Më datë 24 dhjetor 2014, në mjediset e Hotel Diplomat Fashion në Tiranë, u organizua një trajnim me temë “Ndryshimet ligjore kryesore në fushën e legjislacionit të aftësisë së kufizuar” i udhëhequr nga lektorja Sidita Fortuzi.

Në këtë trajnim morën pjesë stafet e projektit “Të jesh aktiv-pa barriera” si dhe stafi i qendrës “Jetë në zhvillim”, Arrameras. Gjatë këtij trajnimi u trajtuan çështje të ndryshme si ‘Konventa mbi të drejtat e PAK’, ‘Ligji mbi përfshirjen dhe aksesueshmërinë’, ‘Vendimarrja e mbështetur’, ‘Ligji për gjithëpërfshirjen në arsim’, ‘Vendimi për Programin e nxitjes së punësimit të PAK’.

Konventa për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar tashmë pas ratifikimit të saj është ligj edhe në Shqipëri. Megjithëse zbatimi i saj ka akoma shumë mangësi. Monitorimi i kësaj konvente do të bëhet nga Avokati i Popullit. Gjithashtu lektorja u përqëndrua edhe te ‘Ligji mbi përfshirjen dhe aksesueshmërinë’. Ky ligj ka si qëllim të garantojë nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të PAK dhe të mundësojë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në të gjitha sferat e shoqërisë, në kushte të barabarta me të tjerët duke mundësuar autonominë dhe jetesën e pavarur për të gjithë personat me aftësi të kufizuar nëpërmjet ofrimit të ndihmës dhe mbështetjes.

Nuk ka statistika të sakta për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri. Nuk ka shifra sa të punësuar, sa të margjinalizuar, sa të shkolluar prej tyre. Qëllimi i të gjitha këtyre ligjeve dhe i konventës është që këta persona me aftësi të kufizuar të jetojnë në mënyrë të pavarur sipas nevojave të individëve për shërbime. U diskutua gjithashtu edhe për asistentin personal, që nuk mund të jetë thjesht një kujdestar, por ky person qoftë edhe familjar duhet të ketë një minimum profesional, ai duhet të trajnohet për të dhënë shërbime. Vendimarrja e mbështetur është ushtrimi i vullnetit nga një person me aftësi të kufizuar nëpërmjet një kompetencë specifike që mbështet qëllimin dhe interesin e tij më të mirë, duke i mundësuar kryerjen e veprimeve për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime.

Gjithashtu u përmend edhe ‘Ligji për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’ i ndryshuar, ku sipas këtij ndryshimi personave me aftësi të kufizuar u ndërpritet pagesa pas 24 muajsh punësim.

U diskutua ‘Ligji për gjithëpërfshirjen në arsim’, si shumë i rëndësishëm për integrimin e personave me aftësi të kufizuar. Pjesëmarrësit sollën shembuj të pengesave dhe vështirësive që hasnin këta persona megjithëse legjislacioni egziston, është në fuqi, por zbatimi i tij ka gjetur shumë vështirësi në zbatimin në terren.