Histori e shkurtër e Organizatës
Caritas-i Shqiptar është një organizatë humanitare që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më në nevojë në Shqipëri. U themelua në vitin 1993 nga Konferenca Ipeshkvore e Kishës Katolike, dy vjet pas përfundimit të regjimit komunist, dhe u njoh nga shteti Shqiptar si një organizatë bamirëse e Kishës Katolike Shqiptare me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 03.10.1995. Që nga viti 1994, Caritas-i Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë.
Që nga koha e themelimit Shqipëria ka kaluar kriza të ndryshme (luftën në Kosovën fqinje, kolapsin e ekonomisë, nivelet më të larta të varfërisë në Evropë). Caritas-i Shqiptar u është përgjigjur këtyre sfidave duke siguruar asistencë materiale dhe duke kthyer shpresën në komunitetet ku ai ka punuar.
Në vitet e shkuara Caritas-i Shqiptar iu është përgjigjur një numri të madh krizash humanitare si përmbytjeve, konflikteve dhe emigrantëve duke siguruar shërbim shëndetësor, edukim, dhe strehim.
Caritas-i Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cënueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara.
Të gjitha aktivitetet e menaxhuara nga Caritas-i Shqiptar në 20 vitet e fundit janë realizuar në bashkëveprim të ngushtë me vullnetarët dhe donatorët. Qëllimi i përbashkët i këtyre aktiviteteve është bazuar në vlerat themelore të dashurisë, mëshirës dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë. Caritas-i shqiptar në kuadër të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë ofron shërbime dhe asistencë pa dallime fetare, etnike apo raciale. Caritas-i Shqiptar, manaxhon, zhvillon dhe ndërton institucione sociale dhe nisma si shkolla, qendra shëndetësore, spitale, rrugë, ura, sisteme të furnizimit me ujë, strehëza, shkolla dhe qendra sociale për fëmijë, të rinj, dhe grupe në nevojë, siç janë fëmijët romë, familje me fëmijë të sëmurë apo femra të trafikuara. Përmes trajnimit dhe zhvillimit të individëve në sektorin publik dhe vullnetar, Caritas-i siguron përmirësime afatgjata dhe të qëndrueshme në cilësinë e jetës së shqiptarëve.
Caritas-i Shqiptar funksionon në bazë të programeve: Programi Social, Programi Shëndetësor, Programi Anti-Trafikimit dhe Mbështetjes së grave në vështirësi, Programi i Mbledhjes së Fondeve, Programi i Emergjencave dhe Programi i Shërbimeve Doganore. Duke përdorur rrjetin unik të famullive, kishave katolike shqiptare dhe komuniteteve fetare, Caritas-i Shqiptar është në gjendje të sjellë ndryshime pozitive në të gjitha zonat e Shqipërisë nga qytetet kryesore në komunitetet më të largëta rurale.
Caritas-i Shqiptar kërkon të jetë i pranishëm në pasojat e emergjencave civile dhe katastrofave natyrore, duke siguruar shërbime parësore dhe duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Kjo përfshin disa nga periudhat më të vështira të Shqipërisë në vitet e fundit: rënia e regjimit komunist nga viti 1990-1992; protestat civile të ndjekura nga falimentimi i firmave piramidale nga viti 1997-1998, dhe kriza e refugjatëve kosovarë nga 1998-1999. Gjithashtu, Caritas-i ndihmon njerëz të prekur nga përmbytjet, njerëzit në komunitetet rurale që bllokohen nga bora, dhe viktima të tjera nga shkaqe natyrore ose njerëzore, si shpërthimi i depove të municioneve në Gërdec në 15 Mars 2008. Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas-it Kombëtar: Caritas Tiranë-Durrës, Caritas Shkodër-Pult, Caritas Sapa, Caritas Lezha, Caritas Rrëshen dhe Caritas Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë. Si një Organizatë e drejtpërdrejtë e Kishës Katolike, ku ushtrohet karizma e frymës për të dashur të afërmin ashtu si veten, në të gjitha nismat e ndërmarra prej Caritas-it, spikat përshpirtëria e krishterë.
Misioni ynë
Ne besojmë në vlerën e dinjitetin e jetës njerëzore. Ne ndihmojmë duke u bazuar në vlerat shpirtërore dhe humanitare. Besojmë që çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime që kanë ndikim në jetën e tyre. Ne besojmë se respekti për të drejtat e njeriut do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm.