“TË NDËRTOJMË E SHTËPINË E MIQËSISË PËR TË MIRËN E FËMIJËVE”
Kjo është motoja që ka shoqëruar stafin e Caritas-it Shqiptar dhe bashkëpunetorët e tij në mbrojtjen e fëmijëve kundër trafikimit . Duke qenë një pjesë e shoqerisë vulnerabël dhe në rrezik angazhimi në mbrojtjen e tyre dhe adresimi I nevojave të tyre ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor në punën tonë. Lexo më shumë….
Caritas-i Shqiptar prej katër vitesh është  angazhuar në parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore. Në mënyre të vecantë në mbrojtjen e fëmijëve. Kjo falë angazhimit dhe punës së kongregatave katolike, vullnetarëve dhe operatorëve socialë  që punojnë në të gjithë vendin. Ky projekt lindi si nevojë e situatës së krijuar në vend për problemin e informimit të fëmijëve dhe vajzave në lidhje me  këtë fenomen. Fëmijët në zonat rurale apo në komunitete të vecanta rurale janë më pak të mbrojtur apo të informuar rreth këtij problemi, gjithashtu shumë prej tyre janë pre e shfrytezimeve të ndryshme.
Në këtë aspekt janë organizuar aktivitete informuese sociale dhe kulturore të cilat kishin në qendër të vemendjes Fëmiëen. Meqenëse Papa Benedikti i XVI dhe Unicef shpallën 2009 si vitin e fëmijës edhe sektori ynë u angazhua në organizimin e aktiviteteve të ndryshme sociale kulturore.
Konkretisht,  gjatë vitit të kaluar janë  organizuar 17 kampe verore dhe 13 miniprojekte  për informimin, sensibilizimin dhe angazhimin e këtyre femijeve në risk në jetën sociale. Duke mos harruar se informimi mbetet një nga mjetet më të fuqishme për veprimtarinë parandaluese të  trafikimit  të qënieve njerëzoren por edhe për problemet e tjera sociale.
Metodologjia e përdorur në këto aktivitete ka qenë e njëjtë për të gjitha kampet dhe organizimi i tyre është bërë  nën mbikqyrjen e koordinatorit të projektit. Vlen për tu përmendur një pjesmarrje shumë e madhe e fëmijëve por pika më e rëndesishme ka qenë dhe përfshirja e prindërve dhe komunitetit në këto aktivitete për fëmijë.
Aktivitetet  janë përgatitur duke patur parasysh temat e mëposhtme te  cilat janë përcaktuar më parë me grupin e punës:
–    Të drejtat e fëmijëve,
–    Trafikimi I qënieve  njerëzore ,
–    Rreziku për fëmijët,
–    Si të mbrohesh
–    Fëmijët kundër trafikimit të qënieve njerëzore
 
Këto tema janë implementuar përmes metodave të meposhtme:

*  Lojëra njohëse, argëtuese, Diskutime  interaktive dhe kreative,
*  Ngjarje të fëmijëve të trafikuar dhe Analiza e ngjarjes, Puna në grupe,
* Interpretimi i roleve , piktura dhe vizatimi, krijime letrare, atelie e punë laboratori, janë përdorur gjithashtu histori të njohura si “Pinoku”,  “Shtëpia prej Cokollate”, ”Hirushja” etj.

 

Këto aktivitete kanë patur një impakt të rëndesishëm në jetën sociale të komunitetit dhe tek  vetë fëmijët. Ata janë ndjerë me të vërtetë protagonistë dhe vetë fëmijët kanë ngritur zërin për rreziqet që kanë. Ata  kanë krijuar  shumë materiale të ndryshme vizive si postera, fletëpalosje, poezi  dhe  kanë përcjellë jo vetëm  problemet që i shqetësojne por u kanë bërë dhe një apel prindërve, mësuesve dhe bashkëmoshatarëve të tjerë. Dhe në fund dua të përmend disa citime nga punët e fëmijëve të cilat duhet të na shoqerojnë në punën tonë të përditshme:
“Mos më ler të punoj se jam i vogel, kam nevoje të jetoj si të gjithë fëmijët e tjerë”, “Mjaft, Mjaft, Mjaft është koha që të gjithë të jemi fëmijë dhe jo të shfytëzuar”,  “…ëndërrojmë, ëndërrojmë, ëndërrojmë vazhdimisht, sepse është ëndrra ajo që na largon nga kjo jetë e vështirë dhe na con në një jetë ideale që është shtëpia e miqësise ku ne vetëm luajmë dhe buzëqeshim”