qershor1 12 qershori shënon ditën botërore kundër punës së femijëve. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e shpalli këtë ditë për herë të parë në 2002 si një mënyrë për të nxjerrë në pah gjendjen e këtyre fëmijëve.

12 qershori ka për qëllim të shërbejë si një katalizator për rritjen e lëvizjes në mbarë botën kundër punës së fëmijëve. Ndikimi i shpalljes së kësaj dite reflektohet në numrin e madh të ratifikimeve të Konventës nr. 182 të ILO mbi format më të këqija të punës së fëmijëve dhe Konventës së ILO Nr. 138 mbi moshën minimale për punësim.

Në botë mbi 215 milionë djem dhe vajza punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës. Ndërkohë sipas Ministrisë së Punës në Shqipëri, të dhënat flasin për rreth 540 fëmijë që punojnë në sektorin formal dhe 315 të tjerë janë të përfshirë në format më të këqija të punës, veçanërisht fëmijë që punojnë në rrugë, ekspozohen ndaj rreziqeve të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual. Nën moton “Jo Punës së Fëmijëve: Ajo mohon Fëmijërinë” organizatat në mbrojtje të fëmijëve kanë apeluar në një konference të përbashkët duke hartuar plane konkrete me qëllim minimizimin e këtij fenomeni.

qershor2 Gjithashtu dhe Caritas-i Shqiptar kërkon vëmendjen e të gjithëve në një ditë si kjo, për të bërë apel dhe për të reflektuar në parandalimin e tij, duke përfshirë të gjithë shoqërinë, që nga nivelet më të larta të politikbërjes deri te individët të cilët luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë.

Shtresat e fëmijëve që preken sot nga puna e zezë janë pikërisht shtresat e fëmijëve romë. Këtë vit institucionet shtetërore kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese duke rritur ndërgjegjësimin mbi këtë fenomen dhe pasojave negative që ka në shoqëri. Por Organizata Botërore e Punës, ILO, sqaron se jo të gjitha punët që kryejnë fëmijët dhe adoleshentët duhen eleminuar. Pjesmarrja e fëmijëve ose e adoleshentëve në punë që nuk ndikon në shëndetin dhe zhvillimin e tyre personal, ose që nuk ndërhyn në shkollimin e tyre, në përgjithësi konsiderohen si pozitive.

qershor3Kjo përfshin veprimtari të tilla si të ndihmosh prindërit rreth shtëpisë, të ndihmosh në një biznes familjar ose për të fituar para jashtë orëve të mësimit dhe gjatë pushimeve shkollore. Këto lloje aktivitetesh kontribuojnë në zhvillimin e fëmijëve dhe në mirëqenien e familjeve të tyre. Këto punë të lehta ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët në përgatitjen e tyre për të qenë anëtarë produktivë të shoqërisë gjatë jetës së tyre si të rritur.