PROGRAMI “FËMIJËT DHE TË RINJTË NË SHQIPËRI”

Periudha e implementimit 2012-2014

Donatori: Qeveria Gjermane në bashkëpunim me Caritas-in Gjerman

Referenca: P.536-002/2011

 

Programi Rinor implementohet në dy qytete të Shqipërisë: Tiranë dhe Cërrik përkatësisht në zonën e Breglumit-Babrru dhe Malasen-Cërrik. Të dy këto zona janë zona periferike të qyteteve dhe popullsia është heterogjene, pra një përqëndrim i popullsisë rome. Në këto zona infrastruktura lë për të dëshiruar si edhe shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë.

Projekti është i orientuar drejt përmirësimit të jetesës së fëmijëve dhe të rinjve fokusuar në tre përqasje të cilat integrohen me njëra – tjetrën gjatë implementimit. Këto 3 përqasje janë bazuar edhe në kontekstet në të cilat gjenden me së shpeshti fëmijët dhe të rinjtë. Ndërhyrja e realizuar në të tre këto përmasa do të sjellë rezultate më të mira në përfundim të projektit.

Përqasja individuale: Në këtë projekt një rëndësi të madhe ka puna direkte me përfituesit. Anëtarët e stafit edhe pse punojnë me grupe fëmijësh, të rinjsh dhe prindërish në punën e tyre të përditshme janë të orientuar edhe në ndjekjen individuale. Veçanërisht mësuesja me rastet e analfabetizmit, mjekja me problemet shëndetësore si dhe punonjësja sociale me rastet komplekse sociale.

Përqasja e grupit – familjes: Kjo përqasje është në disa drejtime pasi për të realizuar sa më mirë objektivat dhe rezultatet e pritshme ekipi i projektit punon në grupe: grupet e fëmijëve sipas grupmoshave, grupi i të rinjve, grupi i nënave. Përqasja e grupit lehtëson integrimin e përfituesve dhe komunikimin e tyre me të tjerët.

Përqasja komunitare: Kjo përqasje ka të bëjë jo vetëm me ndërgjegjësimin e komunitetit për fëmijët dhe të rinjtë e tyre, por edhe një aktivizim i tij për të qenë më të përfshirë në përmirësimin e jetesës së tyre. Duke punuar për përmirësimin e kushteve në komunitet impakti është në të dy drejtimet si nga komuniteti te fëmijët dhe anasjelltas.

Për realizimin e objektivave janë krijuar 2 ekipet multidisiplinare sipas zonave, të cilat kanë të njëjtat objektiva dhe detyra, por që realizohen në zona të ndryshme.

Ky projekt ka në ekipin e tij profile të reja, të cilat ndihmojnë në zbatimin sa më të mirë të projektit. Punonjësi social, mjeku dhe mësuesi janë anëtarët e rinj të ekipeve, të cilët do të fuqizojnë si punën me rastet dhe atë me komunitetin.

Ky projekt ka karakteristika shumë të rëndësishme: së pari mjediset fizike të qendrave janë të vendosura në zonat përkatëse duke qenë pjesë e rëndësishme e komunitetit dhe që ka rritur te përfituesit ndjenjën e përkatësisë dhe të gjithë aktivitetet e shërbimet ofrohen në zonë duke sjellë një impakt më të fortë. Qendrat e projektit janë kthyer në qendra referimi për banorët e këtyre zonave, ku përfituesit e dinë se çfarë shërbimesh ofrohen si dhe se ku mund të adresohen në rast të nevojave specifike.

Objektivi i përgjithshëm i këtij program është që fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre të jetojnë një jetë më dinjitoze në komunitetet e tyre.

Për përmbushjen e këtij objektivi madhor stafi është përqëndruar në disa objektiva më specifikë siç janë:

përmirësimi i shëndetit fizik dhe psiko-social, përkujdesja që fëmijët të marrin edukimin formal bazë dhe të kenë aftësi për jetën e tyre sit ë rritur.  Gjithashtu të ndërgjegjësohen anëtarët e familjeve për përgjegësitë e tyre në familje, por edhe komuniteti në tërësi të përmirëosjë kushtet e përbashkëta të jetesës.  Për realizimin e këtyre objektivave zhvillohen një sere aktivitetesh si: diskutime me fëmijët mbi tema dhe probleme të ndryshme si higjena, vaksinimi, shkolla, komuniteti; takime me prindërit, mësuesit, qendrat shëndetësore, komunitetein, specialistë të ndryshëm; aktivitetet animuese mbi tema të ndryshme dhe aktivitete pedagogjike mbi të drejtat e fëmijëve; praktimi i higjenës në qendër; asistencë shkollore; organizim i fushatave të ndryshme sensibilizuese; kurse profesionale për të rinjtë, aksione komunitare etj.