“Procesi i integruar i trajnimit – qëndrueshmëria e Caritas-eve dioqezane në Shqipëri” është projekti i ri i financuar nga Renovabis. Ky projekt do të zgjasë tre vjet dhe do të zbatohet në 6 Dioqezat e Shqipërisë. Në mjediset e Caritas-it Shqiptar, sot më 14.01.2015, u zhvillua takimi i parë me përfaqësues të 6 Caritas-eve Dioqezane, pjesë e këtij projekti. Qëllimi i këtij takimi konsistonte në të kuptuarit më mirë të procedurave të fillimit të projektit, mjetet e brendshme të komunikimit, hartimin e tabelës së stafit të projektit, rolet përkatëse dhe përshkrimin e punës së secilit. Në fillim të këtij takimi menaxherja e projektit Elona Memetaj bëri një prezantim të projektit. Ajo u ndal kryesisht në objektivat që synonte të arrinte ky projekt, në rezultatet që do të arrihen si dhe shpjegoi planin e veprimit për tremujorin e parë Janar – Mars 2015, lidhur me rezultatet e pritura. Ajo theksoi që është shumë e rëndësishme fuqizimi i rrjetit Caritas përmes mbështetjes së strukturave për të arritur në profesionalitet dhe efiçencë duke fuqizuar përgjigjen ndaj nevojave të komunitetit. Gjithashtu duhet vënë theksi në fuqizimin e rolit të Caritas-it në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social, përmes rritjes së identitetit të Caritas-it dhe zgjerimit të partneritetit me subjektet publike dhe partnerët socialë. Menaxhimi dhe transferimi i njohurive si dhe praktikave më të mira brenda rrjetit mund të jetë një instrument i vlefshëm për të fuqizuar angazhimin e burimeve njerëzore dhe kualifikimin e tyre, diversifikimin e burimeve financiare dhe përfshirjen e vullnetarëve. Pavarësisht karakteristikave kontekstuale të gjashtë dioqezave janë identifikuar nevoja të përbashkëta në lidhje me mirëorientimin e nismave në komunitet. Projekti synon ndër të tjera
edhe shoqërimin e caritas-eve dioqezane në arritjen dhe zbatimin e paketës së standardeve të menaxhimit të propozuara nga Caritas Internationalis. Gjithashtu përsa i përket komunikimit mungon një web zyrtar në pesë prej gjashtë dioqezave, i cili do të formalizohet dhe do të funksionojë që në tremujorin e parë të projektit, pasi përhapjes së informacionit mbi veprimtaritë e realizuara është e rëndësishme t‘i kushtohet vëmendje e veçantë. Komuniteti do të mirëinformohet mbi rolin dhe kontributin e Caritas-it, mbi misionin dhe ndërhyrjet apo shërbimet lehtësuese të vazhdueshme për grupet në nevojë. Gjithashtu ky projekt synon të rrisë kapacitetet menaxhuese të stafeve të caritaseve dioqezane në termat e zhvillimit të programeve me bazë komunitetin duke iu përgjigjur nevojave të të varfërve dhe grupeve të përjashtuara si dhe të rrisë kapacitetet e vullnetarëve dhe bashkëpunëtorëve në mobilizimin e komunitetit si dhe në rritjen e dukshmërisë së veprimtarisë së rrjetit. Gjatë këtij takimi u bë edhe në lidhje direkte me Dr. Monica Kleck, Konsulente Projekti e Renovabis, e cila shpjegoi rëndësinë e këtij projekti në fuqizimin e Caritas-eve Dioqezane. Ajo rikujtoi se duhet raportuar çdo aktivitet i realizuar, por shumë i rëndësishëm është raportimi i impaktit të arritur në kuadër të zbatimit të këtij projekti. Ajo nuk la pa përmendur edhe kufizimet në rast të devijimit të projektit. Pjesëmarrësit në takim falënderuan Znj. Kleck për këtë mundësi në fuqizimin e Caritas-eve Dioqezane.

proces_integruar_caritas02