Mikroprojektet apo projektet e postemergjencës u zbatuan në mars 1997 – dhjetor 1998 me shtrirje në të gjithë territorin shqiptar. Me shkatërrimin e firmave piramidale, vendi u gjend në një situatë të dobësimit të shtetit, gjë që solli hapjen e depove të armëve. Kështu, situata u ndërlikua së tepërmi dhe trazirat reflektuan drejtpërsëdrejti në një rënie drastike të ekonomisë. Për familjet e rrënuara ekonomikisht për arsye të humbjes së vlerave të mëdha monetare në firmat piramidale, tashmë nuk mbeteshin alternativa normaliteti. Prandaj, objektivi i këtij projekti synonte që të ndihmonte drejtpërsëdrejti popullsinë e goditur. Ndërhyrja e Caritas-it Shqiptar u mbështet fuqishëm nga Caritas-e të vendeve të ndryshme me kontribute financiare; u vendos që gjithçka duhej administruar si ndihmë humanitare për familjet e varfëra dhe më të goditura nga situata e krijuar në Shqipëri. Nuk duhet lënë mënjanë rëndësia e bashkëpunimit me misionarët, që evidentuan rajonet më në nevojë, si dhe mënyrën se si do të ndërhyhej. Përfundimisht u përfundua duke nënvizuar se mënyra më e përshtatshme e ndihmës në shumë projekte, ishte hapja e fronteve të punës dhe punësimi për familjet më të varfëra. Pra, ndihma nuk mund të jepej as me pako ushqimore e as me të holla direkte, por vetëm nëpërmjet kontributit dhe punës që do të ofrohej, në funksion të përmirësimit të gjendjes mjedisore të vetë të interesuarve.
Nga të gjithë misionarët dhe kishat lokale, u evidentuan punime të nevojave publike, duke nisur nga riparimi dhe ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i urave të vogla, riparimi i ujësjellësve, sistemimi i kanaleve të ujërave të zeza, riparimi i varrezave etj. Përgjithësisht mikroprojektet (u quajtën kështu, sepse kishin vlera jo më të mëdha se 2500 $), ishin të studiuara në mënyrë të atillë, që 70% e financimit të shkonte për pagesën e punës së të interesuarve nga familjet në nevojë. Ndërkohë iu dha përparësi një studimi të thellë e të shpejtë mjedisor, duke mos ndërmarrë asnjë hap përpara, pa vendosur mbi domosdoshmërinë e nevojave të hapjes së frontit të punës. Diagnostikimi i gjendjes u përshpejtua nga prania e misionarëve nëpër zonat përkatëse. Pikërisht misionarët në bashkëpunim të afërt me pushtetin lokal u bënë edhe drejtuesit e projekteve. Sigurisht, teknikisht orientimi, u bë nga specialistët e komunave dhe bashkive nëpër zona. Caritas-i Shqiptar mbikqyri në mënyrë koherente ecurinë e projekteve duke u angazhuar aktivisht në konsultat e përbashkëta, në dhënien e ideve, në kontrollin e korrektësisë teknike etj.