15-17 Qershor 2016 / Hotel Mondial
Workshop
“Forcimi i bashkëpunimit lokal në interes të fuqizimit social dhe ekonomik të grupeve në nevojë. Instrumentat dhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e qeverisjes vendore, në marrjen e fondeve publike”.
Caritas Shqiptar në kuadër të zbatimit të projektit “Procesi Integruar i Trajnimit – Qëndrueshmëria e Caritas-eve Dioqezane në Shqipëri organizon Workshop-in tre ditor mbi forcimin e bashkëpunimit lokal në interes të fuqizimit social dhe ekonomik të grupeve në nevojë. të drejtuar nga Znj. Ariola Agolli (eksperte)
Në këtë workshop morën pjesë rreth 25 persona, të cilët kanë marrë informacion dhe janë njohur me konceptet bazë mbi bashkëpunimin lokal dhe rritjen e mundësisë për marrjen e fondeve publike në kuadër të programeve zhvillimore në komunitet. Përmes njohjes me skemat e subvencionimit dhe formave të tjera të bashkëpunimit me grupet e interesit, strukturat lokale të Caritas Shqiptar janë më të përgatitura në mobilizimin në komunitet dhe vendosjen e bashkëpunimit lokal me institucionet vendore.
Në fillim të këtij takimi ekspertja u përqëndrua në Instalimin dhe forcimin e bashkëpunimit lokal në interes të fuqizimit social dhe ekonomik të grupeve në nevojë. Pjesëmarrësit u njohën më në detaje me karakteristikat e planifikimit bashkëveprues, parimet e këtij planifikimi, kur është dhe kur nuk është i përshtatshëm ky planifikim, cilat janë kategoritë dhe mjetet për këtë planifikim. Gjithashtu pjesëmarrësit u morën me identifikimin e çështjeve dhe të aktorëve kryesorë të këtij planifikimi.
Planifikimi kooperues – është një proces i cili zakonisht aplikohet për të adresuar një çështje specifike, një mundësi ose problem, me qëllim zgjidhjen me sukses të situatës, përmes bashkëpunimit me palët në proces. • Planifikimi kooperues është një mënyrë për të përfshirë qytetarët në vendimarrjen lokale, në manaxhimin e çështjeve publike, është një aftësi për të bashkëpunuar me të tjerët për të zhvilluar një plan veprimesh.
Ata punuan në grupe si të përcaktonin fuqinë dhe pushtetin e aktorëve si dhe mënyrën si t’i bindin aktorët për të marrë pjesë në proces.
Në ditën e dytë të takimit ekspertja theksoi bashkëpunimin me aktorët lokalë, vetëqeverisjen vendore në Shqipëri si dhe teknikat e përfshirjes së qytetarëve dhe komuniteteve lokale në vendimarrje. Ajo u ofroi pjesëmarrësve edhe instrumentat dhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e qeverisjes qendrore, vendore dhe aktorë të tjerë, në marrjen e fondeve publike por gjithashtu edhe nga burime ndërkombëtare.
Në fund të këtij takimi vëmendja u përqëndrua në hapin e fundit të procesit të planifikimit bashkëveprues në të cilin përfshihej implementimi dhe monitorimi i procesit të planifikimit bashkëveprues, zhvillimi i një axhende, krijimi i një plani pune SMART si dhe implementimi i planit të punës.