i këtij web-i ka marrë parasysh të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikët, tetraplegjikët, disleksikët, të verbërit. Për të bërë të mundur aksesueshmërinë e informacionit nga të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar është zgjedhur një programim i veçantë. Kjo faqe përbën një risi në Shqipëri. Nuk ekzistonte në vendin tonë një faqe e tillë web-i me informacione të aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuar, megjithëse ky është një detyrim ligjor për të gjitha institucionet. Faqja u ideua me prespektivën se një person me aftësi të kufizuar mund ta lexojë faqen. Fotos i vihet një shpjegim që nuk duket, por programi e lexon për të verbërit. Faqja lexohet me seksione dhe programi ta shpjegon se çfarë përmban faqja, sa sesione ka, sa linqe ka.
Por ky program për momentin nuk ekziston në shqip. Nëpërmjet kësaj faqeje i jepet mundësia një personi me aftësi të kufizuar të marrë informacione të ndryshme. Në fjalën e saj menaxherja e projektit Znj. Elona Memetaj theksoi se është menduar të bëhet diçka që të jetë e aksesueshme për të gjithë, të mos përjashtohet askush. Të gjitha stafet e projektit duhet të dërgojnë materiale që pasqyrojnë zhvillimet e aktiviteteve. Në brendësi të kësaj faqeje ka edhe materiale promocionale të publikuara më parë. Gjithashtu ajo bëri një prezantim dhe një shpjegim të të gjitha rubrikave të pranishme në faqe. Tek Rubrika “Evente” do të pasqyrohen ngjarjet e ndryshme, aktivitetet e zhvilluara në të gjitha zonat e zbatimit të projektit. Rubrika “Dhuro” të jep mundësi të dhurosh nëpërmjet numrit të llogarisë së vënë në dispozicion nga Caritas-i. Rubrika “Art dhe kulturë” synon fushata masive në komunitet për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, por edhe ndërgjegjësimin e shoqërisë civile për të kontribuar në këtë përfshirje. Rubrika “Shërbime” do të përfshijë të gjitha shërbimet që ofrohen në komunitet për personat me aftësi të kufizuar si nga rrjeti Caritas ashtu edhe nga struktura të tjera private dhe publike. Në këtë faqe kemi bashkëngjitur edhe rrjetet sociale facebook, twitter, issum. Janë të ftuara edhe shoqata dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bashkëndajnë informacionet apo aktivitetet e tyre. Sfida e arritur e kësaj faqeje janë personat e verbër dhe tetraplegjikët.