Emergjenca e Borës (13.02.2012)


Situata në veri të vendit vazhdon të jetë kritike dhe gjate fundjavës është përkeqësuar. Në shumë zona niveli i borës ka arritur në 3 m lartësi. Shumë komuna janë të izoluara totalisht dhe drejtuesit e tyre kanë bërë thirrje për ndihmë. Shumë familje po gjenden pa rezerva ushqimore, dyqanet janë boshatisur dhe bllokimi i rrugëve e bën të pamundur furnizimin e tyre, duke e bërë kështu këtë emergjencë akoma më të veshtirë. Mësimi është ndërprerë në pjesën më të madh të vendit.

Vështirësitë paraqiten edhe në anën shëndetësore ku problemet më të mëdha paraqiten nga të moshuarit, fëmijët dhe disa raste të grave shtatëzana që kanë shfaqur komplikacione. Autoritetet lokale dhe shtabet e emergjencave po i bëjnë thirrje të gjithë aktorëve privat dhe shoqërisë civile të japin kontributin e tyre pasi situata po rëndohet. Që prej datës 11 Shkurt ka veshtirësi edhe për transportin me helikopter pasi mjegulla nuk ka lejuar uljen e tyre në zonat që kanë kërkuar ndihmë. Caritas Shqiptar ka vepruar me shpejtësi që në momentet e para. Rrjeti i bashkëpunëtorëve ka qenë një pikë e fortë. Të tre Dioqezat e prekura nga kjo emergjencë kanë përditësuar Caritas-in Shqiptar në vazhdimësi për nevojat e paraqitura nga zonat më të prekura. Ndërhyrja e parë u realizua me mundësitë e brendshme të Caritas Shqiptar që kryesisht ka qenë ndihma ushqimore për familjet e izoluara. Në datën 9.02.2012 ngarkesa e parë u dërgua në Dioqezen e SAPES e cila konsistoi më së shumti në ushqime dhe një sasi me batanije dhe rroba. Vullnetarët e kësaj dioqeze kanë komunikuar me famullitë më të prekura për të operuar me shpërndarjen e pakove. Në datën 10.02.2012, 100 pako ushqimore janë dërguar në Dioqezen e Rrëshenit e cila ka edhe një numër të madh familjesh të izoluara nga bora. Shpërndarja është realizuar nga vullnetaret në bashkëpunim me komunën e Shupenzës. Këta persona kanë bërë të mundur shpërndarjen vecanërisht në familjet më të varfëra. Më datë 11.02.2012 pas kontakteve të vazhdueshme me drejtorin e Caritas Shqiptar, Dr. Albert P. Nikolla dhe Mons. Lucian Avgustini, Ipeshkv i Dioqezes Sape është dërguar një ngarkesë me miell dhe vaj në dioqezën e SAPES pasi situata është e rënduar për shkak të mungesës së bukës për një numër të madh familjesh pasi tashmë transporti nëpërmjet rrugëve tokësore është i pamundur.

{youtube}-4ofnA7Ywm4{/youtube}