Një shembull për t’u ndjekur

fotoekspozite225-30 Prill 2013, pranë mjediseve të Galerisë Fab – Tiranë, piktorja franceze Znj. Beatrice Richard de Saint Jean organizoi ekspozitën duke marrë vlerësimin maksimal nga vizitorët. E veçanta e kësaj ekspozite nuk qëndron në faktin se është një eveniment jo i zakonshëm, as për faktin që kjo piktore është e huaj, por për dimensionin social që e karakterizon eventin. Në një kohë ku materializmi është kthyer në kult, në këtë botë ku shpesh dhuntitë përdoren si instrumenta krenarie dhe jo si dhuratë e Zotit, Beatrice na sjellë një shembull ideal për t’u ndjekur.

Duke qenë se ka ndjekur nga afër disa prej shërbimeve tona dhe e ndikuar nga besimi i saj, që ndez dëshirën për t’i ardhur në ndihmë më të dobtëve dhe më të varfërve, ajo i dhuroi Caritas-it Shqiptar një të tretën e fitimit, të siguruar nga shitja e pikturave. Znj.Beatrice ka mundësuar dhënien e fondit në ndihmë të qendrës së kujdesit ditor për fëmijë dhe të rinj me aftësi ndryshe në Fushë-Krujë. Qendra frekuentohet çdo ditë nga 34 përfitues, për të cilët mundësohet shërbim i kualifikuar nga një staf kompetent dhe që synon aftësimin e përfituesve dhe orientimin e tyre drejt tregut të punës.

Caritas-i Shqiptar vlerëson kontributin e Znj. Beatrice Richard de Saint Jean dhe apelon që të gjithë të tregojmë më shumë vëmendje dhe dashuri për personat me aftësi ndryshe, dhe marrjes së përgjegjesive sociale për një shoqëri që promovon barazinë sociale dhe përmbush të drejtat e grupeve në nevojë për një jetë dinjitoze.

Në ceremoninë e dorëzimit të kontributit morën pjesë Shkëlqesia e Tij Imzot George FRENDO, President i Caritas-it Shqiptar, Dr. Albert NIKOLLA, Drejtor i Caritas-it Shqiptar si dhe stafi. Drejtori i Caritas-it Shqiptar Albert P. Nikolla ka dërguar një mesazh falënderimi për secilin prej blerësve të pikturave.