Shërbimi i kujdestarisë dhe profili i kujdestarit

konferenca2 Caritas Shqiptar, më datë 19 Korrik 2013, organizoi Konferencën me temë “Njohje me profilin e kujdestarit të personit me aftësi të kufizuara, në Shqipëri”. Në Konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare, përfaqësues nga MPCSSHB, SHSSH dhe grupit të interesit.

Zhvillimi i Konferencës mundësoi evidentimin e profilit aktual të kujdestarit për personat me aftësi të kufizuara si dhe vlerësimin dhe rishikimin e shërbimit të kujdestarisë, me synim standardizimin në ofrimin e shërbimit cilësor dhe në përgjigje të nevojave individuale të personave me aftësi të kufizuara.

Shërbimi i kujdestarisë në vendin tonë ende nuk është i mirëpëcaktuar ligjërisht. Ende kujdestaria nuk ka profesionalizëm pasi në shumicën e rasteve kujdestarët janë anëtarë të familjes së personit me aftësi të kufizuara të cilët nuk kanë asnjë eksperiencë në këtë fushë. Sipas raport studimit “Shërbimi i kujdestarisë ndaj personave me aftësi të kufizuara-Element i rëndësishëm drejt jetesës së pavarur”, të kryer nga Caritas Shqiptar i pari i këtij lloji rezulton se 26.4% e të intervistuarve që ofronin këtë shërbim nuk kishin përfunduar as arsimin fillor. Teksa një pjesë e madhe e të intervistuarve pohuan se kishin lënë punën e tyre dhe se tani i përkushtoheshin fëmijëve apo familjarëve të tyre me aftësi të kufizuara. Vetëm një pjesë shumë e vogël 4 % pohuan se e kryejnë shërbimin e kujdestarisë kundrejt një pagese. Së fundmi për t’u theksuar është edhe fakti se 90.1 % e personave me aftësi të kufizuara pohuan se personi që i  ofron kujdestari është një person shumë i rëndësishëm në jetën e tyre.

konfernca1Sidoqoftë sot për sot duket se as personat me aftësi të kufizuara nuk e kanë kuptuar rëndësinë e ndihmës nga një person i specializuar pasi në një përqindje prej rreth 64% ata duket se preferojnë që shërbimi i kujdestarisë t’i ofrohet nga të afërmit e tyre. Sidoqoftë ka filluar më në fund që profili i kujdestarit të jetë temë debati. Afërdita Seiti, Kryetare e Shoqatës “Ndihmoni Jetën” thotë se “Një kujdestar i specializuar do të ndihmonte fëmijën tim të integrohej më mirë në shoqëri dhe të kishte një shërbim të specializuar të cilin une nuk ja ofroj dot”. Dhe në fakt shembujt e vendeve perëndimore si Britania e madhe tregojnë se roli i profesionistëve të kualifikuar është i rëndësishëm pasi ndihmon realisht në integrimin e personave me aftësi të kufizuara.

PIKË SË PARI DUHET TË NDRYSHOHET MODELI I VLERËSIMIT për personat me aftësi të kufizuara dhe secili person të ketë një kujdestar bazuar mbi nevojat e tij personale. Kujdestarët duhet të marrin trajnime dhe kurse profesionale mbi aftësimin e tyre si dhe të përgatitet kurrikula e tyre profesionale. Kujdestarët duhet të kenë mbështetje psikologjike për të kontrolluar nivelin e stresit të tyre gjatë shërbimit që ofrohet.