Caritas-i Shqiptar, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme që ofron në komunitet, ka treguar se gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë njerëzve në nevojë. Kjo ështe dëshmuar më së miri me shërbimin e ofruar ndaj personave të prekur nga sëmundje terminale. Shërbimi i ofruar ka qenë multidisiplinar, duke ofruar krahas shërbimit infermieristik dhe asistencën shpirtërore gjë që e ka kompletuar më së miri shërbimin e ofruar në banesë për këta persona. Ky shërbim është bërë i mundur në partneritet të ngushtë me Caritas Spanjën, që ka mundësuar financimin e projektit për periudhën 2006-2012, financim që u ndërpre për shkak të krizës ekonomike në Spanjë. Gjatë periudhës 2011-2012 fondet në dispozicion janë reduktuar dhe për këtë arsye numri i zonave përfituese u reduktua në dy (Lezhë dhe Elbasan) duke qënë se kishin numrin më të lartë të pacientëve të ndjekur. Falë Zotit dhe vullnetit të mirë të Caritas-it Shqiptar për ta vazhduar këtë shërbim, u mundësua që prej Tetorit 2012 deri në Shtator 2013 të ofrohet ky shërbim me mbështetjen financiare të Renovabis, që vlerësoi rëndësinë e vijueshmërisë së ofrimit të kujdesit paliativ për të sëmurët me sëmundje terminale. Me financimin e ri nga Renovabis, u mbështetën tre zona si: Lezhë, Rrëshen dhe Elbasan. Dhe aktualisht, “Kujdesi Paliativ ne Banesë” po mbeshtetet financiarisht nga Caritas-i Gjerman nw Rrëshen dhe Lezhë për vitet 2014-2015. Rrësheni është vlerësuar si zonë që ka nevojë për këtë shërbim dhe është zonë relativisht e varfër, kryesisht fshatrat përreth të cilat janë zona informale.

caritas01
Është e trishtueshme kur nëpër media flitet për rritjen e numrit të personave të prekur nga kanceri, në vitin 2014 numri i rasteve të reja me kancer është 7000 dhe vetëm 40% e tyre kanë mundësinë të përfitojnë shërbim në banesë. Pikërisht nga këto të dhëna dhe duke ditur se strukturat publike shëndetësore (SOB) mbulojnë me shërbim shumë pak në krahasim me nevojat reale që ka kjo kategori, evidentohet rëndësia e ofrimit të këtij shërbimi në banesë për këta persona. Nuk mjafton vendosja e një diagnoze, nuk mjaftojnë disa ditë qëndrimi në spital apo përshkrimi i disa medikamenteve. A mjafton vetëm kaq? Ku është përmasa shpirtërore? Po pas këtyre shërbimeve mjekësore, çfarë bëhet me këta persona? Kush i trajton për një fund jete sa më dinjitoz dhe pa dhimbje? A është e drejtë që ata të vdesin në mjerim pa patur dikë që t’u lehtësojë dhimbjen fizike dhe atë shpirtërore? Janë shumë pyetje që Caritas-i Shqiptar u ka dhënë përgjigje nëpërmjet punës së motivuar nga misioni i tij. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është që këta persona të shoqërohen drejt një pasazhi sa më të lehtë për në botën tjetër duke ua lehtësuar dhimbjet sadopak, nëpërmjet qëndrimit pranë tyre dhe duke u shtrënguar duart për t’u thënë që nuk jeni vetëm në këto momente të vështira të jetës së tyre.

Caritas-i Shqiptar gjithmonë e ka vlerësuar si tepër të rëndësishëm këtë shërbim ndaj këtyre personave dhe u ka ofruar përkujdesjen maksimale, përmasën shpirtërore dhe praninë njerëzore në momentet e fundit pa pritur diçka në këmbim prej tyre, sikurse thuhet edhe në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë “gjithçka që do të shpenzoni më tepër do t’jua shpërblej në kthimin tim”. Caritas-i duke patur përvojën e mjaftueshme në dispozicion dhe duke qenë kudo dhe kurdoherë i pranishëm në të gjitha shtresat e shoqërisë, ka kuptuar më së miri pikat e dobta dhe ku është më e nevojshme për të ndërhyrë. Dhe duke bërë këtë vlerësim, vlerësojmë se Caritas-i Shqiptar në të ardhmen do të orientohet drejt ofrimit të shërbimeve në banesë. Strukturat shëndetësore publike shihen shumë larg ndërmarrjes së nismave për dhënien e shërbimeve në banesë. Deri atëherë Caritas-i Shqiptar do jetë gjithmonë duke kërkuar mbështetje financiare për ta vazhduar këtë shërbim dhe për ta shtrirë në sa më shumë zona të Shqipërisë. Gjithashtu Caritasi do jetë promotor i rëndësishëm i të drejtave dhe zëri i përfaqësimit të këtyre personave.