Emergjenca e punës në Ballkan është projekti i ri rajonal që ka filluar të zbatohet që prej Marsit 2015 dhe përfshin 6 rajonet ballkanike, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina. Gjithashtu është i përfshirë në këtë projekt edhe Caritas Greqia, si shkak i krizës ekonomike që po kalon ky vend. Ky projekt është financuar nga Konferenca Ipeshkvore Italiane, koordinohet nga Caritas-i Italian dhe do të zgjasë 12 muaj. Situata botërore financiare dhe kriza ekonomike që ka prekur eurozonën është ndër krizat më të rënda që Evropa ka përjetuar. Kriza ekonomike që ka rënduar Evropën ka prekur ekonomitë më të qëndrueshme e në mënyrë të veçantë vendet e Evropës Juglindore që nuk janë pjesë e Evropës, siç janë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina.  Vende si Italia, Greqia e në disa raste edhe Austria apo Gjermania, të cilat në 15 vitet e fundit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mëkëmbjen e ekonomisë, janë prekur nga kriza dhe kanë hasur vështirësi në financimin e këtyre vendeve e në disa raste edhe kanë tërhequr kapitalin në vendet e tyre. Gjithashtu investimet e brendshme dhe të jashtme janë ulur në këto vende, si dhe është reduktuar eksporti. Të parët që prekën nga kjo situatë janë shtresat më vunerabël të popullsisë siç janë personat me aftësi të kufizuar, personat me probleme mendore dhe romët, të cilët mbeten të margjinalizuar, më të varfër se pjesa tjetër e popullsisë, pa mbështetje nga shteti ose mbështetje të pamjaftueshme nga shteti dhe me mungesa mundësish për t’u përfshirë apo integruar. Në këtë kuadër Kisha dhe Caritas-i në Evropën Juglindore vepron si një “zëvendësuese”, ndonjëherë nëpërmjet veprave të bamirësisë, ndonjëherë nëpërmjet animimit të komunitetit. Gjithsesi këto përpjekje nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar sfidat e reja të lindura nga kriza e rëndë ekonomike që ka zënë këto vende. Në Evropë, organizatat e ekonomisë sociale dhe sipërmarrjeve sociale janë duke luajtur një rol të rëndësishëm si mbështetëse shërbimesh.  Ato lehtësojnë rialokimin e burimeve dhe një transformim të favorshëm të sistemit të mirëqenies, kontribuojnë për të luftuar përjashtimin social dhe gjithashtu në zhvillimin e drejtë dhe të qëndrueshëm lokal.  Ky sektor është kthyer në një nga krijuesit kryesor të punës në Evropë pas krizës ekonomike.  Ndër vite ekonomia sociale është bërë një temë e rëndësishme në debatet publike në Evropë dhe kjo çoi në rritjen e qasjes së orientuar më shumë nga tregu, kryesisht për shkak të kufizimeve të reja buxhetore dhe debateve rreth efektshmërisë së sektorit publik. Ndryshimet demografike dhe rritja e papunësisë i dha një shtysë të rëndësishme zhvillimit të sipërmarrjeve sociale. Arsyet kryesore që e nxisin kishën të angazhohet fuqishëm në promovimin e ekonomisë sociale gjenden në fjalët e Papa Benidiktit të XVI, në Letrën Enciklike Caritas in Veritate, që i përgjigjet pyetjes “Pse Caritas-i dhe Kisha Katolike po merren me sipërmarrjet sociale”.  Sepse njerëzit dhe jo lekët duhet të jenë në qendër të veprimit ekonomik. Sepse i varfëri, i përjashtuari social, duhet të konsiderohen si burim, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe jo si një barrë. Në vendet e Evropës Juglindore, sipërmarrjet sociale janë parë si një mundësi për të mbushur mungesën e krijuar nga tërheqja e shtetit në sektorin social. Në këto vende sipërmarrjet sociale mund të sigurojnë asistencë për shumë grupe vunerabël dhe ato mund të promovojnë zhvillimin lokal. Për momentin, forma ekzistuese më e rëndësishme dhe më e përhapur e sipërmarrjeve sociale është ajo që siguron asistencë për fëmijët dhe të moshuarit. Caritas-i dhe Kisha në Ballkan janë duke vepruar shpesh si siguruese shërbimesh dhe janë një shembull i mirë në shërbimin në banesë për të moshuarit. Bazuar në praktikat tashmë ekzistuese në Evropë, dhe duke iu referuar legjislacionit italian dhe përvojës, është e mundur të nënvizohen disa karakteristika që përkufizojnë llojin e sipërmarrjeve sociale që mund të financohen nëpërmjet këtij projekti. Sipërmarrjet sociale mund të kenë forma juridike të ndryshme, sipas legjislacionit lokal, por duhet të plotësojnë kërkesën kryesore: duhet të jenë jo të orientuara drejt fitimit.

Nga 30 mars deri 1 Prill u zhvillua në Tiranë, në mjediset e Hotel Doro City, workshop-i i parë i këtij projekti. Në këtë workshop morën pjesë përfaqësues nga të gjitha caritas-et partnere në projekt.

Dita e parë e workshop-it u udhëhoq nga Dr. Pierluigi Dovis, i cili solli në vëmendje të gjitha argumentat biblike, që tregonin arsyet se përse Kisha duhet të merret me sipërmarrjen sociale.  Duke qenë se në themel të ungjillit qëndron dashuria për të afërmin dhe përpjekja për të mirën e përbashkët si dëshmi për të manifestuar këtë dashuri, atëherë çdo gjë që sjell të mirën e përbashkët është automatikisht çështje që prek institucionet fetare të krishtera.

Në ditë e dytë dhe të tretë të udhëhequr nga Prof. Ivan Vitali dhe Tiziana u theksuan më së shumti disa informacione praktike lidhur me sipërmarrjet sociale:

Ekonomia Sociale në Evropën Juglindore: Cili model i qëndrueshëm i ekonomisë sociale?

Gjatë këtij sesioni u diskutua prespektiva e Ekonomisë Sociale si një burim i “Lumturisë së përbashkët Publike”, shpjegimin e nocionit të ekonomisë sociale sipas themeleve të ekonomisë civile, roli kyç i reciprocitetit dhe vëllazërisë.

Teoritë e koordinimit dhe konteksti lokal. Më konkretisht në këtë sesion u diskutua se cilat janë shtyllat e një sipërmarrjeje sociale efektive dhe vlerat që gjenerohen prej saj.

Zbulimi i sipërmarrjes sociale në kontekstin lokal. Ky sesion kishte të bënte me identifikimin e aktorëve kyç, analiza e stafeve (se sa shumë mund të përfshihen grupet vunerabël në fillimin e krijimit të stafit të sipërmarrjeve sociale), realizimi i analizës SWOT.

Ndërtimi i një baze të dhënash të një sipërmarrje lokale të qëndrueshme. Ky sesion kishte për qëllim të jepte bazat kryesore mbi hartimin e planit të punës për çdo person që do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë fushë, nëpërmjet identifikimit të faktorëve dhe indikatorëve kyç (njerëzit, mjetet, njohuritë, rrjetet, etj).

3