Pa asnjë hezitim, emergjenca kosovare mund të konsiderohet momenti më kulmor, i tërë veprimtarisë së shtrirë në harkun e 10 vjeçarit të parë të aktivitetit të Caritas Shqiptar. Në planin human e për më tepër në planin pastoral, nevojat e krijuara, që me fillimet e ardhjes së refugjatëve, imponuam veprime të sensibilizuara, të shpejta dhe me organizim të përsosur. Baza e shtrirjes së programit të emergjencës, apo qoftë edhe formimi i rrjetit aplikativ për kushte krejt specifike, sigurisht që zgjidhjen do ta gjenin përmes bashkëveprimit dhe lidhjeve të pandërprera me Caritas-et Dioqezane e strukturat permanente të kishës.
Sapo refugjatët kosovarë filluan të vërshojnë drejt qyteteve të Shqipërisë, duke studiuar të tensionuar precipitimin e situatës akute, menjëherë vendosëm në dispozicion gjithçka kishim.

Asistence me ekonomike ushqimore
–    Në këtë situatë kaq të ndërlikuar e specifike, për Caritasin tonë, karakteristike për shërbimin e kryer në tërësi, ishte shumëllojshmëria e zërave të punës. Duke pasur parasysh se kërkesat njerëzore janë të gjithanshme, për të mbuluar nevojat e ndryshme që i vumë vetes, na u desh që të angazhojmë një sërë personash. Për këtë, sipas statistikave të nxjerrë, në menaxhim për shërbimet e ndryshme që ne ofruam morën pjesë 8 431 persona. Në ushqime, duke filluar që nga minimalja, shpërndarja e frutave të freskëta, sukot, apo edhe suplemente të tjera ushqimi të freskët, shërbimi ynë ishte për 50 592 persona. Ndërsa për sa i përket sendeve të tjera të domosdoshme për të organizuar jetesën, duke nisur nga krevatet, dyshekët e batanijet dhe duke vazhduar më tej, me tenxheret për të gatuar, mjetet e ndryshme për të organizuar kërkesat e jetës së përditshme e deri karrocat për të sëmurët, statistikat, na ballafaqojnë me shifrën e shërbimit për 41 417 persona. Në shërbimin e drejtëpërdrejtë të Caritasit, u shpërnda ushqim i ngrohtë për 6 087 persona. Në vendet ku nuk kishte ujë na u kërkua dërgimi i ujit të pishëm dhe shifra e personave që iu dha sistematikisht ujë arriti në 13 687 vetë.
Asistence formimi per femijet kosovare
–    Rëndësi të madhe, për ne, në ato ditë mori edhe përkudesja e formimit për fëmijët kosovarë. Caritasi kreu një sërë ndërhyrjesh mjaft të vëmendshme në këtë aspekt. U angazhuan me pagesë mësues dhe mësues kosovarë të ardhur së bashku me retugjatët e tjerë. Për këtë tip shkollimi, shërbimi ynë shkoi në favor të 13 476 fëmijëve. Të ndikuar nga larmia e kërkesave jetësore nëpër kampe apo edhe nevojat e tjera të të strehuarve nëpër shtëpia, kërkesat për shërbime të ndryshme sociale të karakterit, si shërbime transporti për në spitale, angazhim në problemet psikologjike apo socio-asistenciale apo qoftë edhe për t’i ofruar fëmijëve lojën e për t’u marrë me ta, pati një shërbim për 13 851 persona.

Asistence per bashkimin e familjeve kosovare te ndara
–    Për familjet e ndara, që nuk diheshin ku ishin anëtarët, në përpjekjen për të kërkuar e bashkuar njërëzit (duke përdorur telefonat apo çdo paisje që disponojmë), i kemi shërbyer 4 322 personave.

Asistence ne fushen e shendetesise
– Në fushën e shëndetësisë bashkëpunimi me qendrat Caritas (ku dukshëm është ndjerë kontributi i motrave), nëpër pikat e ndryshme ambulatore, të cilat i kemi pajisur më së miri me të gjitha medikamentet e pajisjet që kërkonte gjendja imediate, solli shërbim shëndetësor në favor të 34 773 personave. Shumëllojshmëria e shërbimeve shëndetësore, çoi gjithashtu edhe në zgjidhje nga më të ndryshmet; këtu vlen të përmendet kontributi i dukshëm që dhanë edhe pesë klinikat e lëvizshme, nga Caritas Danimarka, të cilat iu përgjigjën më së mirë gjëndjes, sidomos në momentet e para të kthimit në Kosovë të refugjatëve.

Konkluzione
Në konkluzion të këtij grupi specifik të dhënash statistikore Caritas-i i ka shërbyer afërsisht 70 000 personave.
Në vija të përgjithshme statistika e Caritas-it Shqiptar flet edhe për akomodimin e 8 813 personave nëpër ndërtesat publike, 571 të tjerë nëpër shtëpitë private, 3 557 personave në institucionet e kultit dhe 7 054 personave të tjerë, nëpër çadra. Roli thelbësor i Caritas-it, për të gjithë ata që janë strehuar nëpër familje është ndjerë nga 47 542 vetë.