5 VJET TE SHPREHURA ME 5 FJALE

Reflektim mbi mandatin e parë si Drejtor i Caritas-it Shqiptar.

 1. Faleminderit.

Nuk gjej dot fjalë të përshtatshme për ta shprehur ndjesinë time për të falenderuar dhe shprehur mirënjohjen time të thellë  për të gjithë Ju Ipeshkvinj të Nderuar, dhe në mënyrë të veçantë për Imzot George Frendon me të cilin pata fatin e madh të ndaj këtë përvojë, që pa hezitim, do ta quaja të jashtëzakonshme. “Faleminderit” është një fjalë e madhe që na kujton Krishtin në darkën e fundit. “Pastaj mori bukën, u falenderua, …” Luka (22, 19-20). Nuk mund të mos i referohem kësaj fjalë të Krishtit e cila përbën thelbin e kremtimit të Eukaristisë. Jam përpjekur, me gjithë kufizimet e mia, që kjo fjalë të udhëheqë gjithë punën time gjatë këtyre 5 viteve. Ajo që ishte e jashtëzakonshme kishte të bënte me faktin se kalova nga “etika” si spekullim filozofik e akademik, me punën që bëja si pedagog në universitet, tek “etika” pranë njerëzve në nevojë. Kuptova se janë dy gjëra të ndryshme dhe përvoja me Caritas-in më ka ndihmuar shumë në thellësinë shpirtërore të lutjeve të mia dhe  për këtë mirënjohja ime nuk do të mungojë kurrë dhe mendoj se me mbështetjen Tuaj arrita të jap një kontribut të mirë që mundëson vazhdimësinë, siç thotë Oraci: “Dimidium facti, qui coepit habet” (Orazio. Epistole, I, 2, 40.)

2. Përmasë e fortë shpirtërore.

Prania e Imzot Frendos, si President i Caritas-it gjatë këtij mandati, i ka dhënë aktiviteteve tona një përmasë të fortë shpirtërore. Mendoj se ky ka qënë një fat i madh për Caritas-in dhe për gjithë punonjësit e tij sepse siç na kujtonte Papa Pali VI, themelues i Caritas-it Italian, në vitin 1971, në punën e Caritas-it duhet mbajtur parasysh se: “Përtej çdo akti të thjeshtë ndihme materiale të aktiviteteve tuaja, duhet të dalë i qartë funksioni pedagogjik dhe edukues i Caritas-it”. Gjatë gjithë këtyre viteve, takimet me Imzot Frendon në kremtimin i Eukaristisë, në momentet e përbashkëta të punës dhe momente të tjera gëzimi e hareje të bashkëndarë, ai nuk reshti kurrë duke na mësuar se në punën tonë të përditshme, tek çdo person në nevojë duhet të shikojmë imazhin e Krishtit që vuan. Fjalët e tij na kumbojnë përherë në mendjet e zemrat tona me atë thjeshtësinë që e karakterizon Imzot Frendon. Thoshte në fakt Isak Njutoni: “E vërteta gjendet përherë tek përvujtëria”. Të gjithë punonjësit e Caritas-it bashkëndajnë gëzimin për faktin se ai e udhëhoqi baritoren sociale në këto 5 vite me dashuri, përvujtëri e vërtetësi duke vënë në jetë në mënyrë perfekte atë që na mëson Papa Benedikti i XVI: “Ata që punojnë në institucionet bamirëse të Kishës Katolike duhet të dallohen për faktin se nuk kufizohen vetëm në përmbushjen me profesionalizëm të nevojave të momentit, por që dedikohen kundrejt të afërmit me përkujdesje që u vjen prej zemrës.” (Deus Caritas Est. N°. 31).                                                                                                                                            Jam i sigurt se në punën e gjithë strukturave të Caritas Shqiptar ky ka qënë dhe do të jetë modeli që udhëheq punonjësit tanë gjatë aktiviteteve të tyre.

