PARTNERITET I QËNDRUESHËM


Me ftesë të Caritas St. Pölten, Dr. Albert NIKOLLA, Drejtor i Caritas  Shqiptar, zhvilloi gjatë periudhës 23-27 Nëntor 2011 një vizitë pune në Austri. Në ditën e parë të vizitës u mundësua zhvillimi i takimit me komunitetin shqiptar, takim i ndërmjetësuar nga Dom Pren KOLA. Përmes prezantimit të aktiviteteve të Caritas Shqiptar të pranishmit  në takim u informuan rreth kontributit të Caritas Shqiptar në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Në takimin e zhvilluar ditën e dytë të qëndrimit me politikanin Dr. Stephan Pernkopf  diskutimi u fokusua  kryesisht në shprehjen e interesit nga ana e Drejtorit të Caritas Shqiptar për instalimin e bashkëpunimit për zhvillimin e projekteve në fushën e mjedisit dhe agrokulturës. Dr. Albert NIKOLLA ndër të tjera vlerësoi bashkëpunimin  e frytshëm dhe të qëndrueshëm të vendosur me Caritas St. Pölten, si dhe theksoi rëndësinë e vijimësisë dhe zgjerimit të bashkëpunimit.

Interesi nga media lokale vizive dhe e shkruar në lidhje me viziten e Drejtorit te Caritas Shqiptar ishte tepër evidente, fakt që u demostrua përmes  intervistes së dhënë për gazetën lokale NÖN. Gazetarja Sonja Planitzer, kërkoi informacion mbi veprimtarinë e Caritas Shqiptar, sfidat dhe arritjet e shoqërisë civile në promovimin e të drejtave të grupeve vulnerabël si dhe bashkëpunimin me strukturat qeverisëse në Shqipëri.

Në takimet e zhvilluara me drejtues të  Caritas St. Pölten, Dr. Albert NIKOLLA shprehu mirënjohjen në emër të Caritas Shqiptar për mbështetjen e  vazhdueshme  multi-dimensionale të ofruar nga Caritas St. Pölten si në grante apo asistencë për ngritjen e kapaciteteve të stafit të Caritas Shqiptar për mbledhjen e fondeve dhe shërbimet ndaj PAK.