mosha treteApel për moshën e tretë në Shqipëri

Ata i sheh të ulur diku në një cep duke luajtur domino me njëri-tjetrin si ndër të paktët argëtime që u mbetet, duke tërhequr ilaçe nga më të lirat që i përfitojnë përmes skemës së rimbursimit, e në të shumtën e rasteve të shndërruar në ‘shërbëtorë’ të brezave më të rinj. Mosha e tretë në Shqipëri duket se është lënë në harresë, sepse në çdo program e lobim politik flitet pothuasje vetëm për rininë dhe forcën aktuale të punës.

Çfarë po ndodh me brezin e pensionistëve në vendin tonë? Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës në Shqipëri mosha e tretë përbën rreth 9% të popullsisë, e me shumë gjasa kjo përqindje pritet të rritet vitet në vazhdim. Censusi 2011 tregoi se Gjirokastra ka popullsinë më të moshuar në vendin tonë, kurse Kukësi më të renë.

Duke iu referuar vëzhgimeve të fundit të organizatave të shoqërisë civile ai has një sërë problematikash mes të cilave spikasin mungesa e standardeve për ofrimin e shërbimit në banesë për të moshuarit; kuadër ligjor jo i plotë dhe mungesë e mekanizmave monitorues; mungesa e burimeve financiare për financimin e shërbimit në banesë; mungesë e vullnetit politik të qeverisë qendrore dhe lokale për buxhetimin e shërbimeve në banesë për të moshuarit.

Me synim promovomin dhe zhvillimin e punës vullnetare për shërbimin në banesë në funksion të reduktimit të kostove dhe ruajtjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe social për të moshuarit u mbaj takimi i dytë i NET-Age Caritas Albania, ku u bë një prezantim i problematikave që hasin personat e moshas së tretë në Shqipëri.

“Duke qënë se ne jemi ende një kulturë e orientuar nga familja, ofruesit kryesor të kujdesit në shtëpi për të moshuarit mbeten familjarët dhe kjo është një pikë shumë e fortë dhe e rëndësishme. Kur flasim për organizata private apo publike që operojnë në këtë sektor shohim se hendeku është shumë i madh dhe kuptohet që shërbimi në banesë nuk është një pikë strategjike për organizatat jofitimprurëse. Në territorin e Republikës së Shqipërisë janë vetëm dy organizata që ofrojnë shërbim në banesë për të moshuarit: Caritas Shqiptar, që e ofron këtë shërbim falas për 56 të moshuar, dhe Fondacioni Kennedy”,-thanë përfaqësues të Caritas-it për Gazetën IDEA.

Caritas Shqiptar në bashkëpunim me organizatat e tjera të shoqërisë civile ka evidentuar edhe të tjera problematika që has mosha e tretë në Shqipëri: Mungesë e sistemit të grumbullimit dhe shpërndarja së të dhënave për të moshuarit; mungesë e theksuar e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile si dhe me strukturat qeverisëse në nivel qendror dhe lokal; solidariteti midis brezave në nivele minimale, të pakta nismat per mobilzimin dhe kultivimin e solidaritetit.

Sipas vëzhgimit të terren rezulton se të rinjtë nuk njohin problematikat dhe rëndësinë e shoqërimit të moshuarave, nuk ka përcaktim dhe orientim të qartë në përfshirjen e të rinjve në aktiviteteve në ndihmë të moshuarve.

Caritas-i apelon se duke patur parasysh ndryshimet demografike të pakontrolluara dhe rritjen e popullatës së moshuar në vendin tonë, adresimi i duhur i problematikave të ngritura më sipër është shumë i rëndësishëm.

Net-Age inkurajuan pjesëmarrësit që të punojnë së bashku në partneritet në nivel lokal dhe në nivel Adriatik dhe për të ofruar shërbime të reja sociale/shëndetësore për njerëzit e moshuar, në përpjekje për të garantuar plakje aktive të shëndetshme dhe të pavarur!

Shkruar nga: Dorina Bilbili

http://www.gazetaidea.com/braktiset-mosha-e-trete-te-varur-nga-familja-apel-per-sherbime-ne-banese/