Qendra Ditore “Jetë në Zhvillim” Arrameras, Fushë –Kruje

Qendra Ditore “Jetë në Zhvillim” Arrameras, Fushë –Kruje, është një qendër multifunksionale, e cila ofron shërbime sociale për 32 Persona me Aftësi të Kufizuara Mendore. Integrimi social i këtyre personave ka qenë dhe është një nga principet kryesore të Caritas Shqiptar, i cili me kontributin e Caritas Austria ka bërë të mundur ngritjen e kësaj qendre. Personat me aftësi të kufizuara janë midis nesh, të gjithë së bashku të bëjmë të mundur që ata të jenë të vlefshëm për veten, për familjet e tyre si dhe për komunitetin ku bëjnë pjesë. Ne punojmë për ndërtimin e një shoqërie me vlera dhe në të cilën dinjiteti i çdo individi mbrohet dhe respektohet pa marrë në konsideratë ndryshimet apo karakteristikat individuale.

Veprimtaria e qendrës ditore:

- Orientim për klientin drejt zhvillimit të aftësive, njohurive dhe vetëkuptimit të tyre.

- Aktivitete me fokus promovimin e vlerave dhe kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara.

- Pjesëmarrje në organizime të ndryshme sportive dhe kulturore.

- Funksionimi i rrjetit midis familjarëve të personave me aftësi të kufizuara që frekuentojnë qendrën sociale dhe më gjerë.

- Fushata për sensibilizimin e pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë sociale për hartimin dhe implementimin e planeve lokale për arsimimin, punësimin, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në nivel komunitar.

Aktivitetet që zhvillohen në qendër ndihmojnë në krijimin e modelit të qëndrueshëm social duke krijuar kushtet e përshtatshme për integrimin dhe gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara mendore. Aktivitetet e qendrës janë si: aktiviteti i dekupazhit, qëndistarisë, kompjuterit, ikonave dhe qirinjve.

Ora e qëndrimit të tyre në qendër është nga ora 08:00-14:00 ku fillon shpërndarja e tyre në shtëpi. Gjatë paradites punojnë të ndarë në grupe në aktivitetet përkatëse. Pastaj në orën 11:00 ofrohet një vakt ushqimorë si drekë, pasi mëngjesi u sigurohet në mjediset shtëpiake. Ky është një vakt i pasur me vlera ushqimore dhe në përputhje me nevojat e individit duke plotësuar nevojat bazë si në sasi ashtu dhe në cilësi. Çdo ditë vakti ushqimor shoqërohet me lëngje frutash apo me çaj. Pas drekës për PAK kemi hartuar një plan aktivitetesh sociale ku mund të luajnë futboll, ping-pong, improvizojmë kinema në qendër një herë në javë me filma të përshtatshëm për këtë target grupi etj.  PAK u është bërë e qartë se këto aktivitete nuk janë të detyrueshme megjithëse janë shprehur se ndihen të kënaqur. Gjithashtu familjarët kanë propozuar edhe aktivitete të tjera si rrobaqepsia dhe studimi të cilat po zhvillohen si aktivitete të reja në qëndrën tonë. Këto shërbime sociale për PAK që ne ofrojmë, nxisim dhe mbështesim gjithëpërfshirjen, integrimin e tyre në komunitet, u përgjigjen kërkesave dhe nevojave për mbështetje për një jetë sa më të pavarur. Kemi realizuar panaire të ndryshme me punime artizanale që ato mund të punojnë, të cilat janë pëlqyer shumë nga komuniteti. Në qendër sigurohet një personel i mjaftueshëm me kualifikimet e duhura për shërbimet që ofrohen. Çdo punonjës është kujdestar i një grupi afërsisht prej gjashtë personash dhe personeli vazhdimisht trajnohet brenda dhe jashtë vendit. Në mënyrë periodike personeli paraqet përshkrimin e tij të punës me dosjet përsonale të çdo PAK që ai ka nën vëzhgim, si plani individual, kartelat e vlerësimit, profili dinamik etj. Ajo çka e dallon këtë qendër me të tjerat është identifikimi i aftësive pozitive dhe puna e orientuar drejt këtyre aftësive. Këto aftësi vihen në funksion të përmirësimit të talenteve të ndryshme që kësaj kategorie individësh nuk i mungojnë. Kjo gjë do të sjellë tek ata arritje të ardhurash, përmirësim të vetëvlerësimit dhe për rrjedhojë krijimin e autonomisë ndaj familjes dhe të gjithë komunitetit.

Personi përgjegjës:    Albina Frroku

Email:                         jetenezhvillim@hotmail.it

Tel:                             0682047928

Top