3. Projekte të reja.

Përveç projekteve tradicionale që vazhdojnë me Caritas-in Europian, Italian, Spanjoll dhe Francez, në 5 vitet e këtij mandati, Caritasi ka arritur të ngrejë projekte të reja në sajë të rifillimit të bashkëpunimit me Caritasin Gjerman, Austriak. Siç dihet, këto Caritas-e e patën ndërprerë bashkëpunimin me Caritas Shqiptar për një kohë të gjatë. Tani ata janë kthyer në mbështetës të fuqishëm të Caritas-it për projektet e emergjencave natyrore, për personat me aftësi të kufizuara dhe për fëmijët e braktisur. Vlen të përmendet si sukses impakti i Caritas-it në të gjitha emergjencat që kanë ndodhur vitet e fundit dhe për këtë arsye kemi patur mirënjohjen e të gjitha strukturave të Qeverisë Shqiptare.                    Është hapur një projekt i ri në Dioqezën e Shkodrës dhe Sapës: “Jetë e çmueshme” për personat me aftësi të kufizuara, një Qendër Ditore e re për personat me aftësi të kufizuara në Arrameras- Dioqeza Tiranë dhe pritet të hapet në qershor një tjetër në Shënkoll- Dioqeza Lezhë.                                                                         Janë hapur edhe 2 qendra të reja ditore për fëmijët e braktisur në Breg-Lumi– DioqezaTiranë dhe në Cërrik – Administratura Apostolike e Jugut. Veç këtyre projekteve, donatorët gjermanë dhe austriakë kanë ndihmuar në ristrukturimin e ndërtesës së Caritas-it duke zgjidhur përfundimisht çështjen e përmbytjes së godinës dhe të lagështirës brenda saj. Gjithashtu ata kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Caritas-in me pajisjet e prodhimit të energjisë diellore në mënyrë që të kursehen shpenzimet për energjinë elektrike.          Detyrë e rëndësishme e Caritas-it mbetet fuqizimi i Caritase-ve Dioqezane dhe Famullitare, për këtë arsye Caritas-i ka mbështetur dhe do të mbështesë kurdoherë përpjekjet për forcimin e Caritas-eve Dioqezane. Në këtë kontekst vlen të përmendet letra mjaft pozitive që ka dërguar drejtori i ri Caritas-it Italian, Mons. Sodu për të forcuar bashkëpunimin midis dy Caritas-ve.                            Nuk mund të mos theksohet edhe ndihma e fuqishme financiare e Caritas Shqiptar për përballimin e vështirësive juridike të Kishës së Fierit. Kjo dëshmon impenjimin e përhershëm të Caritas-it për të përballur nevoja të veçanta të brendshme të Dioqezave.

4. Drejtësi sociale.

Një ndër shtyllat kryesorë të punës së Caritas-it është “Drejtësia sociale”. Na mëson Papa Benedikti i XVI: “Kisha nuk mundet e nuk duhet të bëjë beteja politike për të realizuar një shoqëri sa më të drejtë të mundshme. Ajo nuk mund e nuk duhet të zevendësojë shtetin. Por Kisha nuk mund e nuk duhet kurrsesi të qëndrojë në periferi të luftës për drejtësi. Ajo duhet të luftojë për drejtësinë nëpërmjet argumentimit racional të drejtësisë dhe zgjimit të forcave shpirtërore, pa të cilat drejtësia, e cila kërkon edhe vetëmohim, nuk mund të afirmohet e të ketë prosperitet.” (Deus Caritas Est. N°. 28). Për këtë arsye, Presidenti i Caritas-it Imzot Frendo dhe unë në cilësinë e drejtorit, kemi qënë të pranishëm me numër të madh artikujsh në mediat shqiptare dhe kemi marrë pjesë në mjaft programe televizive për të shprehur vullnetin e Kishës për drejtësi sociale. Nga ana tjetër, një ndihmë të madhe në përpjekjen për drejtësi sociale të Caritas-it, më ka dhënë emërimi si anëtar i Komisionit të Politikave Sociale të Caritas Europa në Bruksel.

5. Vazhdimësi.

Së fundi, doja ta përmbyllja këtë reflektim të shkurtër më shprehjen e thellë e të sinqertë të gatishmërisë time për të dhënë përsëri kontributin tim për Caritas-in vitet e ardhshme ashtu siç na mësonte Papa Pali i VI në “Populorum Progressio”: “…duke  kërkuar një humanizëm të ri që ti japë mundësi njeriut modern të gjejë vetveten”. (Populorum Progressio. N°. 51).

Faleminderit.

Dr. Albert P. Nikolla